Edhe qenia e vetmuar dobësohet, sado e madhe të jetë.
Një nga thëniet më të bukura profetike është fjala e të Dërguarit të Allahut ﷺ:
“Ujku e ha vetëm delen që është shkëputur nga tufa.”
Një fjali e shkurtër, por që përmbledh filozofinë e jetës shoqërore, ligjet e qëndrueshmërisë dhe mbijetesës, si dhe thellësitë e shpirtit njerëzor. Kjo shprehje nuk është thjesht një përshkrim i një ngjarjeje natyrore mes ujkut dhe deleve, por një ligj i jetës që përsëritet në çdo kohë dhe vlen për individët, shoqëritë dhe idetë.
Të gjithë e kuptojnë se qenia e vetmuar është e dobët, pavarësisht forcës së saj individuale.
Njeriu i vetëm ka mundësi të kufizuara, është i pambrojtur dhe bëhet pre e rreziqeve. Ndërsa grupi dhe komuniteti formojnë një fortesë të qëndrueshme, ku përgjegjësitë ndahen, rreshtat bashkohen dhe armiku tërhiqet nga frika.
Njeriu nuk plotësohet vetëm.
Ai që largohet nga mjedisi i tij i besimit dhe nga shoqëria e mirë, ka thyer murin e mbrojtjes dhe ka hapur derën e sulmit.
“Ujku” mund të jetë mendjemadhësia, pasioni i shfrenuar, etja për famë, një dyshim i maskuar, vetëpëlqimi apo fryrja e egos. Sa i rrezikshëm është dëshira për udhëheqje pas suksesit, kur “unë”-ja rritet dhe njeriu fillon ta shohë veten më të madh se ç’është.
Mund të jetë një pëshpëritje e fshehtë e shpirtit, një dëshirë e fortë, apo një ide e gabuar që depërton në mendje kur njeriu shkëputet nga mjedisi këshillues dhe kalon në një mjedis që vetëm e lavdëron dhe nuk e korrigjon.
Armiku në jetë rrallëherë vjen hapur. Ai pret që të largohesh, të dobësohesh, të heqësh dorë nga mbështetja jote, e pastaj sulmon.
Këtu shfaqet madhështia e këtij hadithi: ai është paralajmërim për ujkun që pret rastin, por në thelb është paralajmërim për vetminë që ia hap derën ujkut.
Edhe ujku e di se ideja e mirë nuk mbijeton kur mbështetësit e saj e braktisin; atëherë ajo bëhet e ekspozuar ndaj shtrembërimit dhe shkatërrimit.
Edhe komuniteti i mirë, kur përçahet, bëhet pre e ujqve të epsheve, interesave dhe përçarjes së radhëve.
Ky hadith, në thellësinë e tij, është një thirrje për njerëzit e mençur:
Të qëndrojnë të lidhur me një mjedis që u jep qetësi mendore, metodologjike dhe besimore, sepse aty gjendet forca, bekimi dhe siguria e tyre.
Nëse je i mençur, ndalu dhe mendo:
Ku qëndron ti në raport me komunitetin që të mbron?
Dhe pyete veten: cili është ujku që po të pret?
Skema e këtij teksti
“Ujku ha vetëm delen që është larguar nga tufa”
Një ligj i jetës që përsëritet në çdo kohë; vlen për individët, shoqëritë dhe idetë.
1. Bashkësia dhe mbrojtja
Fortesa e sigurisë dhe fuqia e qëndrueshmërisë
Mjedisi i shëndoshë dhe i besimit:
* Jep qetësi, siguri dhe bindje.
* Shoqëria e mirë ndihmon në të mirën dhe në qëndrueshmëri.
* Këshillimi dhe komunikimi sjellin mbikëqyrje, korrigjim dhe mbështetje.
* Bashkimi i radhëve dhe uniteti i fjalës shpërndajnë forcat dhe rrisin aftësinë për përballje.
Mesazhi:
Bashkësia është forcë dhe uniteti është mbrojtje.
1. Vetmia dhe largimi
Fillimi i rrezikut
Kur njeriu:
* Shkëputet nga grupi dhe mjedisi i mirë.
* Humb zakonin e vetëllogaritjes dhe reflektimit.
* Mbështetet vetëm në mendimin e vet.
* Largohet nga njerëzit e këshillës dhe konsultimit.
* Kalon në një mjedis lajkatues që nuk e korrigjon.
Përfundimi:
Largimi e afron rrezikun, ndërsa vetmia e dobëson mbrojtjen.
1. Ujku që pret
Në forma të ndryshme
“Ujku” mund të jetë:
* Mendjemadhësia e fshehtë.
* Vetëpëlqimi dhe fryrja e egos.
* Dashuria për famë dhe dëshira për t’u dalluar.
* Dëshira për udhëheqje pas arritjeve.
* Epshet e forta.
* Dyshimet e maskuara.
* Pëshpëritjet e fshehta të vetes.
* Një ide e gabuar që depërton në mendje.
1. Sulmi dhe pasojat
Pasojat e largimit dhe përçarjes
* Rënia e individit në fatkeqësi dhe humbje.
* Shtrembërimi i idesë së drejtë dhe shkatërrimi i saj.
* Dobësimi i grupit dhe shpërbërja e radhëve.
* Bërja pre e interesave dhe epsheve.
* Humbja e sigurisë, bindjes dhe qetësisë.
Ujku nuk sulmon tufën; ai sulmon delen e vetmuar.
Mësimi kryesor
Armiku në jetë zakonisht nuk vjen hapur. Ai pret:
* Të largohesh,
* Të dobësohesh,
* Të humbësh mbështetjen tënde,
dhe pastaj sulmon.
Prandaj, mbaju fort pas një mjedisi që të jep qetësi mendore, metodologjike dhe fetare, sepse aty gjendet forca, bereqeti dhe siguria jote.
Nëse je i mençur, mendo:
* Cili është grupi ose mjedisi i shëndoshë që të mbron?
* Cili është “ujku” që po të pret?
Allahu ka urtësi të pafundme në krijimin e Tij.
Hasan Abbas
Zgjodhi dhe Përktheu: Bekir Halimi
