Gazetari: Blerim, si e kanë krijuar shqiptarët me Amerikën atë lloj raporti?
Blerim Shala: Mendoj që…
Gazetari: Se është krejt i veçantë.
Blerim Shala: Sjellja jonë si lëvizje. Shiko, ata kanë ardhur, janë takuar në Ballkan me lloj-lloj liderësh, po ta tregoj vetëm një episod. James Baker-i në fund të qershorit të ’91-shit takohet në Beograd me të gjithë liderët e Jugosllavisë, pastaj pas dy dite, si Sekretar i Shtetit, shkon në Tiranë për ta vizituar për herë të parë Shqipërinë, akoma komuniste. Në Shqipëri e presin 300 mijë vetë. Edhe ekzaltohet, shiko, prej një ambienti shumë të zymtë në Beograd shkon në Tiranë dhe e presin 300 mijë vetë.
Gazetari: Qenka pak storie e njëjtë sikur e Bush-it në 2007-n.
Blerim Shala: Në 2007-n. Me flamuj amerikanë, 300 mijë shqiptarë duke thënë “ne duam të jemi partnerë të Amerikës”.
James Baker (arkiv): And on behalf of President Bush, and on behalf of the American people, I come today to say to you: freedom works! (Dhe në emër të Presidentit Bush, dhe në emër të popullit amerikan, vij sot t’u them juve: liria funksionon!)
Blerim Shala: Në rastin e Kosovës mendoj që lëvizja paqësore, me atë elegancën e vet, me largpamësinë e vet, i ka bërë amerikanët për vete sepse ne jemi sjellë ashtu siç kemi menduar. Dhe kjo e ka bërë për vete dhe, tekembramja, është pa interes strategjik. Interesi strategjik lidhet edhe me disa tema të tjera, të cilat ne nuk i kemi ditur në atë kohë. Raporti ta zëmë Turqi-Greqi në kuadër të NATO-Paktit. Turgut Özal ka qenë President i Turqisë, Lirim, edhe ju ka thënë amerikanëve: “shiko, në Bosnjë ju kemi zënë të papërgatitur, në qoftë se në Kosovë shpërthen lufta, edhe Kosova do të ketë viktima si në Bosnjë, ne do të ndërhyjmë pa e pyetur askënd”. Amerikanët e kanë ditur këtë sentimentin e shtetit turk në atë kohë për Kosovën. Pra, janë lidhur shumë gjëra. Po kryesorja, ne kemi ditur të sillemi si duhet, i kemi bërë për vete amerikanët dhe amerikanët vazhdimisht e kanë vizituar Kosovën me një logjikë interesante: “lëvizja juaj është shumë me rëndësi, lëvizja paqësore, duhet të vazhdoni kështu, po momentalisht ne nuk jemi të gatshëm t’ju pranojmë si shtet”. Na kanë thënë prej fillimit, në ato vitet e para. Por, ndërlidheshin gjërat, ta zëmë edhe hapja e Zyrës Amerikane në Kosovë në prillin e vitit ’96. Ajo ka qenë ngjarje epokale. Na ka premtuar administrata amerikane që do të bëjë diçka të tillë, ja ka marrë pëlqimin Millosheviq-it, edhe pse s’ka pasur Millosheviq-i çka të bëjë, se çka mund të bëjë, por po thonë, dhe pastaj u hap zyra. Ajo zyrë është shumë përtej një zyre të thjeshtë kulturoro-informative amerikane. Ajo zyrë u bë përfaqësi e shtetit amerikan në Kosovë në periudhën më të rëndë, në ’96, ’97, ’98 e tutje, prandaj…
Gazetari: Dhe vjen pas, pas, pas Bush-it të vjetër, Clinton-i.
Blerim Shala: Clinton-i.
Gazetari: Demokrat.
Blerim Shala: Po.
Gazetari: Frika se mos ndërrohet qasja, vazhdon e njëjtë.
Blerim Shala: Po si jo. Ne ta zëmë, në vitin ’92 kemi qenë ithtarë që Presidenti Bush të fitojë zgjedhjet, si shqiptarë të Kosovës.
Gazetari: Me të drejtë.
Blerim Shala: Në ’96-n, kundërkandidat i Bill Clinton-it është Bob Dole, alamet senatori, mik i joni i madh, dhe ne të gjithë rreshtohemi nga Bob Dole-i, po s’kemi kurrfarë pasojash. Domethënë, si demokratët, si republikanët janë sjellë njësoj me ne. Veçmas pastaj Presidenti Clinton, i cili e ka marrë për zemër…
Gazetari: E rrallë, e rrallë në politikën amerikane kjo…
Blerim Shala: Absolutisht. E rrallë.
Gazetari: …kjo me qenë dy…
Blerim Shala: Sot e kësaj dite.
Gazetari: Sot e kësaj dite ne e shohim çfarë përplasje ka.
Blerim Shala: Dy partitë e mëdha… Vetëm për Kosovën ka pasur unitet dhe sot ka unitet në Senat e Kongres, vetëm për Kosovën. Prandaj, ka qenë një situatë krejtësisht e re dhe pastaj vijnë edhe vitet e luftës, vitet më të rënda të luftës ku roli amerikan do të jetë vendimtar që ne të shpëtojmë.
Burimi: Vox Kosova
