Shtëpia e Bardhë e shpall veten fituese, por për pjesën tjetër të botës duket më e dobët
Me nisjen e samitit G7 në Francë, vendet evropiane duhet të vendosin se si do të sillen ndaj Donald Trumpit. Çështja kryesore është marrëveshja për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin, me shpresën që ajo të nënshkruhet të premten pa pengesa.
A duhet t’i thuhet hapur presidentit amerikan për dëmet që ka shkaktuar kjo luftë? Apo është më e mençur të favorizohet ulja e tensioneve dhe të rifillojnë diskutimet mbi marrëdhëniet SHBA–Evropë në fusha të tjera?
Trump nuk mbërrin në Évian si fitimtar, sepse marrëveshja që po përgatitet premton të zgjidhë probleme të krijuara kryesisht nga vetë ai.
Pasurimi i uraniumit deri në masën 60 për qind është pasojë e tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja e mëparshme bërthamore, ndërsa shpërthimi i luftës i shtyu iranianët të mbyllnin Ngushticën e Hormuzit.
Përpjekja për të treguar fuqinë e SHBA-së dhe për të kontrolluar rrjedhat energjetike u përplas me një realitet të Lindjes së Mesme që Trump nuk e ka kuptuar kurrë plotësisht – një rrethanë që Izraeli e ka shfrytëzuar me zgjuarsi.
Presidenti amerikan do të vazhdojë të shpallë epërsinë e Shteteve të Bashkuara, por me më pak besueshmëri pas dështimeve të muajve të fundit. Ndërkohë, pasojat negative tashmë po shfaqen.
Arabia Saudite, Turqia, Egjipti dhe Pakistani po krijojnë një aleancë të re, duke treguar mungesë besimi ndaj garancive amerikane dhe dështimin e strategjisë së Marrëveshjeve të Abrahamit.
Në një plan më të gjerë, Pekini dhe Moska kanë kritikuar ndërhyrjen amerikane në mënyrë të vendosur, por të kujdesshme në publik, ndërsa në prapaskenë kanë mbështetur Teheranin pa u përfshirë drejtpërdrejt.
Nuk ka dyshim se ato do të përpiqen, me durimin e tyre tradicional, të përfitojnë nga dobësimi i imazhit të Uashingtonit në sytë e fuqive të mesme dhe të vogla.
Qeveritë evropiane ndodhen në një pozitë më të vështirë. Disa prej tyre lejuan përdorimin e bazave ushtarake në territorin e tyre, ndërsa të tjera vendosën kufizime, duke tërhequr zemërimin e Trumpit.
Ai reagoi menjëherë duke nisur reduktimin e pranisë së trupave amerikane në vende të ndryshme dhe nuk humb asnjë rast për të rikthyer kritikat ndaj Evropës, veçanërisht për çështjen e emigracionit.
Kjo nuk është diçka e re. Administrata aktuale amerikane është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj kujtdo që nuk i bindet vullnetit të saj. Megjithatë, gjatë vitit të fundit Evropa ka treguar se mund të qëndrojë e vendosur në disa fusha të rëndësishme, nga tarifat doganore deri te çështja e Grenlandës.
Lufta mbetet një temë thelbësore, por në këtë fazë duket më e arsyeshme të inkurajohet Trumpi të ndjekë rrugën e paqes dhe të ndihmohet, aq sa është e mundur, zbatimi i marrëveshjes.
Nga ana tjetër, Evropa duhet të shmangë ushqimin e narrativës së promovuar nga aleanca mes neokonservatorëve dhe lëvizjes “Amerika e Para”, e cila ka fituar terren gjatë vitit të fundit.
Rreziku është pranimi i kushteve që mund të çojnë sërish në bombardime në rast se negociatat hasin pengesa – një gabim që Evropa e ka bërë tashmë disa vite më parë me rikthimin e sanksioneve ndaj Iranit.
Në sfond mbeten edhe dy probleme të tjera madhore: marrëdhëniet ekonomike dhe lufta në Ukrainë. Sa i përket ekonomisë, është e rëndësishme të kuptohet se strategjia e Uashingtonit shkon përtej kampit të Trumpit.
Në SHBA po forcohet një ndjenjë e re e interesit kombëtar, e cila po vendoset mbi rregullat tradicionale të globalizimit, pa përjashtuar megjithatë bashkëpunimin mes vendeve aleate në fushën e politikave industriale.
Përsa i përket Ukrainës, shumë qarqe në SHBA duan të rifillojnë marrëdhëniet ekonomike me Rusinë, ndërsa Brukseli dhe Londra nuk janë të gatshme të bëjnë lëshime. Në këtë pikë do të jetë e nevojshme të gjendet një kompromis, si me Rusinë ashtu edhe me SHBA-në. /tesheshi.com/
