🔻●DRUZËT●🔻
a. ● Përkufizimi i Druzëve ●
Druzët përfaqësojnë një fraksion derivat të Ismailizmit (shiitëve), që pretendon hyjnitetin e El-Hakim El-Ubejdi. Këtë emërtim e kanë marrë nga vetëatributimi i tyre në drejtim të Muhamed bin Ismail Ed-Drezi, i njohur me ofiqin “Neshtakin”, i cili pretendoi hyjnitetin e El-Hakim Biamrilahi El-Ubejdi (i cili ka ndërruar jetë në vitin 411 H).
b. ● Ofiqet e tyre ●
Druzët janë emërtuar me këtë emër në atribuim të Neshtakin Ed-Derzit. Ata nuk e preferojnë këtë ofiq, pasi parapëlqejnë të njihen si “Njësuesit”. Në kohët e fundit njihen si “Ali Maruf” ose “Beni Maruf”.
c.● Lindja dhe zhvillimi i tyre ●
Sekti në fjalë rrjedh nga ismailitët dhe për herë të parë është shfaqur në kohën e udhëheqjes së El-Hakim Biemrilah, rreth të cilit një grup njerëzish nisën të pretendonin hyjnitetin e figurës së tij. Kësaj nisme iu bashkua edhe Muhamed bin Ismail Ed-Derzi, i njohur me ofiqin “Neshtakin”, i cili i përkiste atij fraksioni batini që besonte në rimishërimin e shpirtrave. Ai iu bashkangjit El-Hakimit, duke e bërë të besonte se vetë ai zotëronte atribute hyjnore. E mbështeti ekonomikisht, e mbajti pranë vetes së tij dhe ia delegoi të gjitha çështjet. Neshtakin nisi të pretendonte hyjnitetin e El-Hakim, pretendim të cilin u orvat ta përcillte në territoret e Shamit. Ndjekësit e tij qenë të shumtë. Në rrugën e Neshtakin drejt përcjelljes së kësaj doktrine ishte edhe krahu i tij i djathtë, persiani Hamza bin Ali (i cili ka ndërruar jetë në vitin 433 H). Ky i fundit konsiderohet themeluesi i vërtetë i fraksionit Druz. El-Hakim qe pikërisht ai që e dërgoi Hamza bin Ali në drejtim të territoreve të Shamit për të përhapur doktrinën e hyjnitetit të tij.
Pasi e mobilizoi ekonomikisht Hamzain, El-Hakim iu drejtua me fjalët:
“Nisu drejt Shamit e përcille këtë doktrinë fillimisht në zonat malore, pasi banorët e tyre janë lehtësisht të bindshëm e nënshtruar!”
Ai veproi pikërisht kështu! Iu drejtua Shamit, i ftoi banorët e tij në pranimin e kësaj doktrine, i mbështeti ata ekonomikisht, ua lejoi konsumimin e alkoolit dhe ushtrimin e zinasë (kurvërisë). Gjithashtu, e konsideroi të lejuar derdhjen e gjakut të kontestuesve të kësaj doktrine, duke ua konfiskuar madje edhe pasurinë.
d. ● Burimet referenciale ●
Druzët përfaqësojnë një fraksion tepër të rezervuar ndaj publikimit të doktrinës. Ata posedojnë burimet e tyre referenciale, të cilat nuk mund t’i lexojë e studiojë vetëm se kleri fetar, dijetarët dhe disa njerëz specifikë, të njohur ndryshe me ofiqin “El-Ukal”/ (intelektualët).
Një nga klerikët e tyre bashkëkohorë pohon se druzët, në një nga fazat e transformimit të doktrinës së tyre, kanë arritur të jenë pasues realë të Islamit. Por më pas, ata u katapultuan në doktrinën e sotme druze.
Nga burimet e tyre referenciale më të rëndësishme është libri pseudo-i shenjtë “Rasail El-Hikme”, libër i cili konsiderohet përmbledhës i teksteve të shumta të formuluara nga themeluesit e sektit në fillesat e shekullit të 5-të H. Këto tekste, numri i të cilëve arrin në njëqind e njëmbëdhjetë, janë shkruar nga Hamza bin Ali, Ismail Et-Temimi dhe Ali Es-Semuki. Gjithashtu, ekziston një numër i konsiderueshëm tekstesh me autorë ende të panjohur.
Libri i shenjtë në fjalë shpërndahej në një mënyrë tepër sekrete, duke u mbajtur kështu i fshehtë nga njerëzit në përgjithësi dhe nga myslimanët në veçanti.
Një nga tekstet që ia vlen të përmendet në këtë kontekst është ai me numër tridhjetë e tre, i Hamza bin Aliut, i titulluar “Paralajmërim dhe tërheqje vërejtjeje”, ku përmendet:
> “Mbajeni të fshehtë librin tuaj të shenjtë nga ata që nuk janë të kualifikuar! Mos i privoni të autorizuarit për ta studiuar atë nga ky qëllim, pasi kushdo që e privon një të autorizuar nga ky qëllim, e ka përdhosur e shkelur amanetin dhe shenjtërinë e tij! Ai që ia dorëzon librin e shenjtë një personi të paautorizuar ka devijuar nga pasimi i të vërtetës. Lind detyrë juaja ruajtja dhe mbajtja e fshehtë e tij nga personat e paautorizuar. Libri ynë do të mbahet i fshehtë nën përkujdesjen e njerëzve të kualifikuar.”
Në kohët e sotme, druzët kanë ndërmarrë përsipër botimin e të ashtuquajturit “Kurani i druzëve” ose “i vetëmjaftueshmi”. Në librin e tyre të shenjtë “Rasail El-Hikme”, Hamza bin Ali përmend se vetë ai ka shkruar një libër të tillë të titulluar i “Vetëmjaftueshmi”, ku më pas Kemal Xhenbelat ka kontribuar me një shtojcë nga ana e tij. Në këtë libër konfirmohen vazhdimisht bindjet druze, ku më e shpeshta është konsiderimi i El-Hakim Biemrilah si Zot, me të gjitha të drejtat për t’u adhuruar.
Shkruajtësi i tij orvatet me çdo mënyrë të imitojë Kuranin Famëlartë. Madje, një nga dijetarët e tyre është shprehur se oratoria, retorika dhe stilistika e këtij libri gati sa nuk prevalon mbi Kuranin.
Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin Famëlartë:
> كَبُرَتْ كَلِمَةٍ تَخْرُجُ مِنْ أَفْوَهِهِمْ إِن يَقُولُونَ إِلَّا كَذِبًا (٥)
“Sa fjalë e rëndë është ajo që del nga goja e tyre! Ata flasin vetëm gënjeshtra.” ([813])
e. ● Doktrina e tyre ●
Doktrina druze është e strukturuar mbi bazat e doktrinës ismailite. Baza është doktrina ismailite, por mbi të janë mbivendosur bindje të tjera – bindje këto që kanë krijuar vijën dalluese mes ismailive dhe druzëve. Do të mjaftohemi me përmendjen e më të spikaturave prej tyre:
1. Bindja se El-Hakim Biemrilah zotëron atribute hyjnore.
Në librin “Rasail El-Hikme” përmendet:
> “I Lartësuar qoftë zotëria ynë El-Hakim mbi të gjithë zotërinjtë e tjerë! I Lartësuar është ai nga natyra njerëzore!” ([814])
Hamza bin Ali, në tekstin numër 5, atë “Premtimi” (për qëllim është ai premtim dhe zotim që jep cilido që dëshiron të bëhet pjesë e sektit) ([815]), thotë:
> “I mbështetem zotërisë sonë El-Hakim, të Vetmit, Unikut, Atij që çdo krijesë ia ndien nevojën; i Vetëmjaftueshëm është Ai kundrejt bashkëshortes. Pohoj me bindje të plotë dhe dëshmoj para shpirtit të tij se ai është distancuar ndaj të gjitha doktrinave, fraksioneve, sekteve e feve. Ne nuk aprovojmë gjë tjetër veç bindjes kushtuar zotërisë sonë El-Hakim – e lartësuar qoftë përmendja dhe përkujtimi i tij. Bindja ndaj tij konsiderohet adhurim. Askush nuk mund t’i shoqërohet El-Hakim në adhurim, qoftë ky person që i përket së kaluarës, së tashmes apo së ardhmes. Unë e kam dorëzuar shpirtin tim, trupin, pasurinë dhe çdo gjë që posedoj tek zotëria im El-Hakim – e lartësuar qoftë përmendja e tij. Gjithashtu, shpreh kënaqësinë dhe aprovimin tim kundrejt çdo gjykimi të El-Hakim, qoftë në interesin apo dëmin tim. Kurrsesi nuk mund t’i kontestoj vendimet apo sjelljet e tij, pavarësisht nëse më konvenojnë apo jo. Në momentin që unë dal nga feja e zotërisë sim El-Hakim, ndaj të cilit kam dëshmuar mbi shpirtin e tij, ose kontestoj diçka nga urdhërat dhe orientimet e tij, atëherë unë jam i mënjanuar dhe larg Mirëbërësit që e meriton të adhurohet. Do të qëndroj rigoroz dhe do t’i përmbahem të gjitha rregullave. Nëse veproj të kundërtën, meritoj të marr mbi supe dënimin e Mirëbërësit – e lartësuar qoftë përmendja e tij. Njësues i vërtetë dhe fitimtar është ai që beson e ka bindjen se nuk ka Zot të adhuruar në qiell e as imam në tokë përveç zotërisë sonë El-Hakim – e lartësuar qoftë përmendja e tij.” ([816])
2. Bindja se Allahu i shfaqet krijesave të Tij në trajtë njerëzore.
Behaudin Es-Semuki, në tekstin numër 67, thotë:
> “Kërkojmë mbrojtje prej Zotit nga mendimi se Ai është fshehur nga syri ynë dhe më pas na ka ngarkuar me përgjegjësinë e njohjes së Tij dhe zbatimin e urdhëresave. Përkundrazi, Zoti shfaqet në të njëjtën trajtë njerëzore.” ([817])
3. ● Rimishërimi ●
Me këtë doktrinë kanë për qëllim faktin se njeriu, nëse vdes, atëherë shpirti i tij rimishërohet në një tjetër trup. Ata shprehen:
> “Njerëzit janë krijuar menjëherë në një moment të vetëm dhe për këtë arsye numri i tyre është konstant, i pandryshueshëm.” ([818])
Në tekstin me numër 67 të librit të tyre të shenjtë thuhet:
> “A nuk është i pakontestueshëm për çdo njeri të logjikshëm, të zgjuar e që ka sadopak njohuri, fakti se pjesa dërrmuese e popullsisë botërore ka mbetur e pandryshuar, duke mos u shtuar e as pakësuar? A nuk është i vërtetë fakti se nëse numri i banorëve të tokës do të rritej sistematikisht me një person për çdo një mijë vjet, do të vështirësohej jetesa në tokë? Nëse në mënyrë sistematike numri i banorëve të tokës do të zvogëlohej me një person çdo një mijë vjet, atëherë ajo në një moment të caktuar do të boshatisej!” ([819])
Procesi i rimishërimit është arsyeja që i shtyn ata të pretendojnë se numri i njerëzve mbetet konstant, duke mos u shtuar e as pakësuar.
4. Bindja se i gjithë legjislacioni Islam në tërësi është shfuqizuar nga feja e tyre.
Në tekstin me numër 7 përmendet:
> “Zotëria ynë Mirëbërës e i Gjithëditur e ka shfuqizuar tërësisht legjislacionin që iu shpall Muhamedit.” ([820])
5. Konsiderimi i derdhjes së gjakut të pasuesve të Ehli Sunetit si një akt të lejuar.
Krahas derdhjes së gjakut, ata e lejojnë edhe gënjeshtrën dhe mashtrimin në dëm të tyre. Pasuesit e Ehli Sunetit përfaqësojnë për ta armiqtë më të rrezikshëm. Druzët pretendojnë se në Ditën e Gjykimit do të hakmerren kundrejt Ehli Sunetit, dhe gjithashtu Zoti do t’i japë mundësinë e rrënimit të Qabes. Në tekstin me numër 37 ceket:
> “Atë ditë Zoti do t’i thërrasë njerëzit e do të thotë: Ku janë ata që i adhuronit krahas meje e i konsideronit si ndërmjetësuesit tuaj? Pretendimi juaj tashmë është i pavlerë dhe nuk do t’ju sjellë aspak dobi! Zoti gjithashtu do të thotë: Ku janë ata që i adhuronit krahas meje? Ku janë pra ata që tekstet fetare i trajtonin vetëm aparencialisht? Ku janë shejtanët e tyre që arritën t’i devijojnë nga rruga e drejtë? Ata që i neglizhuan urdhëresat fetare – urdhëresa të cilat realisht e predispozojnë njeriun ndaj Zjarrit – dhe gjithashtu i pasuan orientimet e injorantëve, nuk do të kenë mundësi të përgjigjen. Fjala e vetme që do të mund të thonë është: Zoti ynë! Ne u dhamë pas epsheve të dunjasë dhe si të tillë ishim të humbur e zullumqarë!”
Në këtë moment, dënimi do të jetë mëse i meritueshëm për ta. Meshkujt do të vriten, gratë dhe fëmijët do të robërohen, dhe pjesa e mbetur do të paguajë obligueshmërisht xhizjen (taksën vjetore), duke qenë të nënshtruar.([821])
Sa i përket shkatërrimit të Qabes, Ali Es-Semuki, duke folur rreth shenjave të Kiametit, thotë:
> “Pabesimtarëve dhe renegatëve do t’u drejtohen dy tufane: ai i të luftuarit me shpatë dhe rrënimi i burimit të kufrit – pra vetë Mekës.”
f. ● Shtresat e tyre ●
Shoqëria druze është e ndarë në dy shtresa:
1. Intelektualët dhe dijetarët – të cilët përfaqësojnë shtresën e besimtarëve më të përkushtuar në mësimet e fesë dhe gjithashtu atë më të përzgjedhur të shoqërisë druze. Janë pikërisht këta të autorizuarit për t’u bërë pjesë e mbledhjeve sekrete ose e vendadhurimimeve të tyre.
2. Të paditurit – të cilët përfaqësojnë masën e shoqërisë druze. Atyre nuk u lejohet në mënyrë kategorike të marrin pjesë në mbledhjet sekrete. Gjithashtu, janë të privuar edhe nga dëgjimi i citateve të ndryshme nga librat e tyre të shenjtë, deri në Ditën e Ringjalljes. Pas kalimit me sukses të një provimi tejet të vështirë, anëtarët e kësaj shtrese mund të bëhen pjesë e asaj intelektuale.
B.● Vendshtrirja e tyre ●
■ Druzët gjenden në:
■ Liban
■ Palestinë
■ Mali Horan, i cili ka marrë emrin: “Mali i Druzëve.”
📛 h. ●Gjykimi fetar mbi Druzët●
Dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) shprehet:
> “Druzët dhe nusejritë janë pabesimtarë me unanimitetin e muslimanëve.
Nuk lejohet konsumimi i të therurave të tyre, nuk lejohen martesat e ndërsjellta dhe gjithashtu nuk u jepet mundësia e pagimit të xhizjes.
Ata konsiderohen renegatë e lëshues të fesë Islame.
Absolutisht nuk janë muslimanë, as hebrenj e as të krishterë.
Druzët nuk e pohojnë obligueshmërinë e pesë namazeve ditore, agjërimit të Ramazanit dhe kryerjes së Haxhit.
Nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që Allahu dhe i Dërguari i tij e ka konsideruar të tillë si konsumimi i të ngordhurës, alkoolit, etj.
Edhe nëse i shqiptojnë dy dëshmitë, ata cilësohen pabesimtarë me unanimitetin e të gjithë muslimanëve si rrjedhojë e bindjeve të lartpërmendura.”
📚 (Mexhmu El-Fetaua, Vëll. 35, fq. 161) [822]
Gjithashtu Ibën Tejmije thotë:
> “Përsa i përket druzëve, ata janë pasues të Heshtakin Ed-Derazi, të cilin e dërgoi El-Hakim tek banorët e luginës Tejimulla për t’i ftuar të besojnë në hyjnitetin e El-Hakimit, i njohur te ta si Dhënësi i jetës e i Gjithëdituri.
Përveçse betohen në emër të El-Hakim, druzët kanë bindjen se Muhamed bin Ismaili ka abroguar e shfuqizuar legjislacionin e Profetit Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Gjithashtu besojnë në ekzistencën e pafillimtë të universit, mohojnë procesin e ringjalljes, urdhëresat dhe ndalesat e Zotit.
Druzët janë më pabesimtarë se hebrenjtë, të krishterët dhe idhujtarët arabë.
Objektivi i tyre është të jenë filozofë sipas metodologjisë aristoteliane.
E gjithë doktrina e tyre është një përzierje mes metodologjisë zjarrputiste dhe asaj filozofike.
Shi’izmi është dukshëm një kamuflim e hipokrizi.”
📚 (Mexhmu El-Fetaua, Vëll. 35, fq. 161) [823]
📘 Referencat:
/Marr nga Eriad Shkreli fb/
Libri: Doktrinat e sekteve islame
Autor: Nasir bin Abdullah el-Kifari.
●> Ky libër iu shërben studimeve shkencore që bëhen në fushën e grupacioneve dhe sekteve Islame. Njohja e këtyre sekteve duhet të jetë thelbësore për një studiues e nxënës dijeje.
Në këtë libër mund të mësoni për devijimet e Shi’itëve, Havarixhëve, Zejdive, Huthive, Ismailive, Kaderive, Mu’tezilive etj.
Në këtë libër tregohen devijimet e këtyre sekteve dhe ofrohet përgjigjja e saktë e asaj çështjeje që ata devijuan, se si beson Ehli Suneti dhe Xhemati.
[813] Surja “El-Kehf”, ajeti 5.
[814] Rasail El-Hikme, fq. 312.
[815] (Shën. i autorit).
[816] Rasail El-Hikme, kapitulli “Premtimi”.
[817] Rasail El-Hikme, fq. 306.
[818] Doktrina Druze dhe teuhidi, fq. 56 – Abdullah En-Nexhar.
[819] Rasail El-Hikme, fq. 314.
[820] Rasail El-Hikme, fq. 56.
[821] Rasail El-Hikme, fq. 344.
[822] Mexhmu El-Fetaua, Vëll. 35, fq. 161.
[823] Mexhmu El-Fetaua, Vëll. 35, fq. 161.
