Si u bë Faraoni kaq arrogant?

Më të lexuarat

Si kaloi Faraoni në arrogancë?

Prej faktorëve që ndikuan në arrogancën e Faraonit ishin edhe ndjekësit, përkrahësit dhe ushtarët e tij të shumtë, të cilët Allahu i Madhëruar i ka përmendur disa herë në Kuran, kur ka thënë:
“A ke dëgjuar për lajmin e ushtrive, ato të Faraonit dhe të Themudit?” Sure El-Buruxh:17-18.

Ndërsa në një ajet tjetër ka thënë:
“(Kujtojeni) Faronin i cili kishte direkë të fortë” Sure El-Fexhr:10.

Fjala “direkë” këtu sipas disa komentuesve të Kuranit është për ushtarët e tij të cilët mbanin dhe mbronin pushtetin e tij.

Këta ushtarë ndiqnin dhe zbatonin urdhrat e tij në kundërshtim me urdhrat e Allahut, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:

“Ne e dërguam Musain me mrekullitë Tona dhe argumente të qarta te Faraoni dhe grupi i tij, por grupi i tij shkoi pas çështjes së Faraonit, edhe pse çështja e Faraonit nuk ishte i drejtë.” Sure Hud: 97.

Kjo tregon se ata me këto qëndrime veçse e nxitën më shumë Faraonin në ligësinë e tij dhe u bënë zullumqarë bashkë me të.

Njerëz të tillë në përgjithësi janë interesaxhi që duan të përfitojnë prej pushtetit të dikujt duke i bërë qejfin atij në çdo gjë dhe nuk u intereson më nëse veprimi, apo urdhri i tij është i drejtë apo jo? Ata veç zbatojnë dhe nuk këshillojnë.

Prandaj këta ndjekës jo të sinqertë shihen bashkë me Faraonin duke përqeshur argumentet e Allahut të ardhura nëpërmjet Musait, siç është përmendur në një ajet tjetër në Kuran:
“Ne dërguam Musain me shenjat Tona te Faraoni dhe grupi i tij, dhe ai tha: Unë jam i dërguar i Zotit të botëve! Dhe kur ai u solli atyre shenjat Tona, ata filluan t’i përqeshin ato” Sure Ez-Zukhruf: 46-47.

Dhe po ashtu ata ia propozuan Faraonit ballafaqimin e Musait alejhi selam me magjistarët, kur i thanë:
“Lëre këtë dhe vëllanë e tij për pak kohë dhe ço lajmëtarë nëpër qytete, që të t’i sjellin ty të gjithë magjistarët e dijshëm” Sure Shuara: 36-37.

Detyrën e këshillës nuk e dha askush prej grupit të Faraonit me përjashtim të një personi të vetëm të përmendur në suren Gafir i cili i këshilloi ata me kujdes, me sinqeritet dhe me dashamirësi:

U kujtoi atyre qartësinë e argumenteve të Zotit të sjella nga Musai -alejhi selam-.
U kujtoi atyre se pushteti i kësaj bote është i përkohshëm dhe pastaj vjen takimi me Zotin.
U kujtoi atyre përfundimet e popujve të mëparshëm si Adi dhe Themudi, kur ndoqën të njëjtën rrugë.
U kujtoi atyre tmerret e ditës së Gjykimit, kur ata të shohin dënimin e Zotit.
U kujtoi atyre Jusufin alejhi selam i cili i pati ftuar ata kohë më përpara në fenë e drejtë
U kujtoi atyre se vazhdimësia në përgënjeshtrim do bëjë që Allahu tua vulosë zemrat për të mos e parë më kurrë rrugën e Zotit.
U kujtoi atyre mirësitë e ndjekjes së rrugës së drejtë në këtë botë dhe në tjetrën.

Dhe kështu ky njeri besimtar dhe këshillues i sinqertë vazhdoi ti këshillojë deri në fund ku me keqardhje u tha:
“O populli im, ç’është kjo, unë ju thërras në shpëtim, ndërsa ju më thërrisni në zjarr?!
Ju më thërrisni që të mohoj Allahun dhe t’i shoqëroj Atij (në adhurim) zota të tjerë, për të cilët nuk di asgjë, ndërsa unë ju bëj thirrje të adhuroni të Plotfuqishmin, Falësin e Madh.
Pa dyshim, zotave drejt të cilëve më ftoni ju, nuk mund t’u lutesh, as në këtë botë, as në tjetrën; kthimi ynë është tek Allahu. Ata që e teprojnë me të këqija, do të jenë banorë të Zjarrit.
Ju së shpejti do ta kujtoni atë që po ju them! Unë çështjen time ia lë Allahut, sepse Ai i sheh vërtet robërit e Vet”. Sure Gafir: 41-44.

Këshillimi i të padrejtëve është detyrë e çdo kujt për ta shpëtuar një shoqëri nga devijimi dhe përfundimi i keq dhe pasur një jetë kolektive të lumtur.

Prandaj Profeti alejhi selam thoshte: “Feja është këshillë”. I thanë: Për kë o i dërguari i Allahut? Ai tha: “Për hir të Allahut, për hir të profetit të Tij, për hir të librit të Tij, për drejtuesit e myslimanëve dhe për ata në përgjithësi” E transmeton Muslimi.

Ndërsa Xherir bin Abdilah El-Bexhelij thoshte: “I kam dhënë besën Profetit alejhi selam për të falur namazin, për të dhënë Zeqatin dhe për të këshilluar çdo mysliman” E transmeton Muslimi.

 

/Hoxhë Dr. ABDULLAH NABOLLI/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit