Nga jeta e hershme e Shejhul-Islamit dalin disa shenja të qarta të zgjuarsisë dhe pjekurisë së tij të parakohshme:
– Debatonte dhe sillte argumente edhe para se të arrinte moshën e pjekurisë.
– Filloi të jepte fetva në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç, në vitin 677 h.
– Filloi të japë mësim në moshën njëzet e një vjeç, në vitin 681 h., pas vdekjes së babait të tij, në Medresenë Sukerije. Më pas mori drejtimin e saj ditën e hënë, më 2 Muharrem të vitit 683 h.
– Filloi ligjëratat e tefsirit në Xhaminë Emevite të Damaskut më 10 Safar të vitit 691 h., kur ishte tridhjetë vjeç, dhe vazhdoi me këto ligjërata për shumë vite.
– E kreu haxhin vetëm një herë, në vitin 692 h., kur ishte 31 vjeç. Pas kthimit nga haxhi, autoriteti në dije dhe në fe iu pranua atij gjerësisht.
– Ai përhapi dijen në shumë vende: në Damask, në Egjipt, në Kajro dhe në Aleksandri, madje edhe në burgjet e tyre. Gjatë udhëtimit të tij për në Egjipt kaloi në Gazë, ku mbajti një mexhlis të madh dijetarësh në xhaminë e saj, dhe ajo ditë u bë një ngjarje e njohur dhe e dëshmuar nga shumë njerëz.
– Ligjëroi në Medresenë Hanbelite ditën e mërkurë, më 17 Shaban të vitit 695 h.
– Udhëtimi i tij i parë në Egjipt (në Kajro dhe Aleksandri) ndodhi dy herë në vitin 700 h. Pastaj u kthye në Damask, dhe më pas u rikthye në Egjipt në vitin 705 h.
Qëndrimi i tij atje zgjati rreth shtatë vjet e shtatë xhuma, deri në vitin 712 h., dhe shumicën e kësaj kohe e kaloi duke u transferuar mes burgjeve të Kajros dhe Aleksandrisë.
– Filloi të shkruajë libra në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç.
Këto janë disa nga fillimet e hershme që tregojnë qartë zgjuarsinë e tij të jashtëzakonshme dhe përgatitjen e tij për ixhtihad, ripërtëritje dhe udhëheqje në dije dhe në fe.
Shih: Medahil Shejhul-Islam Ibn Tejmije, faqe 19, të Bekr ibn Ebu Zejd.
Përktheu: Fitim Gërguri.
