Dijetarët kanë theksuar se festimi i lindjes së Profetit ﷺ në formën që është përhapur ndër njerëz nuk bën pjesë te praktikat e para të fesë, por është një shpikje e vonë. Në gjuhën e fesë kjo quhet bidat, vepër e cila nuk ka mbështetje në Kuran as në Sunet. Çdo bidat, thotë Profeti ﷺ, është një devijim nga rruga e drejtë dhe përfundon në zjarr.
Imam Ebu Ishak Esh-Shatibiu (Allahu e mëshiroftë), ndër dijetarët e mëdhenj të Andaluzisë, usulist i njohur, ka thënë:
“Dihet qartë se organizimi i mevludit, sipas formës së përhapur mes njerëzve, është një bidat i shpikur. Dhe çdo bidat është humbje.”
Burimi: El-Fetava, fq. 203
(Shatibiu, vdiq në vitin 790 h / 1388 e.r.)
Dashuria e vërtetë për Profetin ﷺ
Imam Muhamed el-Beshir el-Ibrahimi (Allahu e mëshiroftë), një ndër dijetarët e shquar të algjerisë të shekullit të kaluar, theksonte se dashuria e sinqertë për të Dërguarin e Allahut ﷺ nuk qëndron në shpikje e risi fetare, por në ndjekjen e rrugës së tij. Ai thoshte:
“Dashuria e drejtë për Muhamedin ﷺ është ajo që e ruan njeriun nga bidati dhe e shtyn drejt pasimit të shembullit të saktë. Kështu ka qenë gjendja e selefit (brezave të parë): ata e donin të Dërguarin, ndiqnin Sunetin e tij, ruanin fenë dhe udhëzimin e tij. Ndërsa ata që shpikën festimin e mevludit, harxhojnë pasuri të mëdha në të, edhe pse sikur këto shpenzime të përdoreshin për të mirën e përgjithshme, madje edhe vetëm një pjesë e vogël e asaj që harxhohet në mevlude do të sillte dobi të madhe — por në këtë rast nga harxhimi i atyre pareve në mevlude nuk vjen asnjë e mirë.”
Burimi: Athar, 2/341
Imam Muhamed Beshir El-Ibrahimij ka lindur më 13 qershor të vitit 1889 dhe ka vdekur më 20 maj të vitit 1965 në arest shtëpiak.
Bekir Halimi
