14.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Dija e njeriut

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Dija e njeriut

Ajo vajti tek një parukeri që të rregullohej pasi do të shkonte në një dasëm. Për shkak se nuk biseduan fare për pazarin në fillim, kur parukierja i tregoi shumën që i detyrohej për shërbin, klientja u shtang. Edhe pse e pagoi, ndjeu se ishte mashtruar, gjë e cila ia humbi dhe shijen e ceremonisë së dasmës.
Ai kërkoi një hidraulik që ti bëjë ca punime në shtëpi. Edhe pse i vinte zor, e pyeti paraprakisht sa i kushtonte haku, por hidrauliku ia ktheu gjithë sportivitet se:
”Nuk do të prishemi!”
Pasi bëri punimet dhe erdhi çasti të marrë hakun e tij, i zoti i shtëpisë mbeti gojëhapur kur hidrauliku pa iu dridhur qerpiku i kërkoi një shumë të madhe, tre fishin e shumës që priste. Nuk lanë llaf pa i thënë njëri-tjetrit dhe u ndanë me britma, ulërima dhe ofendime!
Ku mund të ketë ndodhur kjo?
Kultura e një vendi mund të identifikohet kollaj nga mënyra si reagon ndaj gjërave të vogla, të cilat janë të përditshme.
Një fjalë e urtë arabe thotë:”Një marrëdhënie që bazohet në kritere të qarta, përfundon me selamet (paqe).”
Kjo paqe mungon fillimisht tek marrëdhënia mes babait dhe djalit, mes fqinjit dhe fqinjit, mes burrit dhe gruas, mes presidentit dhe masave. I fuqishmi të imponon kushtet e tij në një marrëdhënie të paqartë.
Qartësia në perëndim ka përfshirë edhe sferën e marrëdhënieve më të ngushta, edhe gabimet dhe skandalet të cilat transmetohen për publikun në tv duke shkatërruar marrëdhëniet dhe familjet. Edhe gjërat më të rënda, krimet, vjedhjet dhe histori nga më të çuditshmet, trajtohen në ditën me diell.
Njeriu në gadishullin arabik jeton mes kamxhikut të tre brinjëve:
Pushteti politik.
Pushteti fetar.
Pushteti familjar.
Themelimi i shtetit dhe natyra e tyre historike, e kanë bërë fenë si bazë të jetës dhe të ligjeve, ku janë ndërthurur vlerat me natyrën sociale. Që këtu, ka ndodhur një përzierje dhe pështjellim mes fesë dhe zakoneve nga njëra anë, dhe mes modernizmit dhe perëndimorizimit nga ana tjetër.
Kështu, përdorimi politik, social dhe organizativ, bëhet shkak për vazhdimin e prapambetjes.
Ta shohësh shoqërinë si një gjë unike, është e gabuar, duhet një ndarje e vetëdijshme dhe afatgjatë.
Është defekt i madh të lejohet kushdo që të ndërhyjë në sistemin moral, karshi atij të pengimit të çdokujt që të ndërhyjë në politikë.
Transformimet ndërkombëtare nuk përjashtojnë askënd, i mençur dhe finok është ai që zgjedh, përpiqet dhe planifikon.
Antropologjia është shkenca që merret me krahasimin mes kulturave, racave dhe tribuve njerëzore, pra është shkenca e njeriut. Herët, Amr ibnul As, pati thënë për perëndimorët se kanë pesë tipare:” Ata janë njerëzit më të matur në kohë trazirash, e marrin veten shumë shpejt pas fatkeqësisë, kanë gatishmërinë më të madhe për kundërsulm pas tërheqjes, janë njerëzit më mbështetës për të vobektët dhe jetimët dhe kanë imunitet ndaj padrejtësisë së mbretërve.”
 Ky është një lexim objektiv i zakoneve dhe traditave të popujve të tjerë.
Sakaq, në shoqëritë tona, krahasimet bëhen për të treguar superioritetin tonë, krahasojmë më të keqen e tyre me më të mirën tonë, ose vendosim gjendjen aktuale të tyre në njërën anë të peshores kurse historinë tonë të lavdishme në anën tjetër.
Krahasimi mund të jetë edhe si rezultat i një vizite turistike kalimtare, apo biznesi në të cilin njeriu nuk ka mësuar shumë gjëra. Mund të fshihemi edhe pas sheriatit, sikur duam të themi se gjithçka që kemi është e ligjshme dhe gjithçka që ka tjetri është e paligjshme dhe e dënueshme.
Lidhjet dhe komunikimi është një parim i bukur, gjë e cila e forcon personalitetin, rrënjos identitetin dhe ndihmon për më shumë sukses.
Shkrirja dhe asimilimi i individit në shoqëri është diçka ndryshe nga identiteti dhe krenaria. Origjina e lavdishme s’ka përse të pengojë korrigjimin dhe trajtimin e shtesave të dëmshme. Mbrojtja e identitetit nuk e pengon përfitimin e pjesshëm nga modelet e të tjerëve dhe përvojat e tyre.
Marrëdhëniet sociale në vendet arabe, e mbështesin njeriun e afërt në kuadër të bashkëpunimit, ndonjëri prej tyre mund të marrë edhe borxh për një dhuratë martesore apo lindje tek një i afërm. Pjesëmarrja në gosti dhe sebepe shihet si detyrë familjare.
Sakaq, ata marrin borxh nga banka dhe nuk shkojnë tek miku dhe nuk i pranojnë ngushëllimet, me qëllim që të mos u bësh një të mirë për të cilën do ti duhet të ta kthejë.
Të bukura janë zakonet e nderit dhe turpit, respektit të më të madhit dhe më të dobëtit, respekti i fqinjit dhe i farefisit, trimëria dhe respektimi i ritualeve fetare si namazi, haxhi, agjërimi.
Ne kemi virtyte sociale të cilat rrisin bashkëpunimin në kufijtë e dinjitetit, kurse ata kanë institucione shërbimi të organizuara të cilat e kryejnë këtë mision ndaj njerëzve në mënyrë të barabartë.
Suksesi tregtar dhe administrativ, në botën arabe i nënshtrohet lavdisë familjare, mbështetjes së fortë të farefisit, monopolizimit të shanseve, dobisë së njerëzve të njohur. Organizohen konkurse, përfundimi i të  cilave dihet paraprakisht. Ky është ligji “A njeh ndokënd?” i cili është ligji i parë i suksesit.
Sakaq, atje, sukseset nisin nga zeroja dhe bazohen tek aftësia dhe përpjekjet individuale, mbështetja tek forcat e veta. Një qytetar me origjinë afrikane, mund të arrijë gjer në presidencën e vendit.
Kontrolli ndaj veshjes, studimeve, martesës, punës… i ul shanset për të folur për veten dhe redukton alternativat. Sakaq, liria absolute e adoleshentit në perëndim, prodhon një pavarësi të tepërt dhe shthurje.
 
Përktheu: Elmaz Fida
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit