Kemi hyrë në një epokë ku çdo mëngjes ekspozohemi ndaj qindra “substancave toksike”. Sigurisht, nuk e kam fjalën për radonin apo gazrat e makinave, por për atë që na derdhin mbi ne platformat e rrjeteve sociale: produktet e gjendjeve njerëzore, në mungesë të plotë të çdo autoriteti qendror ose kornize rregulluese të përgjithshme. Madje, përpjekjet e qeverive për t’i kontrolluar këto hapësira, apo për të mbrojtur vlerat familjare e parime të ngjashme, shpesh janë të kota. Qendra e medias ka rënë dhe ajo nuk mund të drejtohet më përmes propagandës.
Megjithatë, kjo nuk i ka dhënë njeriut liri të plotë. Edhe pse këto hapësira të hapura kanë prodhuar debate intelektuale dhe ekzistenciale që kanë sjellë rritje të jashtëzakonshme të ndërgjegjësimit, kjo nuk ka ardhur pa kosto dhe pa një çmim për t’u paguar. Ato mbartin brenda vetes edhe një dozë shëmtie, nga e cila nuk mund të shkëputemi, dhe kanë krijuar një lloj tronditjeje dhe shpërbërjeje në konceptin e kohës, duke e zëvendësuar atë me “timeline”-in.
Shumë njerëz nuk e kuptojnë se çfarë mesazhesh të fshehta mbart “timeline”-i për ta, apo çfarë mendimesh zgjon tek ata në lidhje me formimin e tyre të brendshëm. Përveç kësaj, ai përmban shumë nxitës që u drejtohen nevojave tona të paplotësuara dhe konflikteve tona të brendshme. Për këtë arsye, ndjenjat tona të dhimbshme nuk lidhen më vetëm me situata reale jetësore apo me konflikte me njerëz përreth nesh. Shumë prej këtyre ndjenjave nuk ia dimë as shkakun, dhe kur përpiqemi ta zbulojmë, e gjejmë të lidhur me një pamje, një video, një “reel”, një postim, një koment apo një foto që e kemi parë kalimthi në ndonjë platformë.
Ndoshta e kemi harruar atë moment, por ndjenjat që ai ka zgjuar në ne vazhdojnë të notojnë brenda nesh gjatë ditës: mes krahasimeve, ndjenjës së vonesës dhe humbjes së mundësive, ndjenjës së pamjaftueshmërisë, pendesës dhe keqardhjes, vetmisë së thellë, shpërdorimit të rasteve, arrogancës dhe përçmimit ndaj vetes. Dhe me dominimin e “algoritmit”, i cili është shndërruar në forca reale lëvizëse e botës, ne vazhdojmë të gëlltisim gjithnjë e më shumë nga ajo që na ka tërhequr vëmendjen qoftë edhe për një çast.
Ashtu siç mjeku i këshillon pacientit me diabet të ndjekë një dietë ushqimore, duke shmangur disa lloje ushqimesh dhe duke zgjedhur të tjera, po ashtu edhe çrregullimet tona të brendshme kërkojnë një dietë psikologjike të ngjashme. Një dietë ku përpiqemi me vetëdije të vendosim një filtër për përmbajtjen që konsumojmë, t’i japim “timeline”-it tonë një proces pastrimi, duke hequr gjithçka që mund të shërbejë si nxitës për rikthim të krizave psikologjike ose për ndezje të konflikteve me të cilat ende jemi duke u përballur.
📘 Xhelati nën lëkurën time, nga Dr. Imad Rashad Othman.
