9.6 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Ebu Ubejde bin Xherrah (r.a.), njeriu me zemër të pastër

Më të lexuarat

Ebu Ubejde (radijallahu anh) jetoi një jetë që i shkonte për shtat shokëve të Profetit (alejhi selam). Një ditë kur Omeri (r.a.) bëri një vizitë në Damask gjatë kalifatit të tij, u mirëprit nga komandantët e ushtrive. Mirëpo, Hazreti Omeri (r.a.) nuk mund të rrinte pa vizituar mikun e tij të dashur Ebu Ubejden (r.a.). Pasi u takuan dhe u përqafuan, Ebu Ubejde (r.a.) e ftoi kalifin në çadrën e tij. Kur Omeri (radijallahu anh) mbërriti në çadrën e tij, ai nuk mundi t’i përmbante lotët kundrejt asaj që pa. Pasi në çadrën e komandantit të madh Ebu Ubejde (r.a.), nuk mund të shihte gjë tjetër veçse një shpatë, një mburojë, një shtizë, një tas me ujë, një pjatë për ushqim dhe një ibrik për ujë: Omeri (r.a.) nuk duroi dot dhe e pyeti:

“Miku im i dashur! A nuk ke fituar gjë gjatë kësaj kohe, a nuk ke diçka, të paktën sa shokët e tjerë?”.

Ai ja ktheu: “O Prijësi i besimtarëve! Këto janë mëse të mjaftueshme për ne.”

Omeri (r.a.) shpërtheu në lot dhe tha këto fjalë me vështirësi: “O Ebu Ubejde! Bota na ka ndryshuar të gjithëve nga pak. Por unë shoh se ajo nuk të paska ndryshuar ty aspak!”

Po, bota i kishte kapur dhe ndryshuar të gjithë nga pak, por kurrsesi nuk mundi të ndryshojë atë! Ebu Ubejde bin Xherrah (r.a.) ishte një nga ata njerëz të rrallë, të cilëve bota nuk mundi t’i tërhiqte në grackën e saj. Edhe pse ishte komandant i përgjithshëm, ai mbante të njëjtat rroba si ushtarët nën komandën e tij. Ai kurrë nuk dilte para ushtarëve të tij me rroba të ndryshme. Çfarëdo që ata hanin dhe pinin, ai hëngri dhe piu të njëjtat gjëra bashkë më ata.

Në rajonin e Damaskut, kishte filluar epidemia e madhe e murtajës së Amvasit. Murtaja dukej se do të vazhdonte të përhapej. Kur Omeri (r.a.) e kuptoi seriozitetin e epidemisë edhe pse ishte kthyer në Medinë me shoqëruesit e tij, përsëri mendjen e kishte akoma te shoku i tij i dashur, Ebu Ubejde (r.a.) dhe i duhej të bënte gjithçka që mundej për ta larguar atë që andej para se të sëmurej. Kështu që i shkroi një letër ku thuhej: “Paqja qoftë mbi ty, o Ebu Ubejde! Kam shumë nevojë për ty tani. Unë do të doja të diskutoja dhe të konsultohesha me ty për një çështje të rëndësishme. Sapo të marrësh letrën time, nisu menjëherë”.

Ebu Ubejde (r.a.) e kuptoi qëllimin e kalifit. Ishte e qartë se ai donte ta largonte nga zona e rrezikut në një vend të sigurt. Megjithatë, Ebu Ubejde (r.a.) nuk mund të linte ushtarët e tij dhe të largohej prej andej. Ai i shkroi një përgjigje kalifit ku thuhej: “Paqja qoftë mbi ty, o Kalif i besimtarëve! Unë e di pse më kërkon. Unë jam komandanti i ushtrive islame. Unë nuk mund t’i braktis ato dhe të mendoj për veten mbi to. Caktimi i Zotit nuk ndryshon. Nëse vdekja ime është e caktuar, unë do të vdes kudo që të ndodhem. Unë nuk mund të largohem nga shokët dhe të shkoj i vetëm në një vend të sigurt. Kur letra ime të arrijë tek ju, të ma bëni hallall dhe të më lini të qëndroj këtu.”

Para murtajës së Amvasit, numri i ushtarëve të Ebu Ubejdes (r.a.) ishte rreth 36 mijë. Murtaja po përhapej aq shpejt sa brenda pak javësh, numri i ushtarëve kishte rënë në 6,000. Mijëra ushtarë, përfshirë edhe komandantin Ebu Ubejde (r.a.) humbën jetën në epidemi. Kur Ebu Ubejde (r.a.) u sëmur dhe po priste vdekjen, Muadh bin Xhebel (r.a.) filloi të drejtonte faljen e namazit në vend të tij. Ditën e vdekjes së tij, Muadhi (r.a.) u ngjit në minber dhe tha:

“O njerëz! Dijeni që keni humbur një njeri të madh. Unë nuk mendoj se keni parë ndonjëherë një njeri të tillë si komandanti juaj Ebu Ubejde në mesin e robërve të Allahut. Ai ishte shumë i pastër në zemër. Nuk do të mbante mëri. Kurrë nuk ushqeu keqdashje ndaj askujt në zemrën e tij. Ai ishte një monument i modestisë dhe moralit. Ai gjithmonë u jepte këshilla të bukura njerëzve. Allahu e mëshiroftë. Amin!”

Redaksia

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit