-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

KFOR-i kërkon që të mbahen përgjegjës personat që e sulmuan në Zveçan

Më të lexuarat

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, kërkoi që të përfshirët në sulmet ndaj pjesëtarëve të këtij misioni në Zveçan vitin e kaluar të mbahen përgjegjës.

Përmes një deklarate, në shënimin e njëvjetorit të protestave të dhunshme në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës – komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjenerali Ozkan Ulutas, tha se më 29 maj 2023, pjesëtarët e këtij misioni parandaluan “përshkallëzimin e mëtejmë të dhunës”.

Protestat e serbëve në veri të Kosovës, kundër kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it një vit më parë.

Një ushtar i lënduar i KFOR-it duke u bartur me barelë. Zveçan, 29 maj 2023.

Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda. Në njëvjetorin e protestave të dhunshme, KFOR-i tha se sulmet ishin “të paprovokuara dhe krejtësisht të papranueshme”.

“Sot ne nderojmë shërbimin dhe sakrificën e kolegëve tanë, të cilët vunë në rrezik jetën e tyre për të kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me misionin tonë që del nga mandati i Kombeve të Bashkuara. Kuraja e tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në atë zonë dhe parandaloi përshkallëzimin e mëtejmë të dhunës”, tha Ulutas, sipas një njoftimi të misionit të NATO-s në Kosovë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato u kryen nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Por, Serbia e mohoi një akuzë të tillë, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se dëshironte të shtynte serbët “drejt një konflikti me NATO-n”.

Në Kosovë deri më tani janë arrestuar dhjetë persona për dhunën në protesta dhe për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Më herët, KFOR-i ka deklaruar se shpresonte që Beogradi do të hetonte edhe ata persona “që u kthyen në Serbi” pas trazirave, duke thënë se pret që të gjithë autorët “të ndiqen penalisht”.

Mirëpo, institucionet kompetente në Serbi ende nuk kanë komentuar për këtë çështje, gjegjësit nuk dihet nëse autoritetet serbe janë duke zhvilluar ndonjë proces ndaj personave që morën pjesë në sulmin ndaj KFOR-it.

Majin e vitit të kaluar, serbët në veri protestuan kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill, pas bojkotimit të procesit zgjedhor nga serbët dhe partitë serbe.

Dhuna në veri bëri që NATO të dislokonte afër 1.000 ushtarë shtesë.

“Ne kemi rritur praninë tonë në veri të Kosovës, kemi trefishuar patrullimet përfshirë përgjatë vijës kufitare administrative. Ky ishte përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë dhe tregon se NATO qëndron e gatshme të ruajë paqen”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

*Video: Intervenimi i KFOR-it në Zveçan më 29 maj 2023

Për shkak të dhunës në veri majin e vitit të kaluar, por edhe sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator, KFOR-i rriti praninë ushtarak në Kosovë dhe tani ka rreth 4.700 ushtarë.

KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit