25.1 C
Pristina
Saturday, June 15, 2024

Shtëpia e Bardhë thotë se s’ka ndryshim të politikës karshi Izraelit pas sulmit në Rafah

Më të lexuarat

Shtëpia e Bardhë dënoi humbjen e jetës të dhjetëra civilëve si rezultat i një sulmi ajror izraelit në Rafah, por tha se nuk planifikon ndryshim të politikës si rezultat i veprimeve të Izraelit.

Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve më 28 maj se Izraeli nuk ka shkelur “vijën e kuqe” të presidentit Joe Biden, për ndalimin e armëve sulmuese në të ardhmen, sepse sipas SHBA-së, nuk do të nisë një pushtim tokësor në shkallë të plotë në qytetin jugor të Gazës.

Biden ka deklaruar më herët gjatë muajit se do të kufizonte furnizimet me armë për Izraelin, nëse ushtria e këtij shteti do të hynte në qendrat e banuara të Rafahut.

“Gjithçka që mund të shohim na tregon se ata nuk po lëvizin drejt një operacioni të madh tokësor në qendrat e banuara në qendër të Rafahut”, tha Kirby.

Nga sulmi izraelit i së dielës, shumica e të vrarëve ishin duke u strehuar në tenda.

Biden dhe këshilltarët e tij të lartë vazhdimisht kanë paralajmëruar izraelitët që të mos kryejnë operacione në shkallë të gjerë në Rafah, pa një plan për të ofruar siguri për civilët e pafajshëm. Megjithatë, administrata Biden e bëri të qartë se nuk do të kufizojë – të paktën jo menjëherë – mbështetjen për Izraelin për shkak të sulmit.

Udhëheqësit e tjerë botërorë kanë dënuar ashpër sulmin në Rafah.

Incidenti në këtë qytet në jug të Gazës ndodhi vetëm dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin që t’i japë fund ofensivës së tij ushtarake në Rafah, ku më shumë se gjysma e popullsisë prej 2. 3 milionë banorësh e Gazës është strehuar për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të enklavës. Dhjetëra mijëra persona vazhdojnë të jenë në Rafah, përderisa shumë të tjerë janë larguar.

Kirby tha se Biden “nuk merr vendime bazuar në popullaritet apo sondazhe të opinionit publik të realizuar këtu [SHBA] apo në mbarë botën”, por e pranoi që nuk është në interesin e SHBA-së apo “të partnerit tonë, Izraelit, që ai të izolohet edhe më shumë” në skenën botërore.

Ai dënoi humbjen e jetës së civilëve, që e cilësoi si të “tmerrshme”. Kirby shtoi se SHBA-ja po monitoron rezultatet e hetimit izraelit për sulmin.

“Ne e kuptojmë që ky sulm la të vrarë dy krerë të lartë të Hamasit [grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian] të cilët ishin drejtpërdrejtë përgjegjës për sulmet”, tha Kirby, duke shtuar se Uashingtoni ka thënë shpesh që Izraeli duhet të ndërmarrë çdo masë të mundshme për të mbrojtur jetën e të pafajshmëve.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite deri më tani në Gazë janë vrarë më shumë se 36.000 persona.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit