4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Ç’fat do kenë azovasit e dalë nga Azovstali?

Më të lexuarat

Sinjale të një pabesie ruse ardhur nga politika

Për javë të tëra, të gjitha lajmet për mbrojtësit e fundit ukrainas në Mariupol, të ngujuar në një rrjet tunelesh dhe bunkerësh nën fabrikën e madhe të çelikut Azovstal, bënë xhiron e botës.

Sado e vështirë të ishte marrja e informacionit të saktë dhe të verifikueshëm për situatën në kalanë e fundit, u bë gjithnjë e më e qartë se ushtarëve dhe civilëve po u mungonin ushqimi, uji dhe ilaçet për të plagosurit dhe të cilat kërcënoheshin nga uria, etja dhe lëndimet.

Evakuimi i qindra civilëve më në fund u krye në fillim të këtij muaji, me ndihmën e Kryqit të Kuq dhe Kombeve të Bashkuara. Fati i disa qindra të plagosurve dhe akoma më shumë ushtarëve të tjerë, megjithatë, mbeti i pasigurt.

Luftëtarët ukrainas refuzuan të dorëzoheshin dhe të besonin në fjalën e regjimit rus, i cili u premtoi atyre se do t’u kursehej jeta dhe se do të trajtoheshin në përputhje me konventat ndërkombëtare për robërit e luftës.

Dhe pastaj dje pati një kthesë që pak e kishin shpresuar. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi papritur se ka nisur evakuimi i ushtarëve të plagosur ukrainas nga Azovstali, i rënë dakord më parë mes palëve ukrainase dhe ruse, duke i çuar në spitalin e Novoazovskut. Është ky një qytet në territorin e Republikës Popullore të Donetskut, një parashtet i vetëshpallur separatist në Ukrainën lindore që njihet vetëm nga Rusia.

Komandanti i njësisë Azov, Denis Prokopenko postoi një deklaratë për shtyp përmes Twitter, duke shkruar:

“Mbrojtësit e Mariupolit e zbatuan urdhrin, me gjithë vështirësitë. Ata përballuan forcat superiore të armikut për 82 ditë dhe lejuan ushtrinë ukrainase të rigrupohej, të ketë dhe më shumë njerëz dhe të merrte një numër të madh armësh nga vendet partnere. Asnjë armë nuk do të funksionojë pa ushtarë profesionistë, duke i bërë ata elementin më të vlefshëm të ushtrisë. Për të shpëtuar jetë, i gjithë garnizoni ‘Mariupol’ po zbaton vendimin e Komandës së Lartë Ushtarake dhe shpreson në mbështetjen e popullit ukrainas”, shkroi Prokopenko, duke sqaruar se vendimi për t’i dhënë fund rezistencës së mëtejshme të armatosur ishte rënë dakord me krye të ushtrisë ukrainase.

Por politikanët rusë tani flasin për dënim me vdekje, jo shkëmbim me “nazistët”

Edhe pse autoritetet ukrainase, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, pretendojnë se të gjithë luftëtarët e Azovstalit do të shkëmbehen me ushtarë rusë të kapur rob, deklaratat e palës ruse ngriti dyshimet nëse marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve të kërkuar nga autoritetet ukrainase do të respektohet. Sugjerimi më i fortë se rusët nuk kanë ndërmend të kursejnë dhe të kthejnë mbrojtësit ukrainas erdhi nga përfaqësuesit e Dumës ruse, të cilët kërkuan që shkëmbimi i ushtarëve nga Azovstal të ndalohej ligjërisht.

Një nga deputetët që mori pjesë edhe në negociatat me Ukrainën, Leonid Slutsky, tha se Rusia duhet të konsiderojë dënimin me vdekje për “nacionalistët” nga Azov, duke shtuar se “ata nuk meritojnë të jetojnë”.

“Kriminelët nazistë nuk duhet të jenë objekt shkëmbimi. Në vendin tonë, ata që udorëzuan ose u kapën, trajtohen në mënyrë njerëzore. Por për sa i përket nazistëve, qëndrimi ynë duhet të mbetet i pandryshuar – ata janë kriminelë lufte dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i sjellë ata para drejtësisë”, tha kryetari i Dumës Vyacheslav Volodin gjatë seancës plenare.

Pyetja e madhe tani është nëse luftëtarët ukrainas nga Azovstal do të kthehen përfundimisht në anën ukrainase.

Shumë dyshojnë se do të përfundojnë në një kamp rus ose separatist ose se do të torturohen dhe ekzekutohen pa vonesë.

Gjithsesi, pala ruse tani ka një zgjedhje: të respektojë marrëveshjen dhe të ruajë të paktën një minimum dinjiteti dhe humaniteti, pas të gjitha mizorive dhe krimeve të dukshme të luftës që forcat e saj kanë kryer tashmë, komentojnë kështu disa media. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit