-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

A agjërohet dita e Arafatit nëse është ditë e shtunë?

Më të lexuarat

Pyetje: Si është çështja e agjërimit në ditën e shtunë? Disa e ndalojnë duke përmendur se ka hadith që e ndalon.

Përgjigje: Është e vërtetë që ka një hadith të tillë ku përmendet ndalesa, mirëpo nëpërmjet argumenteve të tjera fetare kuptohet se hadithi është keqkuptuar.

Bëhet fjalë për hadithin që Abdullah ibn Busri përcjell nga motra e tij es-Samma’ e cila tregon se Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Mos agjëroni në ditën e shtunë vetëm nëse qëllon agjërimi që Allahu ka bërë detyrë (farz) për ju.” Transmetuan Ebu Davudi nr 2421, Tirmidhiu nr 744 dhe Ibn Maxhe nr. 1726

Sqarimet e dijetarëve të ndryshëm për këtë hadith kanë ardhur në tre këndvështrime.

Një pjesë mendojnë se hadithi ka për qëllim kur agjëruesi do ta veçojë ditën e shtunë enkas nga ditët e tjera si një ditë të veçantë, por jo kur agjërimi ditë shtune ka arsyetim fetar ose përkon me ditë të shënuara si dita e Arafatit, tre ditët e bardha, dita e Ashurasë, etj. Për këtë vetë Imam Tirmidhiu si transmetues i hadithit menjëherë pas transmetimit thotë: “Kuptimi i mospëlqimit të agjërimit bën fjalë kur dita e shtunë veçohet me agjërim si një ditë e vecantë sepse hebrenjtë e madhëronin ditën e shtunë.”

Dijetarë të tjerë mendojnë se hadithi është i shfuqizuar si normë fetare (mensuh) dhe prej tij nuk mund të përfitohet gjykim fetar, që në rastin tonë është ndalesa. Prej tyre është vetë imam Ebu Davudi i cili githashtu e tregon këtë menjëherë pas transmetimit të hadithit në Sunenin e tij.

Ndërsa disa të tjerë mendojnë se hadithi nuk është i saktë, aq më tepër kur kundërshton hadithe të sakta. Imam Tahaviu në librin e tij të njohur “Sherhu meani el-Athar” 2/81 përcjell trasmetimin nga imam Zuhriu, njërit prej dijetarëve më të shquar të tabiinëve të vonshëm, i cili kur u pyet rreth agjërimit në ditën e shtunë kish thënë se nuk ka asnjë problem të agjërohet dhe se hadithi që tregon për ndalesën nuk është hadith i vërtetë.

Pa marrë parasysh se cili nga këto këndvështrime është më i saktë të gjitha bashkë tregojnë se agjërimi në ditën e shtunë nuk është i ndaluar në atë formë si na e paraqet pamja e parë e hadithit. Këto këndvështrime mbështeten në shumë transmetime të tjera ku mes tyre do të veçojmë këto hadithe:

Një ditë Profeti (alejhissalatu uesselam) hyri te Xhuvejrija ditë premte dhe ajo ishte me agjërim, andaj e pyeti: “A ke agjëruar një ditë përpara?” Ajo u përgjigj: Jo! E pyeti sërish? “A do agjërosh të nesërmen?” Ajo u përgjigj: Jo! Pas kësaj Profeti (alejhissalatu uesselam) tha: “Atëherë prishe agjërimin.” Transmetoi Buhariu nr 1986.

Nga Ebu Hurejre përcillet se Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Mos të agjërojë askush ditën e xhuma vetëm nëse e shoqëron me një ditë para ose një ditë pas.” Transmetuan Buhariu nr 1985 dhe Muslimi nr 1144.

Nga Abdullah ibn Amri shënohet se ka thënë: “Agjërimi ma i dashur te Allahu është agjërimi i Davudit, i cili agjëronte një ditë po një ditë jo.” Transmetuan Buhariu nr 3420 dhe Muslimi nr 1159.

Nga Ummu Selemeja përcillet se kur është pyetur për agjërimin e Profetit (alejhissalatu uesselam) ka treguar se ai agjëronte shpesh ditën e shtunë dhe ditën e djelë dhe thonte: “Këto janë dy ditë feste për idhujtarët andaj unë dua të veproj ndryshe.” Transmetuan Ahmedi nr 26750, Nesaiu në Sunenin e madh nr 27761, Ibn Huzejme nr 2167 dhe Ibn Hibbani nr 3616.

Nga sa thamë më sipër kuptohet qartë se agjërimi në ditën e shtunë nuk është i ndaluar dhe në rastet si agjërimi i ditës së Arafatit, ditës së Ashurasë e të ngjashme është e pëlqyeshme të agjërohet.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit