Për ato për të cilat askush nuk shkruan.
Për ato që zgjohen herët në agim, falin namazin, përmendin Zotin, përgatisin mëngjesin, bëjnë gati nxënësin, i veshin uniformën, i krehin flokët, rishikojnë orarin, lajnë enët, rregullojnë shtratin, mbajnë mbi supe me përkujdesje, fshijnë dyshemenë, pastrojnë pluhurin, rregullojnë shtëpinë, gatuajnë drekën, presin fëmijët, ushqejnë shumëkënd, pastrojnë tenxheret, ndihmojnë në mësime, zgjidhin detyra, korrigjojnë drejtshkrimin, dëgjojnë mësimet përmendësh, mësojnë Kur’anin, përgatisin fëmijët për gjumë, dhe kënaqin bashkëshortët!
Për ekonomistet e zonjat që përshtaten edhe kur buxheti është i mangët, ndërsa vende të mëdha mbyten në borxhe!
Për infermieret që matin temperaturën e një fëmije të sëmurë me një puthje në ballë, e diagnostikojnë sëmundjen dhe japin shërimin, ndërsa mijëra vdesin nga gabimet mjekësore!
Për mësueset private falas!
Për kursimtaret në gjithçka!
Për të lodhurat që strehohen në shtratin e tyre natën, dëgjojnë kockat e tyre të lodhura, por nuk ankohen!
Për ato që nuk gatuajnë për Instagram, as nuk blejnë rroba për Facebook!
Për ato që durojnë dhimbjen e shpinës sepse pagesa e mjekut është më mirë të shkojë për faturën e energjisë në vende që, megjithëse kanë naftë, nuk ngopen!
Për ato me duar të ashpra, sepse paratë për kremra janë më të nevojshme për shkollimin e fëmijëve në vende ku secili duhet të mbijetojë vetë!
Për heroinat e botës së vërtetë!
Për rrobat e palara që mbushen sepse ju nuk pranoni veçse fëmijët tuaj të veshin rroba të pastra!
Për lavamanin plot me enë sepse ju nuk pranoni veçse t’i ushqeni fëmijët tuaj me ushqim të mirë!
Për lodrat e shpërndara gjithandej sepse nuk doni t’ua merrni fëmijëve tuaj fëmijërinë!
Për zërin e ngjirur dhe nervat e lodhura sepse doni që fëmijët tuaj të jenë më të mirët!
Për heroinat e botës së vërtetë!
Për ato që nuk udhëtojnë për pushime!
Për ato që harrojnë ditëlindjet e tyre!
Për ato që nuk lexojnë revista mode!
Për ato që nuk e njohin rrugën drejt salloneve të bukurisë!
Për engjëjt… vërtet engjëjt… me të vërtetë engjëjt!
E di që një shkrim nuk shëron dhimbjen e shpinës, nuk zhduk ngjirjen e zërit, nuk zbut ashpërsinë e duarve. E di që shumica prej jush nuk kanë kohë për të lexuar, dhe disa ndoshta nuk dinë as për mua e as për rrjetet sociale, sepse jeni të zëna me gjëra më të rëndësishme! Por vendosa të shkruaj për ju, si mirënjohje për vlerën tuaj, dhe për të kujtuar përpjekjen, durimin dhe sakrificën tuaj. Ju jeni heroinat e botës së vërtetë, mos u dorëzoni! Ju jeni ushtria e vetme që nuk lejohet të humbasë, që bota të vazhdojë!
Ed-hem Sherkavi / libri: “Kur fletët hapen”
