12.7 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

A është e lejuar blerja e mishit në supermarkete në Evropë

Më të lexuarat

Pyetja:

Ne jetojmë jashtë në kurbet. A e kemi hallall të blejmë mish në dyqane joislame dhe në supermarkete?

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të flasim rreth dy gjërave:

1. Dispozita e shtazës së therur nga jomuslimani

2. Shtaza e cila goditet me pistoletë elektrike para se të theret

Në vazhdim do të flasim për secilën çështje veçmas, pastaj do të sjellim konkluzën e nxjerrë nga këto dy çështje.

1. Dispozita e shtazës së therur nga jomuslimani

Citatet e Kuranit dhe të hadithit, madje edhe konsensusi (Ixhmai) i dijetarëve aludon se lejohet të hahen të therurat e Ithtarëve të Librit (Ehlu Kitab), nga të krishterët dhe çifutët. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata.” (Maide, 5)

Buhariu thotë se Ibën Abasi ka thënë se qëllimi në këtë ajet “ushqimet e Ithtarëve të Librit”, janë për qëllim shtazët që therin ata.

Pastaj vërtetohet se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem hëngri nga delja e cila iu dha dhuratë nga gruaja çifute në Hajber. Gjithashtu dihet se ai me një rast iu përgjigj ftesës së një çifuti që të shkonte në shtëpinë e tij në Medinë dhe hëngri një lloj ushqimi që ishte me yndyrë shtaze, por edhe raste të tjera .

Nga këto argumente dhe nga praktika e Muhamedit salallahu alejhi ve selem kuptojmë se therja e cila bëhet nga të krishterët dhe çifutët është e lejuar ta hajë muslimani.

2. Shtaza e cila goditet me pistoletë elektrike para se të theret

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu e obligoi mirësinë ne çdo gjë. Kur te vritni , vritni në mënyrë të mirë, kur të therni, therni në mënyrë më të mirë. Mprihe thikën dhe qetësoje kafshën që do e therësh.” (Shënon Muslimi)

Gjithashtu i Dërguari salallahu alejhi ve selem ka ndaluar që të vritet shtaza duke e gjuajtur (do të thotë pa e therur). (Shënon Muslimi)

Nga këto hadithe dhe të tjera kuptojmë se therja e shtazës është një veprim gjatë të cilit duhet të kihen kujdes rregullat dhe dispozitat e përcaktuara. Për këto rregulla kemi folur diku tjetër, por me këtë rast themi se gjuajtja me pistoletë elektrike apo ndonjë metodë tjetër me të cilën i humbet vetëdija e shtazës para therjes nuk lejohet.

Mirëpo, nëse kjo ka ndodhur, atëherë a lejohet ngrënia e këtij ushqimi? Kjo është një problematikë për të cilën kanë folur dijetarët bashkëkohorë mjaft. Ata kanë thënë se nëse goditja me pistoletë elektrike apo diçka tjetër ka shkaktuar vrasjen e shtazës (i ka dalë shpirti) para se të theret, atëherë me këtë rast ajo kafshë konsiderohet ngordhësirë dhe nuk lejohet ngrënia e saj. Por, nëse ajo goditje ka shkaktuar trullosje të shtazës dhe ajo theret në atë gjendje, atëherë lejohet ta hamë atë mish, pasi ajo therje është sikurse kafsha e cila është lënduar qoftë nga rrëzimi apo sulmi i egërsirave dhe ne arrijmë ta therim para se t’i dalë shpirti. Allahu i Lartësuar thotë:

“Është e ndaluar për ju ngrënia e cofëtinës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat – përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin.” (El-Maide, 3)

Allahu i Lartësuar në këtë ajet i përjashtoi nga ndalesa ato shtazë që arrijmë t’i therim para se t’u dalë shpirti. E njëjta vlen edhe për shtazën e cila goditet me rrymë elektrike para therjes.

Duke i pasur parasysh këto dy çështje të cilat i kemi sqaruar më lart, themi se mishrat të cilat shiten nëpër vendet e Evropës në parim janë të lejuara pasi janë ushqime të Ithtarëve të Librit, edhe pse ndodh që ata praktikojnë metodën e goditjes me pistoletë elektrike dhe kjo nuk e ndalon konsumimin e tij .

Megjithëkëtë, themi se besimtari duhet të ketë kujdes në blerjen e këtyre mishrave, pasi nuk është edhe aq sigurt kjo, posaçërisht nëse ka mundësi të furnizohet me mish të lejuar qind për qind nga dyqanet islame dhe kjo tani ka filluar të përhapet në shumë qytete të Evropës. Me një interesim më të shtuar besimtari mund të bjerë në kontakt me furnizues të këtillë. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
Pyetjet e fundit Informate
Nuk e di lutjen e Kunutit…
Pasimi i imamit…
Rreth krizave financiare, inflacionit dhe parasë së…
Prekja e veshëve gjatë tekbirit fillestar…
Si zbriten hatmet pas vdekjes?…
Si ta rikthej njeriun që e kam dashur shumë…
A lejohet përdorimi i kësaj shprehjeje…
A lejohet të bashkëjetoj me vajzën që kam bërë …
Rreth kazasë së namazeve…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit