“Mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë.” (El-A‘raf: 156)
Ky është një premtim hyjnor, një ngushëllim i butë nga Zoti Mëshirëplotë për robërit e Tij.
A e di se shprehja “Mëshira Ime”, e lidhur me përemrin “Ime” (nga vetë Allahu), është përmendur vetëm një herë në të gjithë Kuranin, dhe pikërisht në këtë ajet të mrekullueshëm të sure El-A‘raf?
Është një fjalë drejtpërdrejt nga Allahu, i Gjithëmëshirshmi, i Gjithëdashuri:
“Mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë,
dhe Unë do ta caktoj atë për ata që kanë frikë (nga Mua),
japin zekatin dhe besojnë në shenjat Tona.” (El-A‘raf: 156)
Mëshira që të përfshin edhe ty
Mëshira e Tij përfshin çdo krijesë, në gjithë këtë kozmos të pafund, në çdo kohë — që prej Ademit (alejhis-selam) e deri në Ditën e Gjykimit.
Dhe e gjitha kjo është vetëm një pjesë nga njëqind pjesë të mëshirës së Zotit, sepse Ai ka ruajtur nëntëdhjetë e nëntë pjesët e tjera për botën tjetër.
Prandaj, lute Zotin të të përfshijë me mëshirën e Tij, të të falë dhe të të udhëheqë drejt Xhenetit.
Kërko me përulësi një pikë prej asaj mëshire, sepse ajo mjafton për të ndriçuar jetën tënde në këtë botë dhe në tjetrën.
Si të jesh prej atyre që përfshihen në mëshirën e Tij
Allahu vetë na tregoi rrugën:
• Ji prej atyre që kanë devotshmëri (i frikësohen Zotit).
• Ji prej atyre që japin zekatin, pastrim të shpirtit dhe pasurisë.
• Ji prej atyre që besojnë fort në shenjat e Allahut.
Vëre se të gjitha këto janë shprehur në kohën e tashme të vazhdueshme, siç e përdor gjuha e Kuranit në mënyrë të përsosur sepse Zoti dëshiron që t’i vazhdosh këto vepra përherë, jo thjesht t’i bësh një herë.
Kështu është mëshira e Zotit: e gjerë, e përhershme, dhe e hapur për këdo që kërkon me sinqeritet derën e saj.
Allahu na bëftë prej atyre që i shkruan mëshirën e Tij në këtë botë dhe në botën tjetër.
Amin. 🤍
Samar el-Arnaut
(Përkthim dhe përshtatje në shqip)
