Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kryesuar delegacionin shqiptar në konferencën ndërqeveritare, ndërkohë janë hapur negociatat për grup-kapitujt në lidhje me marrëdhëniet e jashtme, politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes
Në Bruksel është mbajtur konferenca e tretë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), për hapjen e negociatave mbi grupkapituj të rinj për procesin e anëtarësimit në BE, raporton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kryesuar delegacionin shqiptar në konferencën ndërqeveritare, ndërkohë janë hapur negociatat për grupkapitujt në lidhje me marrëdhëniet e jashtme, politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes.
Kryeministri Rama, ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto dhe Marta Kos, komisionerja e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos, mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat.
Rama u shpreh se është e qartë që Evropa nuk është e bashkuar vetëm nga gjeografia, por sipas tij nga vlera, demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe siguria e përbashkët.
“Nuk ka dyshim në mendjen tonë se një Evropë me Ballkanin Perëndimor do të jetë më e fortë dhe më e bashkuar dhe do të jetë më e sigurt. Ndaj ambicia jonë nuk është sekret. Ne duam të sigurohemi që i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe që negociatat tona të mbyllen në vitin 2027 e me shpresë anëtarësimi jonë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade”, tha Rama.
Ministri Szijjarto, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së u shpreh se nën presidencën hungareze kanë arritur të përshpejtojnë politikat e zgjerimit dhe shtoi se Shqipëria ka treguar progres të shkëlqyer.
“I kuptojmë shumë mirë shqetësimet e rajonit dhe e kuptojmë shumë mirë edhe rëndësinë e qëndrueshmërisë, paqes, qetësisë dhe zhvillimit në Ballkanin Perëndimor. Në gjashtë muajt e fundit ne kemi bërë gjitha përpjekjet tona për të përshpejtuar procesin e zgjerimit”, tha Szijjarto.
Komisionerja Kos u shpreh se e vlerëson angazhimin e të gjithë shteteve anëtare të BE-së në këtë proces.
“Ky vendim i sotëm është gjithashtu dhe një sinjal për Shqipërinë, rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me tej që zgjerimi është prioritet për Bashkimin Evropian. Ne jemi të përkushtuar për të marrë rezultate të tjera dhe që të mund ta plotësojmë dhe përforcojmë unionin tonë në bazë të ndryshimeve gjeostrategjikë që po ndodhin”, tha Kos.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
/AA/