11.9 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

MINISTËR PSE MË PENGON TË SHKOLLOHEM E VESHUR?!

Më të lexuarat

O ministri im i nderuar … !

Kam disa pyetje për ty … !

Të lutem të më përgjigjesh sinqerisht … !


– Kur shoqja ime e bankës e veshur me minifund në emër të “emancipimit të shfrenuar” ka të drejtë të shkollohet, pse mua ma ndalon të shkollohem e veshur ashtu si më ka hije në emër të Krijuesit tim … ?!
– Pse ajo e gjysmë e zhveshur ka të drejtë të shkollohet, ndërsa unë e veshur komplet jo … ?!
– Përveç tjerash, ajo po i provokon edhe profesorët, edhe nxënësit dhe nuk po koncentrohet shumë në marrjen e diturive, sepse ajo e ka hallin se si të bëhet qendër e vëmendjes në shkollë, se si t’i tërheq shikimet e meshkujve dhe se si me dredhitë e saj amorale të krijoi mundësi që të bëhet mjet i shfryrjes së epshit dhe lodër në duart e pista të ndonjë pisi, kësaj i thua “femër e moderuar, e kulturuar, e emancipuar, e qytetëruar, e kohës, e evropianizuar” dhe ia hap dyert e shkollimit, bile në fund të shkollimit e fton edhe në mbrëmjen e maturës dhe ndjehesh krenar që pas shumë vitesh shkollimi, mundi e djerse, arrite të ia zhveshësh atë vajzë maksimalisht prindit duke ia kthyer në shtëpi me moral edhe më të ulët, ndërsa unë duke qenë krenare që jam shqiptare, duke qenë krenare që shkoj në shkollë me të vetmin qëllim për të marrë dituri, duke qenë krenare se nesër apo pasnesër mund të bëhem kuadër, zonjë dhe një personalitete që u bën gara popujve të tjerë dhe që do të mund të ia shndriti imazhin Kosovës, më pengon nga avancimi, zhvillimi dhe ecja para vetëm e vetëm pse unë dëshiroj të vi në shkollë me një shami në kokë, a nuk është absurde ministër kjo?!

– Duhet të ndalohet mbulimi i mendjes, e jo i kokës, ku janë ligjet dhe udhëzimet e ministrisë që nxjerrin jashtë stadiumit mësimor nxënësit e dyshuar apo të akuzuar për amoralitet, drogë, dehje nga alkooli, rrahje masive, dhunë, trafikim, vjedhje dhe për dukuri tjera, pse në shumë raste të tilla ka tolerancë, pse ligjet për rend dhe stabilitet në shkollë janë të dobëta dhe jo shumë funksionale, ndërsa mua si një muslimane që as buburrecin nuk e shkeli padrejtësisht, më pengon të vi në shkollë e veshur, pse ministër i nderuar, më trego, pse … ?!
– Nëse në një treg punojnë shumë njerëz me këpucë, mirëpo, vetëm njëri prej tyre ka të veshura çizme, a nuk është absurde për ty që dikush t’i thotë atij punëtorit me çizme që ti zbathë ato dhe t’i vesh këpucët sikur shumica, po pse t’i zhvesh ai çizmet kur dihet se ai po e kryen punën sikur të tjerët që kanë këpucë, kur dihet se ai do t’i kthehet familjes me para dhe ushqime sikur të tjerët, pse t’i bëhet atij një diskriminim i tillë … ?!

– Edhe unë si një muslimane me mbulesë e kam të njëjtin qëllim në shkollë sikur ato pa mbulesë, edhe unë i marrë dituritë e nevojshme, edhe unë sakrifikoj në ndërtimin e personalitetit tim që të bëhem nesër shembull për shoqërinë, e pse më privon nga shkollimi vetëm pse dua të vi e veshur, të lutem sinqerisht, më trego pse … ?!
– Çka ka lidhje a me shami, apo pa shami … ?!
Me rëndësi është që me ato dituri të bëhemi njeri, andaj, ministër pres përgjigje nga ti, unë edhe pse qëndroj jashtë shkollës, e dua shkollimin dhe shpresoj të mi hapësh dyert sa më shpejtë.

 

Përpunoi: Labinot KUNUSHEVCI

Shkrimi paraqet refleksionet personale të autorit dhe jo medoemos edhe qëndrimet e redaksisë Koha Islame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit