Nëna, e cila e mbyti fëmijën e saj në djep, u konstatua se nuk është mirë mentalisht. Zhvillime interesante ka sjellë ekspertiza mjeko -ligjore në rastin e të akuzuarve Isak Azemi dhe Kadrie Dinolli, të dy burrë e grua të dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Detaje të reja po dalin rreth këtyre dy prindërve që në dhjetorin e vitit të kaluar kanë përdor dhunë të tepruar ndaj djalit të tyre të vogël, duke e grushtuar atë nëpër kokë.
Një analizë e ekspertëve ka dalë me një ekspertizë mjeko-ligjore rreth gjendjes shëndetësore të Kadries. Aty është konstatuar se kjo grua që bashkë me burrin e mbyti fëmijën që vetë e lindi është e sëmurë mentalisht, meqë, sipas kësaj ekspertize, 25 për qind e trurit të saj nuk funksionon fare. Derisa për foshnjën ka konstatuar se ka pasur gjakderdhje në tru dhe se nuk është ngulfatur, por është gjuajtur me forcë. Të gjitha këto i ka bërë publike, prokurori i rastit Arben Kadriu, raporton “Express”.
E këto detaje nuk u dhanë në gjyq. Kjo pasi seanca e paraparë të mbahej të hënën është shtyrë për dhjetor për shkak të procedurave të ngatërruara mes Gjykatës dhe Burgut të Dubravës.
Por, diçka e tillë nuk e pengoi prokurorinë e cila tashmë ka dorëzuar këto analiza mbi gjendjen e nënës së sëmurë.
“Ekspertiza e fundit e cila flet mbi gjendjen shëndetësore të dy të akuzuarve Azemi e Dinolli, është dorëzuar si provë në gjykatë”, thotë prokurori i rastit.
Dy bashkëshortët akuzohen se më 20 dhjetor 2011, rreth orës 19, në shtëpinë e tyre në fshatin Smirë, komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëveprim e kanë privuar nga jeta fëmijën e tyre Agon Azemi, i moshës 8-muajsh.
Sipas aktakuzës, Isaku e ka ngulfatur foshnjën derisa ndodhej në djep, duke e shtrënguar në fyt fuqishëm për rreth 10 minuta. Më pas, nëna e foshnjës, Kadria e ka marrë vogëlushin dhe e ka përplasur për dysheme. Si pasojë e ngufatjes dhe e lëndimeve të marra, foshnja vdes.
Ekspertiza e fundit mjeko-ligjore e kryer nga eksperti Flamur Blakaj ndërkaq ka konstatuar fakte të reja. Sipas prokurorit publik të Qarkut Arben Kadriu, ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se Kadrie Dinolli është e sëmurë mendërisht, meqë nuk i funksionon 25 për qind e trurit dhe është e papërgjegjshme në veprimet e saj. Gjithashtu ekspertiza ka konstatuar se foshnja ka pasur gjakderdhje në tru dhe se nuk është ngulfatur , por është gjuajtur me forcë.
Isak Azemi në konfirmim të aktakuzës ka deklaruar se nuk e ndien veten fajtor për këtë vepër.
“Gruaja më ka thënë se fëmija nuk është i yti dhe në ato momente e kam humbur vetëdijen dhe nuk kam ditë se çka po ndodh. Nuk është e vërtetë që unë e kam ngulfatur fëmijën tim, Agon Azemi ”, ka thënë ai.
Edhe e akuzuara Kadrie Dinolli, e ëma e fëmijës së vdekur, nuk e ka pranuar se e ka kryer veprën penale, duke shtuar se pas bisedës me kunatin e saj, ajo e ka mbuluar me çarçaf të bardhë fëmijën.
“Djalin e ka ngulfatur ai që po fol”, u shpreh ajo, duke aluduar për bashkëshortin. “Unë asnjë veprim nuk e kam ndërmarrë për me mbyt fëmijën tim. Këtë e ka bërë bashkëshorti im. Fëmija nuk ka vdekur vetë”, i është drejtuar Kadria bashkëshortit të saj. Seanca e radhës e këtij rasti është shtyrë për muajin dhjetor. /Telegrafi/