22.5 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Diktaturat mbijetojnë, pasi shumica e njerëzve nuk janë të gatshëm të paguajnë një çmim të lartë për rrëzimin e tyre

Më të lexuarat

Nga Anne Applebaum, The Atlantic

Kur më 17 janar të këtij viti, Alexei Navalny i hipi avionit që po shkonte në Moskë, ai e shndërroi jetën e tij në një metaforë. Ai e dinte këtë gjë, gruaja e tij por edhe gjithë të tjerët në atë avion gjithashtu.

E dinin edhe miliona njerëz që i kishin parë videot e tij në You Tube, që kishin parë intervistat e tij të forta që ai dha në avion për gazetarët e shumtë,si dhe ata të cilët që prej asaj kohe u janë bashkuar protestave në emër të tij.

Po kështu bënë edhe udhëheqësit e Rusisë, përfshirë diktatorin dhe njëherazi presidentin e vendit, Vladimir Putin. Navalny po u tregonte të gjithëve se çfarë do të thotë të jesh një njeri i guximshëm. Navalny është lideri më i rëndësishëm i opozitës ruse, dhe ai po kthehej në shtëpi nga Berlini ku kishte kaluar shumë javë në një spital, pas përpjekjes së dytë apo ndoshta të tretë për vrasjen e tij. Ai i mbijetoi atentatit vetëm sepse një OJQ gjermane dërgoi në Omsk një avion enkas për ta nxjerrë atë nga Rusia, sepse agjenti nervor Noviçok i përdorur për ta helmuar nuk të vret gjithmonë menjëherë, dhe sepse spitali rus kishte rënë dakord qëta lejonte të ikte, ndoshta me supozimin se ai nuk do të kthehej më gjallë.

Njëri prej mjekëve që i dhanë ndihmën e parë në atë spital, ka vdekur në rrethana të çuditshme, teksa një zyrtar i spitalit që refuzoi të pranonte tezën e helmimit të Navalny, është graduar në postin e ministrit rajonal të Shëndetësisë.

Papritur, Navalny u shërua. Jo vetëm që u shërua, por ishte në gjendje të realizonte një tjetër video investigative që e bëri të famshëm atë dhe ekipin e tij të ekspertëve. Ai ka shënjestruar shpesh anëtarët e elitës ruse, duke hedhur dritë mbi rrjetet e tyre të korrupsionit, duke u tallur me paratë dhe stilin e tyre të jetesës.

Në janar ai shënjestroi vetë Putinin, duke zbuluar detajet e pallatit luksoz të diktatorit në Detin e Zi. Video u postua në Yotube në kohën që Navalny po rikthehej në Rusi, ku sapo zbriti në aeroport u arrestua nga policia. Ai iu nënshtrua një“gjyqi” kaq qesharak, saqë ai u tall me gjyqtaren duke i thënë asaj se duhej të ndiqte më shumë kurse për jurisprudencë.

Videoja investiguese qarkullon ende edhe tani që Navalny ndodhet në spitalin e burgut, ku mund të jetë sërish afër vdekjes. Deri tani ajo është parë mbi 116 milion herë.

Nuk ka asgjë sekrete në helmimin, gjyqin farsë apo trajtimin mizor të Navalny në burg. Ashtu si përpjekjet e shumta për ta vrarë atë, këto gjëra po luhen para syve të publikut, pikërisht që t’i shohin që të gjithë.

Dhe ndërkohë prokurorët rusë po synojnë të nxjerrin jashtë ligjit organizatat që drejton Navalny, me arsyetimin se investigimet dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve janë “veprime ekstremiste”. Përpjekja e hapur e Putinit për të shkatërruar një kundërshtar politik e ka një logjikë të sajën:Nëse Navalny po u tregon bashkatdhetarëve të tij se si të jenë të guximshëm, Putin dëshiron t’u tregojë atyre se guximi është i padobishëm.

Kjo lloj sjelljeje nuk është e re:Një logjikë e ngjashme qëndronte edhe tek pushtimi që Putini i bëri Ukrainës fqinje në vitin 2014, dhe aneksimit të mëvonshëm të gadishullit të Krimesë, apo në vazhdimin e një lufte të nivelit të ulët që ndodh ende në Ukrainën Lindore.

Këto veprime agresive ushtarake pasuan një seri protestash pro-demokracisë, anti-korrupsion, të cilat e detyruan të largohej presidentin diktator të Ukrainës dhe pro-Moskës, Victor Janukovich. Reagimi i Putinit ishte pjesë e nacionalizmit të modës së vjetër – ukrainasit kishin minuar vizionin e tij për një perandori të re ruse – dhe pjesë e politikës së brendshme. Ai synonte t’u tregonte jo vetëm ukrainasve por sidomos rusëve se demokracia çon në dhunë, se protestat anti-korrupsion do të shtypen, dhe mbi të gjitha, se guximi është i padobishëm.

Në fakt, sapo ta kuptoni këtë logjikë, sapo të kuptoni se shqetësimi kryesor i Putinit është mbijetesa e tij në pushtet, shumë nga veprimeve të tij përndryshe të pashpjegueshme, duket se kanë një lloj kuptimi. Ato na ndihmojnë të kuptojmë se pse ai po kërkon të çmontojë atë ë mbetet nga media e pavarur në Rusi, përfshirë vendimin e tij për të penguar punën e gazetarëve të Radios Evropa e Lirë.

Media e mbështetur nga fondet amerikane, por editorialisht e pavarur nga qeveria amerikane, ka funksionuar në Rusi për 30 vjet, që kur Boris Jeltsin i ftoi reporterët e saj pas shembjes së Bashkimit Sovjetik. Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, ishin në terren gjatë demonstratave në Bjellorusi verën e kaluar, ishin me Navalny në udhëtimin e tij të fundit për në Moskë, dhe kanë mbuluar çdo aspekt të gjykimit dhe burgimit të tij.

Nevoja për ruajtjen e regjimit, ndihmon në shpjegimin e arsyes së përse trupat dhe tanket ruse janë mbledhur prej disa javësh rreth kufijve të Ukrainës (edhe pse të enjten u njoftua fillimi i tërheqjes së tyre).

Ekspertët e Rusisë në të dyja anët e Atlantikut, për të mos përmendur ekspertët brenda vetë Rusisë, nuk mendojnë se këto lëvizje në kufi paralajmërojnë një pushtim të afërt të Ukrainës. Shumica mendojnë se Putini po luan thjesht një lojë, për t’u provuar ukrainasve dhe të gjithë të tjerëve se nëse do,ai mund të kryejë një tjetër pushtim të përgjakshëm.

Nëse Navalny vdes, dhe nëse rusët rifillojnë protesta masive – një protestë spontane u organizua këtë javë në Moskë – Putinit mund t’i duhet një luftë për t’i shpërqendruar ata. Dhe ai mund ta dëshirojë një luftë në Ukrainë, për t’i provuar publikut rus se sa pak shqetësohet ai nga ajo se çfarë mendojnë amerikanët. Përndryshe, ai thjesht mund të dëshirojë të provokojë presidentin amerikan Joe Biden, pavarësisht se çfarë ndodh me Navalny.

Ekipi i Biden nuk e ka bërë ende të qartë se si do të reagonte, përtej vendosjes së më shumë saksioneve ndaj Moskës.

Deri më tani, personi i vetëm që ka një strategji koherente për t’u përballur me Putinin është Navalny. Ai e përshkroi atë në një shënim të shkruar me dorë që ia dërgoi Yevgenia Albats, një gazetare dhe mike e tij. “Gjithçka do të jetë në rregull. Por edhe nëse nuk do të jetë kështu, do të kemi ngushëllimin që kemi jetuar jetë të ndershme”.

Ai u ka treguar tashmë bashkatdhetarëve të tij, se është e mundur të jetohet një jetë e ndershme në një sistem të pandershëm politik. Është një ftesë që të tjerët të ndjekin shembullin e tij. Diktaturat mbijetojnë, pasi shumica e njerëzve nuk janë të gatshëm të paguajnë një çmim kaq të lartë.

/abcnews.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit