Ndryshe nga “bomba” që hodhi Macron para pesë vitesh, ai i befasoi të gjithë vitin e kaluar, më 2 maj 2024, kur hodhi një “bombë” edhe më të madhe, sërish në faqet e revistës The Economist, në një intervistë që dha aty. Ai tha me pak fjalë:
“Qytetërimi perëndimor mund të vdesë, fundi i tij mund të jetë brutal, dhe kjo mund të ndodhë më shpejt sesa mendojnë shumë njerëz.”
Nga “vdekja klinike” e NATO-s te kriza e Evropës
Pesë vjet më parë, presidenti francez Emmanuel Macron dha një deklaratë për revistën The Economist britanike që shkaktoi shumë zhurmë, kur tha se NATO – aleanca e themeluar në vitin 1949, e udhëhequr nga SHBA, dhe që sot ka 32 shtete anëtare – po vuan nga një “vdekje klinike”.
Atëherë bota politike dhe ushtarake u trondit: si mund të vinte një deklaratë e tillë nga kreu i një prej vendeve më të rëndësishme të NATO-s? Një realitet që ndoshta diskutohej në qarqet e brendshme të Evropës, por askush nuk e kishte guxuar ta thoshte hapur.
Shumë ekspertë besojnë se SHBA e ka futur qëllimisht Evropën në moçalin e luftës në Ukrainë, për ta shteruar ekonomikisht dhe për ta larguar nga ideja e krijimit të një ushtrie të vetën, që do ta bënte më të pavarur nga mbrojtja amerikane. Në fakt, Evropa nuk ka ushtri të vetën, por mbështetet tërësisht te NATO. Për këtë arsye SHBA ka baza të mëdha ushtarake pothuajse në çdo vend evropian, dhe Evropa financon ndjeshëm shpenzimet e aleancës.
Përpjekjet e dështuara për një ushtri evropiane
Pas krijimit të BE-së, u fol për një ushtri të përbashkët evropiane, por ajo nuk u realizua kurrë.
Në vitin 2015, autori i tekstit takoi në Berlin Volker Perthes, drejtor i atëhershëm i Qendrës Gjermane për Studime Strategjike – “truri mendues” i qeverisë Merkel. Ai i tha:
“Evropa po diskuton për ushtri të përbashkët, por kostoja është e madhe dhe e vështirë për t’u zbatuar. Më lirë është t’ia paguajmë SHBA-së dhe NATO-s.”
SHBA, sapo mësoi për këto ambicie, u shqetësua. Trump, në mënyrë të ashpër, u kërkoi evropianëve të paguanin më shumë për NATO-n. Më pas, Evropa u fut në kurthin e luftës së Ukrainës, një luftë shteruese për ekonominë dhe energjitë e saj.
Kancelari Olaf Scholz, pas presioneve amerikane për të mbështetur Ukrainën, shpalli një fond prej mbi 40 miliardë eurosh për të forcuar ushtrinë gjermane. Por ekonomia gjermane dhe ajo evropiane në përgjithësi po përkeqësohen shumë, dhe lufta në Ukrainë është bërë një luftë shterimi, duke bërë të vështirë sigurimin e këtyre fondeve.
“Vdekja brutale” e Evropës
Në intervistën e tij të fundit për The Economist, Macron tha:
“Vdekja e Evropës mund të jetë më brutale nga ç’mendojmë. Ajo po jeton tani një rrezik ekzistencial trefishtë: ushtarak e të sigurisë, ekonomik dhe demokratik.”
Deklaratat e Macronit i tronditën opinionet evropiane e perëndimore, sepse vijnë nga kreu i një prej shteteve më të mëdha të BE-së, dhe reflektojnë një realitet që qytetarët tashmë e ndjejnë. Ai madje kishte paralajmëruar se nuk duhej përjashtuar mundësia e dërgimit të trupave evropiane në Ukrainë – një ide që shumica e vendeve e refuzuan, ndërsa Hungaria e quajti kërcënim që mund të zgjerojë luftën.
Evropa në prag zgjedhjesh
Deklaratat e Macronit do të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjet e Parlamentit Evropian që mbahen në qershor 2024. Pyetja që ngrihet është:
A do të ndryshojnë këto zgjedhje hartën politike të Evropës?
Apo do ta fusin edhe më thellë në ankthin e “vdekjes brutale” që Macron paralajmëron?
(Shkrim i vjetër i Ahmed Mensur)
