Sudani dhe Sudani i Jugut kanë arritur një marrëveshje për sigurinë e kufijve dhe prodhimin e naftës, që do të mundësojë rifillimin e eksporteve nga Jugu i Sudanit përmes Sudanit.
Lajmin e ka konfirmuar një zëdhënës. Liderët e dy vendeve fqinje arritën marrëveshjen pas katër ditësh bisedime në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Abeba.
Por një numër çështjesh të tjera mbeten të pazgjidhura, përfshirë këtu rajonet e diskutueshme, për të cilat dy vendet arritën në prag të luftës më herët gjatë vitit.
Pasi luftimet për impiantet dhe territoret e diskutueshme shpërthyen, Kombet e Bashkuara kërcënuan me sanksione të dyja palët nëse nuk do të arrinin një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Ndërmjetësit e Unionit Afrikan duhet ende të konfirmojnë se një marrëveshje është arritur, por presidenti i Sudanit, Omar al Bashir dhe ai i Sudanit të Jugut, Salva Klir pritet të hedhin firmën gjatë ditës së enjte.
Vetëm pak detaje janë publikuar për paktin, por negociatorët nga të dyja palët thonë se ato kanë rënë dakord për krijimin e një zone të çmilitarizuar.
Të njëjtat burime thanë gjithashtu se është arritur edhe një marrëveshje ekonomike, për të mundësuar rifillimin e prodhimit të naftës në Sudanin e Jugut.
Por një zgjidhje nuk është gjetur ende për rajonin e Abieit, që është bërë skenë e luftimeve të përgjakshme për shkak të pretendimeve për sovranitet të dy palëve./tch/kohaislame