Lufta e Gazës – Ditarë dhe Vëzhgime (90)

Më të lexuarat

 

(Këshilla dhe vërejtje në fillim të vitit hixhrij 1447)

Ditët kalojnë rëndë në Gaza dhe sprovat pasojnë njëra-tjetrën mbi banorët e saj, ashtu siç pasojnë nata dhe dita. Këto janë disa këshilla dhe vërejtje për veten time dhe për vëllezërit e mi në fillim të vitit të tretë hixhrij të kësaj lufte të padrejtë kundër Gazës dhe banorëve të saj:

1. O njerëz, mos ju largoftë zgjatja e brengës dhe e sprovës nga përulësia para Allahut dhe nga lutja e vazhdueshme. Të sëmurit i përsëritet ilaçi derisa të vijë shërimi, ndërsa sprova jonë është e madhe dhe kërkon vepra të mëdha. Pasha Allahun, gjendja në të cilën ndodhemi nuk do të largohet derisa zemrat tona të zbulojnë sinqeritet të vërtetë, besim dhe dorëzim ndaj Allahut, Zotit të botëve.

2. Çdo sprovë, sado që të zgjasë, fundin e ka te largimi dhe përfundimi. Shpresa jonë te Zoti ynë i Mëshirshëm është që ta përshpejtojë largimin e asaj që na ka goditur. Njeriu i mençur nuk e përqendron gjithë mendimin dhe shqetësimin e tij te zgjatja e sprovës – edhe pse natyra njerëzore anon nga kjo – por te detyra që ka përballë saj. Ai kryen atë që Allahu ia ka obliguar:

* Në raport me vetveten: duke u përpjekur për përmirësimin dhe drejtimin e saj, si dhe duke e angazhuar në fushat e punës dhe të së mirës sipas mundësive.
* Në raport me familjen dhe vëllezërit e tij: duke i ndihmuar, forcuar dhe duke bërë për ta atë që ka mundësi.

3. Sprovat e mëdha janë etapa vendimtare në jetën e individëve dhe të shoqërive. Nuk duhet të kalojnë pa reflektim dhe pa mendim mbi gjendjen aktuale dhe përfundimin e saj. I mençur është ai që merr mësim prej tyre, i shqyrton çështjet nga të gjitha anët dhe di të shfrytëzojë rastet.

Nëse kjo është e domosdoshme për individët, atëherë për shtetet, regjimet dhe grupet është edhe më e detyrueshme. Prandaj obligimi është përhapja e vetëdijes derisa ajo të bëhet kulturë. Beteja e umetit sot është betejë e mendimit dhe e vetëdijes; nëse fiton aty, do të fitojë edhe në gjithçka që vjen pas saj. Përndryshe, e pret humbja e drejtimit dhe bredhja në rrugë pa dalje.

4. Nga mëshira dhe butësia e Allahut ndaj nesh është se Ai na e lehtëson barrën e sprovës përmes kalimit të shpejtë të ditëve të saj. Edhe pse janë të rënda dhe të vështira, ato kalojnë shpejt. Njerëzit, pavarësisht tmerreve që përjetojnë, nuk i sheh të dorëzuar para fatkeqësive dhe iluzioneve, por vazhdojnë të kujdesen për jetesën dhe interesat e tyre dhe të familjeve të tyre.

Këshilla këtu është që njeriu t’i shfrytëzojë ditët dhe netët e tij në atë që i sjell dobi në fenë dhe jetën e tij. Të mos largohet nga e mira duke u justifikuar me luftën apo me arsye të tjera, sepse shpirtrat e mëdhenj nuk e njohin përtacinë; përkundrazi, ata i shndërrojnë vështirësitë në shkallë drejt lartësive dhe virtyteve.

5. Në ditët e afërta që kaluan kemi parë shembuj të poshtërsisë, ulëtësisë, bashkëpunimit me armikun dhe tradhtisë nga disa grupe njerëzish – Allahu mos i shtoftë e mos ua bekoftë veprat. Në të njëjtën kohë kemi parë shembuj të guximit, qëndrueshmërisë, besimit, xhihadit dhe bindjes së palëkundur që do ta bënin edhe vetë kohën të mburrej me ta, që lidhin nipërit me gjyshërit e tyre dhe bëjnë që edhe njerëzit më të mëdhenj ta shohin veten të vogël para tyre. Ky është një mirësi e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë.

Ky konflikt midis së mirës dhe së keqes, të vërtetës dhe të pavërtetës, është shfaqur në këtë luftë në formën e tij më të qartë, ndërsa vështirësitë e kanë ndezur edhe më shumë. I mençuri gjithmonë rreshtohet me kampin e së mirës dhe me fortesën e besimit. Ai zgjedh afërsinë me të vërtetën dhe i jep përparësi Allahut dhe të Dërguarit të Tij mbi interesat, epshet dhe dëshirat e veta. E vërtetë është fjala e atij që tha: “Njeriu është aty ku e vendos veten.”

6. Sa më shumë që zgjatet lufta, aq më shumë na shfaqen ligësia dhe dinakëria e armikut tonë, duke na e forcuar bindjen në atë që Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë treguar për ta. Shpesh i shohim ajetet dhe hadithet të mishërohen para syve tanë, sikur po zbriten e po transmetohen pikërisht tani.

Ai që na ka treguar për ngritjen dhe arrogancën e tyre, na ka treguar gjithashtu edhe për rënien dhe zmbrapsjen e tyre. Ne presim premtimin e Allahut lidhur me ta dhe me mbështetësit e tyre, dhe nuk dyshojmë në realizimin e tij, ashtu siç nuk dyshojmë se para së nesërmes vjen nata. Allahu e çon në vend çështjen e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.

Bessam bin Halil es-Safedi
E shtunë, 3 Muharrem 1447 H.
(Përshkrim i vitit të kaluar mbi mënyrën e hyrjes në vitin e ri)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit