-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 7, 2021

A lejohet falja e namazit me pantallona të shkurtra?

Më të lexuarat

Pyetja:

A lejohet falja e namazit me pantallona të shkurtra?

***

Përgjigja
:

Namazi është shtylla e dytë e fesë, ndaj edhe Allahu ka kërkuar një sërë kushtesh pa të cilat namazi është i pavlefshëm. Një prej këtyre kushteve është edhe mbulimi i pjesës së turpshme (auretit). Kjo pjesë për meshkujt është nga kërthiza deri tek gjunjtë sipas mendimit të shumicës së dijetarëve dhe imamëve të njohur. I Dërguari i Allahut [ﷺ] ka thënë: “…Pjesa e turpshme është nga poshtë kërthizës deri te gjunjtë.” [1]
Ka edhe dijetarë të tjerë të cilët e konsiderojnë këtë hadith të dobët dhe për rrjedhojë mendojnë se pjesa e kofshës nuk është auret por është prej etikës që të mbulohet gjithsesi.

Sa i përket gjunjëve ato nuk përfshihen në pjesën e turpshme, ndërsa kofsha, përderisa  tek shumica e dijetarëve konsiderohet pjesë e turpshme, duhet  të jetë detyrimisht e mbuluar gjatë namazit.

I Dërguari i Allahut [ﷺ] i ka thënë një shoku të tij: “Mbuloje kofshën se është pjesë e turpshme.” [2]

Ndërsa për sa i përket zbulimit të kofshës, apo auretit gjatë namazit, nëse zbulimi ka qenë i pakët, nuk ka kaluar shumë dhe e ke mbuluar shpejt me rrobe, atëhere namazi është i saktë. Nëse ky zbulim është i shpeshtë dhe e ekspozon shumë kofshën, atëherë namazi është i pavlefshëm sipas mendimit të shumicës së dijetarëve dhe shkollave juridike islame të njohura, përveç medh’hebit Maliki, i cili nuk e konsideron mbulimin e kofshës një kusht për vlefshmërinë e namazit, por vetëm detyrim (uaxhib).

Besimtari duhet që të përgatitet në formën më të bukur kur fal namaz.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni.” A’raf: 31

Allahu e di më së miri.

—————————-

[1] Ahmedi, Ebu Davudi dhe Bejhekiu
[2] Tirmidhiu

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit