23 C
Pristina
Sunday, May 19, 2024

Beteja për ruajtjen e fesë – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Projektet moderniste për ta zhbërë tërësisht fenë dhe zëvendësuar atë me ideologji laike, si ajo që bëri komunizmi, kanë dështuar në zbatimin e tyre. Por ndërkohë manipulimi e deformimi i fesë dhe futja e saj nëpër hulli që të shpien në të njëjtin përfundim, është gjithmonë i mundshme dhe nuk ka reshtur kurrë së vepruari dhe arritur qëllimit në komunitete të caktuara besimtarësh. Vërtetë besimin fetar është e pamundur ta zhdukësh, sepse ai lind natyrshëm me çdo qenie njerëzore, por është plotësisht e mundur ta deformosh dhe devijosh atë. Kjo është ajo që bëjnë në fakt me vetëdije ose jo edhe disa të ashtuquajtur lider fetar. Metamorfoza që pësojnë ca prej tyre është vërtetë e frikshme dhe tregon në thelb se njeriu është një qenie e dobët që mund të kalojë nga ekstremi në ekstrem dhe të pësojë transformime nga më të çuditshmet. Ndaj pagabueshmëria nuk është pronë e askujt prej njerëzve, përveç shpalljes hyjnore dhe njerëzve që e mbartin atë, që janë profetët. Për këtë dhe largimi nga mësimet e tyre, qoftë edhe përmes interpretimeve devijante, përbën një rrezik të përhershëm për besimtarët. Një nga këto rreziqe bashkëkohore është edhe interpretimi i fesë në mënyrë laiciste, duke e reduktuar atë vetëm në disa norma etike morale e adhurime rituale dhe duke e zhveshur atë nga doktrina e saj sociale. Kjo është sfida më e madhe me të cilën përballen sot besimtarët kudo në botë dhe muslimanët mes tyre.
I Dërguari i Allahut na ka paralajmëruar për të tillë njerëz duke thënë: “Për njëmend ata që i kam më frikë për umetin tim janë prijësit (imamët) që shpien në humbje (mudilin).” Dhe kjo tregon se ashtu si ndjekësit e feve të tjera devijuan ashtu edhe ndjekës të këtij umeti do të devijojnë. Por duke qenë se Islami është feja përfundimtare e njerëzimit dhe mbrojtjen e së vërtetës së saj e ka marrë në dorë vetë Krijuesi, atëherë Profeti i Tij në të njëjtën kohë ka garantuar duke thënë se: “Në umetin tim do të ketë përherë një palë ngadhënjyese me të vërtetën, ata nuk dëmtohen nga ata që i braktisin, derisa të vijë urdhri i Allahut.” (Ebu Daudi & Tirmidhiu) Kjo tregon se beteja jonë si muslimanë në epokën që jetojmë nuk është vetëm me armiqësitë e përhershme të besimit, por edhe me konceptet e gabuara dhe devijante që gëlojnë në mesin tonë përmes vetë besimtarëve, një nga më të rrezikshmet dhe alarmantet është edhe laicizimi i fesë.

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit