Pas “separatizmit”… frika franceze nga “infiltrimi islamik”!

Më të lexuarat

(1) Gradualizimi i ideve kryqtare

As diktaturat më të ashpra arabe nuk guxojnë të diskutojnë hapur për mënyrat e luftimit të një “infiltrimi të krishterë” ose “hebraik”, ashtu siç bën Franca.
Franca jo vetëm që e ka diskutuar këtë çështje publikisht – me gjithë fyerjen që bart shprehja ndaj Islamit – por edhe vetë presidenti i saj, “Macron”, thirri një mbledhje të Këshillit të Mbrojtjes në pallatin Élysée, pas një raporti të rremë që iu paraqit ministrit të Brendshëm, duke e vënë këtë titull tronditës.

Franca u mobilizua për të kërkuar mënyra për të ndalur përhapjen e Islamit brenda saj, ose – për të qenë më të saktë – për të frenuar përhapjen relative të Islamit në krahasim me rënien e fortë të lidhjes me krishterimin në zemër të burimit dhe fortesës së fushatave kryqtare.

Me pak fjalë, Franca ka një ligj të quajtur “Ligji i ndarjes” ose “separatizmit”, i miratuar 120 vjet më parë. Në atë kohë, myslimanët nuk ishin kaq të shumtë në Francë, e as nuk kishin një prani të dukshme, ndaj ligji fliste për ndarjen e fesë nga shteti, për lirinë e shprehjes dhe të besimit, dhe garantonte liritë publike e private pa përjashtuar myslimanët.

Më 17 shkurt 2021, Franca ndërmori hapin e parë kundër asaj që e quan “separatizëm islamik” – përmes një ligji të miratuar atë ditë – domethënë krijimin e komuniteteve myslimane të izoluara brenda Francës që zbatojnë sheriatin në brendësi të tyre. Por, meqë ky ligj adresonte një drejtim të kufizuar, një ndalim të pjesshëm të disa praktikave islame (edhe pse Franca është ndër vendet më fashiste evropiane në këtë drejtim), ajo nisi të kërkojë mjete të tjera për të frenuar përhapjen dhe ndikimin e Islamit në Francë, duke e ngushtuar hapësirën e myslimanëve aq sa të lejonte ligji – dhe duke u përpjekur ta bënte këtë ligj më “fleksibël” e më “gjithëpërfshirës” se Ligji i ndarjes, i cili nuk kishte parashikuar madhësinë e myslimanëve e ndikimin e tyre.

Tani Franca thotë se dëshiron “të korrigjojë gabimin e saj”. Juristët dhe mendimtarët u mblodhën për të diskutuar çështjen. Franck Fregosi, doktor i letërsisë franceze dhe një prej të interesuarve për ndikimin e Islamit në Francë, shprehet:
“Raportuesit dhe komisioni mbajtën seanca dëgjimore, udhëtuan brenda dhe jashtë Francës; morën mendime – përfshirë edhe timin – nga akademikë dhe ekspertë në çështjet islame. Raporti përmban gjithashtu një seksion të plotë që lidhet me shërbimet e sigurisë, i cili nuk është publikuar ende”.

Më pas, ministri francez i Brendshëm, kryetari i partisë republikane “Bruno Retailleau”, i njohur për ambiciet e tij presidenciale, publikoi raportin, i cili ishte përgatitur nga paraardhësi i tij, Gérald Darmanin, mbi një vit më parë. Retailleau nxori disa fragmente të tij në gazetën Le Figaro. Atëherë, ai përdori një shprehje alarmuese, duke thënë se “qëllimi përfundimtar është përmbytja e të gjithë shoqërisë franceze me sheriatin islamik, që përbën kërcënim për republikën”.

Por, përfundimet e raportit nuk dëshmuan se myslimanët francezë dëshironin të themelonin një “shtet islamik” në Francë apo të zbatonin sheriatin islamik – përkundrazi nga deklaratat e ministrit të Brendshëm! Ishte vetëm vullneti politik dhe fetar i mbizotëruar që e devijoi raportin nga kursi i tij, duke e mbushur me frikë e propagandë alarmuese.

Si zakonisht, ata nuk dëshironin ta akuzonin drejtpërdrejt Islamin (përveç disa shkrimeve paralele me raportin); ndaj huazuan akuzën nga regjimet arabe, duke shpërndarë idenë se ekziston një lëvizje e organizuar për “vëllazërizimin e myslimanëve” (ikhwanizimi), dhe më pas për “vëllazërizimin e shtetit”. Kështu, hartuan një plan për të kufizuar myslimanët – në ndikim e në adhurim – nën hijen e “ikhwanizimit” të shpallur si kërcënim.

Një debat parlamentar

Ky “ankth” dhe ky “ikhwanizim” ishin në qendër të një debati në Senatin francez, i zhvilluar në fund të majit të kaluar. Më 22 maj, deputeti André Reichardt nga partia republikane i parashtroi këtë pyetje ministrit të Brendshëm Bruno Retailleau:

“Zotëri ministër i Shtetit, ju vetë keni përmendur se ky raport është shqetësues dhe i dënueshëm; cilat masa ka ndërmend të ndërmarrë qeveria si përgjigje ndaj këtij vlerësimi të frikshëm?”

Ministri iu përgjigj: “Senator André Reichardt, sigurisht ky raport është shqetësues”. Dhe shtoi:
“Dua të theksoj se vendet më të ashpra ndaj Vëllazërisë Myslimane nuk janë demokracitë perëndimore, por vendet islame”.

Më tej sqaroi:
“Ka një dallim të madh mes asaj që quhet separatim dhe infiltrimi. Separatizmi është krijimi i komuniteteve të vogla të veçuara nga shoqëria kombëtare, ndërsa infiltrimi tenton të na detyrojë të ndryshojmë rregullat tona në mënyrë radikale, gjë që prek gjithë shoqërinë qytetare. Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me të njëjtën matrice politike që e shpikën Vëllazëria Myslimane që nga viti 1928, dhe që nuk ka ndryshuar deri sot. Ajo bazohet mbi epërsinë e sheriatit islam mbi ligjin e republikës, mbi nënvlerësimin e statusit të gruas dhe mbi antisemitizmin nën petkun e anti-sionizmit”.

Ministri përmblodhi synimin e raportit në dy boshtet kryesore:
1. Mbrojtja e karakterit republikan dhe kohezionit kombëtar të Francës, duke u mbështetur në një organizim më të mirë të shtetit dhe shërbimeve të sigurisë, si dhe duke shpërbërë institucionet islame të përmendura.
2. Çështja financiare, domethënë kuptimi i mënyrës se si u transferuan pasuritë dhe asetet e organizatës “BarakaCity” në Britani të Madhe pas shpërbërjes së saj, si dhe si u zhvendosën në Belgjikë asetet e “CCIF” (Kolektivi kundër Islamofobisë në Francë). “Ka boshllëqe që duhen mbyllur”, shtoi ai.

Si u përgatit raporti i njëanshëm?

Autorët e raportit vizituan dhjetë qarqe franceze dhe katër vende evropiane, duke zhvilluar mbi dy mijë seanca dëgjimore, sipas pallatit Élysée. Përveç literaturës shkencore të disponueshme mbi këtë temë, ata u takuan me rreth dyzet akademikë, me liderë myslimanë në nivel kombëtar dhe lokal, si dhe me institucione të ndryshme që merren me analizimin dhe monitorimin e fenomenit islamik.
Megjithatë, hartuesit këmbëngulën se “vëzhgimet” e tyre janë të pavarura nga “puna e organeve të specializuara”.

Në lidhje me reagimet ndaj vetë raportit, vetëm një numër i vogël deputetësh të majtë dhe disa aktivistë e gazetarë progresistë shprehën kundërshtim ndaj zbatimit të rekomandimeve të tij. Përveç kësaj, klima e përgjithshme politike dhe kulturore franceze është e mbushur me paragjykim dhe mobilizim kundër myslimanëve.
Prandaj, nuk është çudi që raporti nxori ato përfundime, dhe që më pas Këshilli i Lartë i Mbrojtjes t’i përdorte si bazë për nisjen e një fushate ndjekjeje ndaj institucioneve islame.

(Në pritje të pjesës tjetër…)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit