12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

A mund ta ndalojë burri gruan e tij nga prania në tubimet islame?

Më të lexuarat

Women praying inside a mosque

Pyetja:

A mund ta ndalojë burri gruan e tij nga prania në takimet islame të grave?

***

Përgjigjja:

Problemi i shumë myslimanëve, të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme fetare, është se ata ia imponojnë Islamit natyrën, mendësitë dhe bindjet e tyre personale. Kështu, nëse njeriu është i ashpër dhe i pamëshirshëm me njerëzit që e rrethojnë, përfshirë këtu bashkëshorten dhe fëmijët e tij, do të sillet me këtë sjellje agresive dhe të vrazhdë, madje mund të mendojë se kështu kërkon Islami.

Në këtë kontekst duhet përmendur trajtimi i disa burrave ndaj grave të tyre, i cili karakterizohet nga dëshira e burrit për ta mbajtur nën kontroll gruan e tij, si dhe nga paragjykimi i tij për të. Ata burra mund të vijnë nga mjedise, të cilat e nënçmojnë gruan dhe e trajtojnë atë sikur të jetë krijuar vetëm për t’i shërbyer, apo për t’i kënaqur nevojat e tij. Është për të ardhur keq, që edhe pse shumë nga këta burra kanë pasur mundësi të arsimohen e të fitojnë dije, si dhe të vëzhgojnë shoqëri dhe kultura të tjera, qëndrimi i tyre ndaj grave nuk ka ndryshuar aspak. Disa prej tyre mbajnë edhe tituj masteri dhe doktoratura, disa të tjerë janë shkencëtarë, inxhinierë, ekonomistë apo administratorë, por megjithatë në këtë aspekt mbeten të ngurtë, nuk ndryshojnë dhe nuk përparojnë.

Asnjë fe tjetër nuk e ka nderuar gruan, si e ka nderuar atë Islami. Ai e ka nderuar gruan dhe e ka ngritur statusin e saj si qenie njerëzore, si femër, si bijë, si bashkëshorte, si nënë dhe si anëtare e shoqërisë. A nuk mjafton për këtë ajeti kuranor: “Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri…”. (3: 195) Domethënia e “njëri nga tjetri” është, se burri e plotëson gruan dhe gruaja e plotëson burrin dhe se njëri nuk mund të bëjë pa tjetrin. Pikërisht për këtë ata janë të barabartë në barrën e obligimeve dhe përgjegjësive që bartin. Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin Fisnik: “Nuk ka dyshim se për myslimanët e myslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e Allahut e shumë përmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh” (33: 35). Nënkuptohet gjithashtu, se burri dhe gruaja janë partnerë në obligimet e rëndësishme shoqërore, siç janë obligimet e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Allahu i Madhërishëm thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja”. (9: 71).

Profeti Muhamed ﷺ thotë: “Gratë janë motrat e burrave” 1.

Ai ﷺ po ashtu thotë: “Mos i ndaloni robëreshat e Allahut (gratë) nga xhamitë” 2.

Xhamitë kanë qenë mënyra e vetme për myslimanen në kohën e Profetit Muhamed ﷺ që të arsimohej fetarisht, të vinte dhe të falte namazin e xhumasë, namazet me xhemat, si dhe të njihet me motrat e saj myslimane të devotshme. Rolin e xhamive në kohën tonë e kryejnë takimet islame, të cilat i mundësojnë myslimanes një njohje më të madhe e më të thellë të të vërtetave islame; po ashtu i mundësojnë asaj njohjen dhe bashkëpunimin me motra aktiviste në veprimtarinë islame. Të gjitha këto janë obligime për të gjithë myslimanët, burra apo gra qofshin, sepse përndryshe do të dobësohet dhe përkeqësohet gjendja e Islamit. Ky bëhet obligim edhe me shumë, kur dihet se armiqtë e Islamit punojnë ditë e natë për largimin e myslimanëve nga feja e tyre dhe për promovimin e mendimeve, kulturave dhe botëkuptimeve të huaja në mesin e tyre.

Megjithatë, duhet pasur parasysh, se ky aktivitet i gruas nuk duhet të jetë ne kurriz të burrit dhe fëmijëve të saj, sepse është e drejtë, që ndaj çdonjërit të tregohet kujdesi i duhur. Po ashtu, meqë burri është i obliguar ta mirëmbajë familjen, ai nuk duhet të abuzojë me autoritetin e tij dhe nuk duhet ta pengojë ushtrimin e lirive dhe të drejtave të familjarëve të tij, pasi duke vepruar kështu, do të ishte i dëmshëm dhe në Islam ndalohet rreptësishtë, që dikush të bëjë dëm dhe të dëmtohet.

 

Këshilli evropian për fetva dhe kërkime

Referenca

1. Hadith i mirë (hasen), të cilin e transmetojnë Ahmedi (6/256), Ebu Davudi, (nr. 236), Tirmidhiu (nr. 113) nga hadithi i Aishes dhe Ahmedi (6/377) nga hadithi i Ummu Sulejmes; si dhe Darimiu (nr. 764) nga hadithi i Enes Ibn Malikut.

2. Transmetojnë Buhariu (nr. 585) dhe Muslimi (nr. 442) nga hadithi i Abdullah Ibn Omerit.

Burimi

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit