3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Nga Josh ROGIN*: Përse nxiton Kerry t’i japë fund rrethimit të Halepit

Më të lexuarat

Sekretari ynë i palodhur i Shtetit, John F. Kerry është angazhuar në një përpjekje të tërbuar, në mos të papranueshme diplomatike për të arritur një marrëveshje me Rusinë për t’i dhënë fund rrethimit të Halepit. Ai është i motivuar jo vetëm nga shkalla e krizës humanitare në qytetin sirian, por gjithashtu edhe nga perspektiva se presidenti i ardhshëm mund të arrijë një lloj të ndryshëm marrëveshjeje me Moskën, e tillë që të braktisë opozitën siriane dhe që i vendos Shtetet e Bashkuara katërcipërisht në anën e diktatorit Bashar al-Assad.

Departamenti i Shtetit nuk po e reklamon misionin e heshtur të Kerry-t, pas dështimit të shpejtë të marrëveshjes mes SHBA dhe Rusisë për armëpushim që ai arriti. Por, pas perdeve, Kerry po drejton një proces që kërkon të ndalojë fushatën e bombardimit brutal të Halepit lindor, që përfshin edhe shënjestrimin e spitaleve dhe rrethimin e një çerek milioni civilësh që po vdesin nga uria.

Katër zyrtarë të administratës e përshkruan këtë përpjekje si vendosje targeti afatgjatë, por gjithashtu edhe si mundësinë e vetme për të bindur qeveritë ruse dhe siriane të ndalin vrasjet. “Jemi ende shumë aktivë për ta nxitur këtë marrëveshje”, tha një zyrtar. “Ne nuk do të heqim dorë. Mendojmë se kemi nevojë t’i japim një mundësi”.

Strategjia është të ngushtohet fokusi i negociatave për të mbuluar vetëm Halepin, dhe për të zgjeruar formatin ku të përfshihet Arabia Saudite, Katari, Turqia dhe me raste, Irani. Marrëveshja do të përfshinte faktin që opozita siriane të ndahet nga anëtarët e grupit të lidhur me Al Kaedën, Jabhat Fatah al-Sham, luftëtarët e të cilit mund të largohen nga lindja e Halepit. Në këmbim, regjimi i Asadit dhe Rusia do të përfundojnë rrethimin dhe do lejojnë hyrjen e ndihmave.

Ka pasur disa takime midis diplomatëve amerikanë dhe rusë në Gjenevë për të diskutuar marrëveshjen dhe Kerry është duke zhvilluar diskutime dypalëshe me të gjithë lojtarët. Ai flet me homologun rus, Sergei Lavrov dy herë në javë dhe u takua me të këtë muaj në Lima të Perusë. Kerry u takua me aleatët për të diskutuar planin në Abu Dabi.

Që tani, ka shumë pengesa. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk mund të merren vesh sesa luftëtarë ndodhen në Halep. Gjithashtu, ka një konflikt nëse regjimi i Asadit do të përcaktojë se kush do ta qeverisë lindjen e Halepit nëse funksionon armëpushimi. Një zyrtar i lartë i administratës tha se Rusia thjesht po blen kohë ose për të arritur qëllimet e saj ushtarake ose për të pritur administratën Trump të marrë detyrën e të ofrojë kushte më të mira.

“Rusët po përpiqen të detyrojnë qytetin të dorëzohet”, tha zyrtari. “Ata kanë nevojë për 60 ditë të tjera. Dhe do ta marrin”.

Zyrtarët pohojnë se me gjithë frustrimin e tij, Kerry ende nuk ka lejen nga Shtëpia e Bardhë për të përdorur presion domethënës ndaj Asadit apo Rusisë, e kjo e vendos atë në një pozicion të dobët negociues. Perspektiva e zgjedhjes së Hillary Clinton si presidente i jepte Kerry-t pak lehtësim, për shkak se ajo pritej të ndiqte një politikë më agresive  ndaj Sirisë.

Kjo shpresë u zhduk plotësisht kur Donald Trump fitoi zgjedhjet. Përse do të donte Moska të arrinte marrëveshje me Kerry-n kur Vladimir Putin mund të presë dy muaj dhe ta arrijë atë me Trumpin, që bëri fushatë me premtimin për të punuar me Rusinë? Trump duket se merret vesh me Putinin që opozitës siriane nuk mund t’i kihet besë dhe se mbajtja e Asadit në pushtet është më e mirë se kjo alternativë.

Druajtja për planin Trump në Siri u rrit javën e kaluar kur “Wall Street Journal” raportoi se Donald Trump Jr. ishte takuar në tetor në Paris me elementë të opozitës siriane që mbështeten nga Assad dhe Rusia. Donald Trump tha për “New York Times”, javën e kaluar se ai “kishte disa ide të fuqishme për Sirinë”. Ai ka folur dy herë me Putinin që nga zgjedhja rreth bashkëpunimit në Lindjen e Mesme.

Moska dhe segmente të opozitës siriane që ajo mbështet janë duke kërkuar një marrëveshje paqeje që do të çimentonte sundimin e Asadit për të ardhmen e afërt dhe të etiketonte pjesën tjetër të opozitës  si terroriste, duke i shkatërruar ata. Shumë në Uashington, thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të mos mbështesin më kryengritësit siriane dhe të ndalin luftën duke u dhënë fund vuajtjeve.

Duket një perspektivë joshëse, por që bazohet në logjikë të mangët. Nëse Trump arrin marrëveshje me Rusinë dhe opozitën miqësore me Asadin, ai do të jetë në gjendje të pretendojë suksesin aty ku Kerry dështoi. Por do të jetë një “fitore si e Pirros” më së shumti. Pjesa tjetër e opozitës do të vazhdojë të luftojë dhe miliona sirianë do të vijojnë t’i rezistojnë regjimit brutal të Asadit dhe të kërkojnë të drejtat themelore.

Akoma edhe më keq, Shtetet e Bashkuara do të duhet ta vendosin veten në anën e atyre që janë përfshirë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke tëhuajëzuar pjesën më të madhe të sirianëve në një brez të tërë dhe duke i dërguar ata në krahët e ekstremistëve, e gjitha kjo për një paqe të rrremë. Kerry ka të drejtë që po përpiqet ta shmangë atë katastrofë.

*Josh Rogin është kolumnist në seksionin e opinioneve për gazetën “The Washington Post”.  Ai shkruan për politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit