Pas ekzekutimit të pagesave direkte në vlerë prej 3,663,713 euro për sipërfaqet e fermerëve të mbjella me grurë, Ministria e Bujqësisë ka ekzekutuar pagesat direkte në vlerë prej 352,190 euro edhe për bletarët. Nga kjo mbështetje, e cila bletarëve sivjet po ju ofrohet për herë të parë, kanë përfituar gjithsej 769 bletarë, me gjithsej 35219 koshere bletë. Për të përfituar subvencione për bletë, në Ministrinë e Bujqësisë kishin aplikuar 1127 bletarë me gjithsej 54900 koshere, por vetëm 769 prej tyre kanë arritur t’i plotësojnë kriteret për subvencionim. Ndërsa, për shkak të deklarimit të rrejshëm të të dhënave dhe kontesteve të ndryshme, janë refuzuar gjithsej 358 bletarë, me 19681 koshere bletë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në Kosovë vlerësohet se janë rreth 6400 bletërritës, me rreth 75000 koshere bletë. Ndërsa, mesatarja e prodhimit të mjaltit në këtë vit, sillet në rreth 13 kilogramë për koshere bletësh.
Për t’i stimuluar bletarët që të rrisin numrin e bletëve, Ministria e Bujqësisë këtë vit i ka subvencionuar ata me nga 10 euro në koshere dhe kriter kryesor për të përfituar nga kjo përkrahje ka qenë që bletarët të kenë minimum 30 dhe maksimum 500 koshere bletë.koha/kohaislame