16.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

BE e gatshme të mirëpres Kurtin e Vuçiqin në takim: E rëndësishme në këtë fazë është ulja e tensioneve

Më të lexuarat

Bashkimi Evropian ka komentuar sërish situatën në veri të Kosovës, duke thënë se të dyja palët duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për shtensionim të situatës.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një konferencë të hënën.

Ai ka thënë se BE-ja është gjithmonë e gatshme që të mirëpres në takim të nivelit të lartë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.

“Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të mirëpresim në takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, kur kushtet të krijohen dhe kur ata të dy të pajtohen për diçka të tillë. Por në këtë fazë më e rëndësishmja është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkret”, ka deklaruar Stano.

Ai më tej shtoi se pikërisht për të ulur tensionet, sot dhe nesër në Prishtinë dhe Beograd do të jenë i dërguari i BE-së për dialogun, Mirolsav Lajçak dhe ai amerikan, Gabriel Escobar.

“Pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së Miroslav Lajçak. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, e Përfaqësuesi i Lartë do t’i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë” ka thënë Stano.

“Ata shkojnë për të vazhduar punën në zbatimin e thirrjeve evropiane dhe amerikane për Kosovën dhe Serbinë që të ulin menjëherë tensionet dhe të ndërmarrin hapa për zgjidhje të qëndrueshme. E platforma për këtë zgjidhje të qëndrueshme është gjithsesi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Escobar dhe Lajçak do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë. Ata do të priten sonte në orën 20:00 nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Telegrafi mëson se Escobar dhe Lajçak do të takohen edhe presidenten Vjosa Osmani. Takimi i tyre pritet të mbahet nesër në mëngjes.

Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ata po protestojnë për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit