8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Aplikimi i Kosovës në KiE, profesorët: Gjasat për anëtarësim janë reale – lufta në Ukrainë mund ta përshpejtojë procesin

Më të lexuarat

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka dorëzuar sot fizikisht aplikimin në këtë institucion.

E nga Këshilli i Evropës kanë konfirmuar për Telegrafin se tashmë kanë pranuar aplikimin e Kosovës.

Zëdhënësi i KiE-së, Daniel Holgten, përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se aplikimi është pranuar dhe i njëjti i dërgohet Komitetit të Ministrave.

“Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i dërgohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, ka deklaruar Holgten.

Zëdhënësi i Këshillit të Evropës, Daniel Holtgen

Gjasat që Kosova të marrë përgjigje pozitive për anëtarësim në këtë institucion janë reale dhe të pritshme sipas njohësve të integrimeve evropiane.

Emrush Ujkani, profesor i së drejtës evropiane, përmend tërheqjen e Rusisë nga ky mekanizëm dhe infrastrukturën ligjore e kushtetuese të Kosovës, si arsye që ndihmojnë në anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

“Gjasat që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës janë të mëdha, marrë parasysh tërheqjen e Rusisë nga ky mekanizëm, por ajo që është e rëndësishme është se Kosova ka një infrastrukturë të mirë ligjore dhe kushtetuese që e bën të jetë në linjë me standardet e Këshillit të Evropës, dhe shumica e vendeve anëtare e njohin Kosovën. Realisht në aspektin procedural nuk shoh ndonjë pengesë”, deklaroi Ujkani në një prononcim për Telegrafin.

Sa i përket kohëzgjatjes së procedurave, profesori tha se varion nga rasti në rast, pasi është më shumë çështje e brendshme e Këshillit.

“Nuk ka ndonjë periudhë strikte, por janë më shumë çështje brenda për brenda Këshillit. S’mund të them që do të ndodhë brenda vitit 2022. E rëndësishme është që Kosova ka aplikuar”, deklaroi ai.

Profesor Ujkani përmendi rastin e Armenisë, e cila ka shprehur interesim për anëtarësim në KiE në vitin 1996, por është anëtarësuar pas pesë vitesh. Megjithatë, tha se në rastin e Kosovës nuk beson që procedura do të zgjasë kaq shumë.

“Zgjatja e procesit varet nga të dyja palët. Është mirë që Kosova ka marrë masa për t’i zbatuar standardet e Këshillit të Evropës. Nga kjo perspektivë besoj që jemi shumë mirë”, shtoi ai.

Emrush Ujkani, profesor i së drejtës evropiane

Se Kosova do të anëtarësohet në këtë institucion optimist është edhe profesori tjetër i së drejtës evropiane, Avni Mazreku.

Kjo pasi siç thotë ai, shteti që ka kundërshtuar më së shumti, Rusia, është larguar nga ky mekanizëm.

Megjithatë, Mazreku është skeptik që kjo çështje do të marrë epilog gjatë këtij viti.

“Sa i përket procedurave, kjo varet kryesisht nga vullneti i shteteve. Që Kosova të anëtarësohet brenda vitit 2022 është e vështirë sepse është periudhë shumë e shkurtër. Duhet me pasur parasysh edhe Serbinë e cila edhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë ofensivë diplomatike për ta penguar këtë proces”, tha profesori, duke shtuar se invazioni rus në Ukrainë mund të ndikojë pozitivisht në përshpejtimin e procedurave.

Avni Mazreku, profesor i së drejtës evropiane

Çfarë është Këshilli i Evropës dhe çka përfiton Kosova nëse anëtarësohet

Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Ky institucion i cili është themeluar në vitin 1949, ka seli në Strasburg të Francës.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar janë vende anëtare.

Ndërsa, vende vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut.

Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës.

Shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtoheshin këtij institucioni nëse do të mendonin se u janë shkelur të drejtat e tyre nga shteti i Kosovës apo cilido shtet anëtar i Këshillit.

Mirëpo, kjo mund të arrihet vetëm kur janë shterur të gjitha mundësitë ligjore brenda vendit.

Ndryshe, procedurat kërkojnë që një shtet anëtar i Këshillit të Evropës të propozojë anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave. Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.

Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë.

Ndërkaq, më 16 mars Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës. Procedura për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë filloi fillimisht më 25 shkurt – një ditë pasi forcat e presidentit rus, Vladimir Putin sulmuan Ukrainën. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit