Zv/Presidenti më i fuqishëm i SHBA-së dhe ideuesi i luftës në Irak, urrente Tramp-in dhe votoi Kamala Harris
Dick Cheney, ai që konsiderohej si Zv/Presidenti më i fuqishëm amerikan i kohërave moderne dhe arkitekti kryesor i “luftës kundër terrorizmit”, i cili yshti pushtimin e Irakut në emër të kësaj lufte spekullative, bazuar mbi supozime të rreme, ka vdekur, njoftoi familja e tij.
Ai ishte 84 vjeç, raporton CNN.
Cheney, Zv/Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, shërbeu në administratën e Presidentit republikan George W. Bush për dy mandate, nga viti 2001 deri në vitin 2009, dhe për dekada ishte një figurë e fuqishme dhe polarizuese në Uashington. Megjithatë, vitet e fundit, ndërsa mbeti një konservator i vendosur, ai u mënjanua kryesisht brenda partisë së tij për shkak të kritikave të tij të ashpra ndaj Presidentit Donald Trump, të cilin e quajti “frikacak” dhe kërcënimin më të madh për establishmentin republikan në histori.
Në një fund ironik të karrierës së tij politike, në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2024, ai hodhi votën e tij për demokraten liberale dhe Zv/Presidenten tjetër, Kamala Harris, duke reflektuar se si republikanët populistë janë kthyer kundër konservatorizmit të tij tradicional.
Cheney vuante nga probleme kardiovaskulare gjatë gjithë jetës së tij si i rritur, duke i mbijetuar një serie atake në zemër, por ai jetoi një jetë të plotë dhe aktive, dhe jetoi për vite me radhë në pension pas një transplanti zemre në vitin 2012, të cilin e quajti “dhurata e vetë jetës” në një intervistë të vitit 2014.
Cheney, një ish-kongresmen sarkastik i Wyomingut, shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe sekretar i mbrojtjes, po ndërtonte një karrierë fitimprurëse në botën e korporatave kur George Ë. Bush e ngarkoi me verifikimin e kandidatëve të mundshëm për Zv/Presidentë. Kërkimi përfundoi me betimin e Cheney-t si numri dy i sprovuar për një president politikisht të papërvojë që kishte mbërritur në Zyrën Ovale pas një zgjedhjeje të diskutueshme.
Ndërsa karikaturat e Cheney-t si një “president i vërtetë” nuk pasqyrojnë plotësisht dinamikën reale të rrethit të ngushtë të Bush, ai gëzonte ndikimin e madh që ushtronte prapa skenave.
Cheney ishte në Shtëpinë e Bardhë më 11 shtator 2001, ndërsa Presidenti ishte jashtë Uashingtonit. Në momentin e tmerrit kur një aeroplan i dytë u përplas në Qendrën Botërore të Tregtisë në Neë York, ai tha se kishte ndryshuar – i vendosur për t’u hakmarrë për sulmet e kryera dhe për të projektuar fuqinë e SHBA-së në të gjithë Lindjen e Mesme me doktrina neokonservatore të ndryshimit të regjimit dhe luftërave parandaluese. /tesheshi.com/
