6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Deri në çfarë distance i obligohet muslimanit falja e namazit me xhemat, në xhami?

Më të lexuarat

Pyetja:

Deri në çfarë distance i obligohet muslimanit falja e namazit me xhemat, në xhami?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, përshëndetjet lëvdatat të Dërguarit të Tij. Dihet fare mirë se namazi është shtylla e dytë e Islamit. Ai është e vetmja shtyllë që duhet të kryhet çdo ditë, madje pesë herë në ditë. Kjo për shkak të rëndësisë që e ka në jetën e besimtarit dhe pozitës së lartë tek Allahu. Allahu i Lartësuar, përveç që kërkoi nga besimtarët faljen e namazit, Ai këtë adhurim e kërkoi në formë të caktuar, ku tha: “Falni namazin, jepni zekatin dhe bëmi ruku (përuluni në namaz) me ata që bëjnë ruku“. (Bekare: 43) Që i bie se urdhëri për të bërë ruku njëkohësisht me ata që bëjnë ruku gjatë namazit, nënkupton faljen e namazit me xhematë. Duke u nisur nga ky parim, i Dërguari i Allahut ﷺ ndër punët e para që i bëri posa u shpërngul në Medine, ndërtoi xhaminë, që besimtarët të falen në të, njëherit urdhëroi që namazi të falet në xhami dhe i kërcënoi ata që mungonin pa arsye nga namazi në xhami me të Dërguarin ﷺ. Duke u nisur nga kjo praktikë e të Dërguarit ﷺ , dijetarët porositën që namazi të falet nëpër xhami dhe në xhemate, porse nuk u pajtuan rreth dispozitës së faljes së namazit në xhami, andaj edhe dhanë kryesisht tri mendime: Mendimi i parë: Namazi në xhematë (gjegjësisht në xhami) është obligim (vaxhib) për çdo besimtar meshkull, që nuk është udhëtar, i shëndoshë dhe nuk ka frikë nga ndokush gjatë shkuarjes në xhami.
Mendimi i dytë: Namazi në xhematë (gjegjësisht në xhami) është obligim kolektiv (vaxhib kifaje) për shoqëritë muslimanë, që nëse disa prej tyre e falin në xhami, të tjerët lirohen nga mëkati i mosfaljes në xhami.
Mendimi i tretë: Namazi në xhematë (gjegjësisht në xhami) është sunet i fortë (muekkede) për çdo besimtar meshkull, që nuk është udhëtar, i shëndoshë dhe nuk ka frikë nga ndokush gjatë shkuarjes në xhami. Këtu nuk është vendi i renditjes së argumenteve për secilin mendim, porse ajo që kuptohet nga tërësia e argumenteve që flasin në lidhje me këtë temë, rezulton se mendimi i parë është më i argumentuari dhe më gjithpërfshirës në të vepruar me të gjitha argumentet. Përderisa themi se namazi me xhamatë ose në xhami qenka obligim për kategorinë e lartëcekur, atëherë deri në çfarë distance nga xhamia besimtari obligohet t’i përgjigjet ezanit për namaz në xhami? Pothuajse të gjithë dijetarët unanimisht thonë që kjo distancë përkufizohet me të dëgjuarit e ezanit të xhamisë, pra ai besimtar që i plotëson kushtet për obligueshmëri të faljes së namazit në xhami, e dëgjon ezanin, duhet t’i përgjigjet ezanit dhe të shkojë në xhami për ta falur namazin. Vlen të theksohet se dëgjueshmëria e ezanit këtu kushtëzohet të jetë pa zmadhues të zërit që përdoren sot, pra nga zëri normal i njeriut, aq sa dëgjohet në situata qetësie ku nuk ka zhurma dhe pengesa të tjera për depërtimin e zërit. Allahu e di më së miri.

Hoxhë dr. Rasim Haxha

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit