2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Gjermania dhe perëndimi i krishterë para ndryshimit

Më të lexuarat

Pyetja se çfarë besojnë më shumë njerëzit në Gjermani nuk merr përgjigje të shpejtë. Ndërsa ajo për përkatësinë fetare po. Për këtë mjafton t’u hedhësh një sy statistikave. Ajo që vihet re: besimi po ndryshon.
Nga ana statistikore, Gjermania mund të cilësohet si një vend i krishterë. Por me numrin e lartë të personave pa fe dhe atyre që nuk besojnë vihen re shenjat e një transformimi. Për shembull, sociologët e fesë dolën para pak kohësh me konkluzionin se Gjermania Lindore bën pjesë në rajonet me numrin më të lartë të njerëzve pa fe në botë.
Perëndimi i krishterë para ndryshimit
Shenjat e ndryshimit nuk duken vetëm tek numri në rritje i agnostikëve që as nuk e mohojnë as nuk e marrin seriozisht ekzistencën e zotit, dhe i ateistëve që nuk besojnë tek i plotfuqishmi: Kështu pak para Krishtlindjeve të vitit 2011 vetëm 63% e të anketuarve besonin në zot, e vetëm 59% që Jezu Krishti është bir i zotit. Besimi në jetën pas vdekjes ndahej nga 48% e të anketuarve, dhe 29% besonin në ditën e Gjyqit të Madh. Sipas institutit të sondazheve publike, Emnid më pak se gjysma e të anketuarve i ndan këto opinione. Por sipas gazetarit të “Süddeutsche Zeitung”, i specializuar për çështjet e fesë, Matthias Dobrinski, kjo nuk do të thotë se kisha po zhduket. “Grupet më të mëdha fetare do të ekzistojnë për një kohë të pacaktuar. Por me një numër shumë të reduktuar anëtarësh. Nga ana tjetër do të shohim forma të reja të besimit.”

Edhe në praktikimin e besimit të krishterë kanë filluar të vihen re ndryshime. Vetëm një pakicë e vogël merr pjesë në jetën e komunitetit fetar. Ndërsa vizitat e rregullta në kishë nga protestantët kryhen nga 3,6% e besimtarëve, tek katolikët, gjendja është disi më e mirë, rreth 13% e besimtarëve shkojnë në kishë. Kujtojmë se në vitin 1950 më shumë se gjysma e katolikëve merrte pjesë rregullisht në meshë.
Sipas statistikave edhe rite të caktuara të besimit po bëhen gjithnjë e më jopopullore. Këtu hyn për shembull, lutja para ngrënies. Ndërkohë që në vitin 1960 gati çdo i treti gjerman falënderonte zotin për bukën e dhuruar, në vitin 2011 ishin vetëm 6% e besimtarëve gjermanë që e kryenin këtë rit. Përveç kësaj: Gjysma e gjermanëve nuk lexon kurrë në Librin e Shenjtë. Mbi të gjitha këto dukuri qëndron ai i daljes nga kisha, si shenja kryesore e këputjes së fillit lidhës të komunitetit besimtar me kishën. Gati vit për vit 300.000 besimtarë i japin fund formalisht anëtarësisë së tyre në institucionin e kishës.
Gjermania në mënyrë të habitshme besimtare
Për të kuptuar se çfarë besojnë njerëzit rreth e rrotull globit, Fondacioni gjerman “Bertelsmann” zhvilloi në vitin 2008 një anketim në 21 vende. Ky sondazh me bazë të gjerë do të duhej të nxirrte në pah se për çfarë ka rëndësi besimi tek njerëzit, si përcaktohet besimi fetar tek ta, dhe çfarë praktikash fetare ndiqen.

Për Gjermaninë rezultatet ishin të habitshme: Po të marrësh në konsideratë popullsinë e përgjithshme në Gjermani, atëherë rreth 18% e njerëzve janë tepër besimtarë, ndërsa 52% e shohin veten si besimtarë, Gati çdo i treti, pra rreth 28% e të anketuarve e shohin veten si jobesimtarë apo ateist, thotë Kai Unzicker, menaxher i projektit të monitorimitt të besimit tek “Bertelsmann”. Zërave që parashikojnë një bum të vërtetë ezoterik apo një kthim tek fetë e dikurshme natyrore, Unzicker u thotë: “Kultet e reja ezoterikë apo besimet natyrore janë kaq të vogla në Europën Perëndimore saqë ato nuk kapen as nga statistikat.”
Feja bëhet më e larmishme
Besimi po bëhet gjithnjë e më individual, më i larmishëm dhe në të njëjtën kohë edhe më i diferencuar, konstatojnë sociologët. Kjo do të thotë që besimtarët marrin praktika të feve të tjera, ndikohen nga praktika si meditimi, për shembull. Këtë opinion ndan edhe gazetari Matthias Drobinski:

” Po shohim forma të përziera, njerëzit, të cilët me shumicë vijnë nga besimi i krishterë dhe e njohin atë, madje. Ajo çfarë ata praktikojnë është e krishterë, por pikërisht këtë ata e përziejnë.”
Drobinski, gazetar tek “Süddeutsche Zeitung” është autori i librit “Republika e besimit, Gjermania – Udhëtim në një vend besimtarësh”. Aty gazetari paraqet një fallxhore, që beson tek Zonja e Mirë. “Maria është fantastike, mendon ajo. Në këtë pikë ajo është shumë katolike, por njëkohësisht ajo beson tek pushteti i fallit me letra, tek fati që ajo ua parathotë njerëzve. Kjo është ajo po shtohet: që njerëzit me një bazë të krishterë, kalojnë në degëzime të tjera, pra e bëjnë vetë fenë e tyre. Kjo gjë nuk i pëlqen sigurisht kishës, për arsye teologjike.”/dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit