17.7 C
Pristina
Thursday, May 9, 2024

Dorëheqja e tre policëve të rinj serbë, reagimet e vendorëve dhe ndërkombëtarëve

Më të lexuarat

Të enjten u njoftua dorëheqja e tre policëve të rinj serbë të rekrutuar së fundi, gjersa pas dorëheqjes së tyre pati reagime nga liderë shtetërorë dhe ambasadorë të huaj. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pasi tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serbë kanë dhënë dorëheqje, rreth një muaj nga fillimi i punës.

Ajo tha se dorëheqja e policëve nga komuniteti serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia.

“Dorëheqja e policëve nga komuniteti serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia. Kjo është një dëshmi se politikat e këtij shteti vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e Millosheviqit”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Presidentja është zotuar se shteti do të vazhdojë të sigurojë përfshirjen e të gjitha komuniteteve në të gjitha institucionet e Kosovës.

“Do ta bëjmë një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka shtuar Osmani.

Pietro Barbano përmes një postimi në X ka thënë se përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë.

“Jam duke parë me shqetësim dorëheqjet e fundit të tre anëtarëve të posa rekrutuar serbë të Kosovës, në Policinë e Kosovës (PK). EULEX-i po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese”, ka shkruar Barbano.

Shefi i EULEX-it po ashtu tha se: “anëtarët jo shumicë të PK-së mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes punës së tyre të orientuar nga komuniteti. Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet e PK-së që synojnë zhvillimin e policisë efektive, efikase, përfaqësuese dhe të përgjegjshme në fushëveprim më të gjerë të sundimit të ligjit”.

Për dorëheqjen e tre policëve serbë ka reaguar edhe ambasadori amerikan dhe ai gjerman.

Ambasadori Jeffrey Hovenier përmes një postimi në rrjetin social X ka shkruar se është duke i ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit.

Sipas tij, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikësime.

“Ndajmë plotësisht këto shqetësime dhe përsërisim përkushtimin tonë ndaj forcës policore multietnike të Kosovës. Siç e kam thënë shumë herë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikësime. Duke parë nga afër këto zhvillime”, ka shkruar Hovenier.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde në një postim në rrjetin social “X”, ish Twitter, ka thënë se një vend multietnik kërkon një polici multietnike.

Rohde shtoi se policët, pa dallim cilit grup etnik i përkasin duhe ta kryejnë detyrën pa frikë.

“Jam plotësisht dakord: një vend multietnik kërkon një polici multietnike. Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës – pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin – duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikësime”, shkroi ambasadori Rohde.


E akuza ndaj Beogradit për dorëheqjen e tre policëve ka bërë ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vicenzo Grasso.

Ai ka deklaruar se nuk është ndonjë befasi dhe se Serbia nuk i mbështet iniciativat që kanë për qëllim integrimin e serbëve në Kosovë. Madje ai thotë se Beogradi këtë e bën përmes Listës Serbe.

“Nuk është befasi! Beogradi, përmes Listës Serbe, gjithmonë e ka sabotuar çdo iniciativë që çon në integrimin e serbëve për zhvillimin e shoqërisë paqësore shumëkombëshe në Kosovë. Ata e kanë bërë këtë gjithmonë dhe ne e kemi toleruar gjithmonë pa e kundërshtuar fort këtë sjellje”, ka thënë Grasso.

Grasso këtë koment e bëri në postimin e shefit të EULEX-it, Giovanni Barbano, në Twitter, i cili tha se misioni që ai drejton po i ndjek nga afër zhvillimet e fundit me dorëheqjet e serbëve nga Policia e Kosovës, të cilat i quajti shqetësuese. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit