Etja si një armë shfarosjeje

Më të lexuarat

Në Gaza secili ka vetëm një filxhan ujë në ditë: për të pirë dhe për të bërë gjithçka tjetër

Alae Al Said, L’Espresso

Shkripëzimi nuk është më i mundur. Duhet naftë për gjeneratorët. Por çmimi i saj ka arritur nivele të papërballueshme. “Në këtë moment kam shumë etje….” – më thotë gazetari Husam Al Sayagh nga Rripi i Gazës kur i kërkoj të flasë për çështjen e ujit.

“Por kam pirë një gotë disa orë më parë. Duhet të respektoj kufijtë që kemi vendosur që të mos mbarojë menjëherë ajo që kemi arritur të sigurojmë. Këtu edhe uji është militarizuar për të na vrarë, për të lehtësuar spastrimin tonë etnik”- shton ai.

Fjalët e Husam janë të njëjta me ato të përdorura së fundmi nga “Medecins Sans Frontieres” në një raport të publikuar më 28 prill,“Uji si armë: shkatërrimi dhe privimi i ujit dhe shërbimeve sanitare në Gaza nga Izraeli”.

MSF dokumenton se përdorimi i përsëritur i ujit si armë nga autoritetet izraelite nuk përbëhet nga veprime të izoluara, por është pjesë e një modeli të përsëritur, sistematik dhe kumulativ.

Para se të bëhej refugjat dhe të humbiste punën, Al Sayagh ka bashkëpunuar me shumë media, ka punuar për agjencinë Shehab, ka qenë korrespondent për kanalin Misr 25 dhe ka shkruar për gazetën lokale Al Risala.

Ai i shpjegon me qartësi dhe dinjitet të gjitha detajet e jetës së tij të re. Më tregon se tani kujdeset për nënën e tij me aftësi të kufizuara. Kur e pyes për ujin si armë, ai merr frymë rëndë dhe rrëfimi bëhet më i vështirë.

Më shpjegon se në Gaza, uji shpërndahet sipas një orari. Jo uji i pijshëm, por ai për përdorim të përditshëm. Komuna furnizon rubinetët në rrugë nga puse të përkohshme ose emergjente. Këto pika furnizimi nuk janë të shumta. Disa banorë duhet të ecin 5–6 orë nën diell për të arritur ujë.

Në lagjen e tij, uji vjen vetëm një ditë në javë. Aty sheh njerëz të të gjitha moshave, sidomos fëmijë me enë në duar: tenxhere, kova, bidonë, legenë. Më me fat janë ata që kanë fuçi. Por shumë prej tyre janë të dëmtuara nga bombardimet dhe riparohen me plastikë të shkrirë.

Sapo mbushen, ato bëhen pasuria më e çmuar e familjes. Pastaj fillon pjesa më e vështirë: racionimi. “Për çdo gjë në jetën të përditshme ke nevojë për ujë”- thotë ai. “Dhe kur ke shumë pak, për çdo nevojë mund të përdorësh vetëm sasinë që hyn në një filxhan”- shprehet gazetari.

“Është një vuajtje e përditshme, një torturë. Nuk arrijmë të lajmë rrobat, trupat tanë janë gjithmonë të ndotur. Jetojmë në tokë të hapur, nën një copë najloni. Nxehtësia është e padurueshme, tendat janë si sera. Djersisim vazhdimisht, rrobat nuk thahen kurrë pastër”- vijon më tej ai,

Husam flet për mizat, mushkonjat dhe minjtë që janë shtuar shumë: “Hyjnë në tenda dhe na kafshojnë. Janë bërë shumë më tepër se më pare”. Kur e pyet mbi arsyen, ai përgjigjet: “Mbeturinat, nxehtësia, rrënojat. Ne jetojmë në një kanal të hapur. Nuk është habitati ynë”.

Ai shpjegon se rrjeti i ujit dhe kanalizimeve është shkatërruar pothuajse tërësisht. Sipas tij, rreth 90 për qind e infrastrukturës është shkatërruar dhe miliona njerëz janë zhvendosur, duke jetuar në tenda pa lidhje me ujë apo kanalizime.

Ai përshkruan edhe mënyrën si janë ndërtuar tualetet e improvizuara dhe gropat e ujërave të zeza pranë tendave, duke folur për kushte higjienike ekstreme dhe për një rrezik të madh shëndetësor, përfshirë sëmundje dhe aksidente fatale.

Më pas, ai flet për momentet e rralla kur mbërrijnë kamionët me ujë të pijshëm nga organizata të ndryshme humanitare. Këto momente janë të rralla dhe të dhimbshme njëkohësisht. Njerëzit vrapojnë me enë në duar për të marrë sa më shumë që munden.

Ai thotë se shumë herë furnizimet janë sulmuar gjatë rrugës. Husam përmend gjithashtu mungesën e impianteve të shkripëzimit, sepse mungon nafta për gjeneratorët, çmimi i së cilës ka arritur nivele të papërballueshme. Pa energji, nuk funksionon asgjë.

“Gjithçka është projektuar në mënyrë të tillë që vdekja të arrijë ngadalë te secili prej nesh”- thotë ai. Sëmundjet nga uji i ndotur janë në rritje, veçanërisht te fëmijët, përfshirë diarrenë akute dhe Hepatitin A.

Situata, sipas ekspertëve të OKB-së, është katastrofike dhe shkon përtej një krize humanitare normale, duke hyrë në një realitet ku burimet jetike përdoren si instrument presioni.

Në fund mbetet pyetja: kush jemi ne kur pranojmë që uji të përdoret si armë lufte kundër një populli? Dhe si mund të quhet një komunitet ndërkombëtar që e normalizon këtë gjendje? \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit