1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Përse u krijua njerëzimi? – Pyetje dhe përgjigje nga feja islame

Më të lexuarat

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!

Së pari: Një nga atributet më të mëdha të Allahut është Urtësia, dhe një nga emrat e Tij më të mëdhenj është El-Hakim ( i Urti).

Ai asgjë nuk e ka krijuar kot, i Lartësuar dhe i pa të meta është Allahu. Ai i krijon gjërat për arsye të mëdha, plot urtësi dhe për qëllime sublime. Ata që arrijnë t’i kuptojnë, i kuptojnë ato, dhe ata që nuk arrijnë t’i kuptojnë nuk kanë për t’i kuptuar.

Allahu na ka treguar në Librin e Tij fisnik se nuk e ka krijuar njerëzimin pa qëllim dhe nuk i ka krijuar qiejt dhe tokën pa urtësi. Allahu i Lartësuar thotë:

“Mos vallë, keni menduar që Ne u kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit tek Ne (për t’u gjykuar)?! I lartësuar është Allahu, Sundimtari i Vërtetë! S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Atij, Zotit të Fronit Madhështor! “ [El-Muminun 115, 116]

“Ne nuk e kemi krijuar qiellin dhe Tokën e ç’gjendet në mes tyre për të luajtur (pa qëllim).” [El-Enbija 21:16]

“Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre për t’u zbavitur. Ne i kemi krijuar ato me qëllim të plotë, por shumica e tyre nuk e dinë.” [Ed-Duhan 44:38]

“Hâ, Mîm. Ky Libër është shpallur prej Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Urtit! Ne i kemi krijuar qiejt dhe Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre me qëllim të plotë dhe me afat të caktuar. E megjithatë, mohuesit shmangen nga ajo që u është paralajmëruar.” [El-Ahkaf 46: 1-3]

Ashtu siç është provuar se ekziston urtësi prapa krijimit të njeriut nga pikëpamja e sheriatit (ligjit Islam), kjo gjë është provuar edhe nga këndvështrimi i arsyes. Njeriu i mençur nuk mundet të mos pranojë se gjërat janë krijuar për një arsye, dhe njeriu i mençur e pastron veten e tij që të jetë prej atyre që bën gjëra në jetën e tij pa ndonjë arsye. E si mund të ndodhë kjo me Allahun, Gjykatësin më të drejtë!?

Prandaj besimtarët e mençur e pohojnë Urtësinë në krijimtarinë e Allahut, ndërsa jobesimtarët e mohojnë atë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës ka shenja për mendimtarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë, dhe që meditojnë në krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë): O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar këto kot – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” [Al Imran 3: 190, 191]

Duke e përshkruar qëndrimin e jobesimtarëve ndaj urtësisë së krijimit të Tij, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk e krijuam qiellin dhe tokën dhe gjithçka që është midis tyre pa qëllim! Ky është vlerësimi i atyre që nuk besojnë. Mjerë ata që nuk besuan (në monoteizmin Islam) nga zjarri!” [Saad 38:27]

Shejh Abdu Rrahman es-Sadi (Allahu e mëshiroftë) thotë:

Allahu na tregon për Urtësinë e Tij të përsosur në krijimin e qiejve dhe të tokës, dhe se Ai nuk i ka krijuar ato kot d.m.th. për lojë dhe pa ndonjë qëllim të dobishëm. “Ky është vlerësimi i atyre që nuk besojnë” në Zotin e tyre, sepse ata mendojnë rreth Tij gjëra që nuk i përshtaten Madhështisë së Tij.

“Mjerë për ata që nuk besuan (në monoteizmin Islam) nga zjarri!” Sepse ky zjarr do hakmerret ndaj tyre dhe do t’i godasë aty ku duhet.

Allahu i krijoi qiejt dhe tokën me të vërtetën dhe për të vërtetën. Ai i krijoi ato në mënyrë që njerëzit të kuptojnë përsosmërinë e Dijes dhe Fuqisë së Tij, si dhe gjerësinë e Pushtetit që zotëron. Vetëm Ai duhet të adhurohet dhe jo ata që nuk kanë krijuar asnjë grimcë në qiej apo në tokë. Le ta dinë se Ringjallja është e vërtetë dhe se Allahu do të gjykojë midis njerëzve që bënë mirë ose keq.

Ai që nuk arrin t’a kuptojë urtësinë e Allahut. Të mos mendojë se Allahu do t’i trajtojë ata në mënyrë të barabartë kur t’i gjykojë. Allahu i Lartësuar thotë: “A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira me ata që bënë shkatërrime në Tokë?! A t’i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit mëkatarë?!” [Saad 38:28]

Kjo nuk i përshtatet urtësisë dhe drejtësisë së gjykimit Tonë. [Tefsir al-Sadi, fq. 712].

Së dyti: Allahu nuk e krijoi njeriun vetëm për të ngrënë, për të pirë dhe për t’u shumuar, sepse në këtë rast njeriu do të ishte si kafshët. Por Allahu e nderoi njeriun dhe e favorizoi atë në mesin e shumë prej atyre që Ai ka krijuar, e megjithatë shumë njerëz këmbëngulin në mosbesim. Në këtë mënyrë ata injoruan dhe mohuan urtësinë dhe arsyen e vërtetë të krijimit të tyre, dhe gjithçka që u interesoi ishte të shijonin kënaqësitë e kësaj bote. Jeta e njerëzve të tillë është si ajo e kafshëve, madje të tillët janë edhe më të humbur. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa ata që nuk besojnë kënaqen dhe hanë ashtu si hanë bagëtitë, dhe zjarri do të jetë vendbanimi i tyre.” [Muhamed 47:12]

“Lëri ata të hanë dhe të kënaqen, dhe le të preokupohen me shpresa (të rreme). Ata do të mësojnë!” [El-Hixhr 15: 3]

“Ne kemi paracaktuar për Xhehenemin shumë xhind dhe njerëz, sepse ata kanë zemra por nuk kuptojnë, kanë sy por nuk shohin, dhe kanë veshë por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më keq. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.” [El-Araf 7: 179]

Është i njohur fakti për njerëzit e mençur se ai që e bën diçka di më shumë rreth urtësisë që qëndron pas saj, më shumë se kushdo tjetër. Ndërsa për Allahun është shembulli më i përkryer: Ai është që i krijoi njerëzit dhe Ai e di më së miri urtësinë që qëndron pas krijimit të tyre. Askush nuk do t’a kontestonte këtë nëse bëhet fjalë për çështjet e kësaj bote. Për shembull; njerëzit në përgjithësi janë të sigurt se gjymtyrët e tyre fizike janë krijuar për një arsye (urtësi). Syri është për të parë, veshi për të dëgjuar, etj. A ka kuptim që gjymtyrët dhe organet e tij fizike të jenë krijuar për një arsye (urtësi), ndërsa vetë ai të jetë krijuar kot? Apo ai nuk pranon t’i përgjigjet Atij që e krijoi kur Ai i tregon arsyen e krijimit të tij?

Allahu na ka treguar se krijimi i qiejve dhe i tokës, i jetës dhe i vdekjes, është për qëllim sprovimi në mënyrë që të  sprovojë njeriun, t’i shpërblejë ata që i binden dhe t’i dënojë ata që nuk i binden. Allahu i Lartësuar thotë: “Është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë teksa Froni i Tij ndodhej mbi ujë, për t’ju vënë në provë kush është më i mirë në vepra. Nëse ti u thua: Ju do të ringjalleni pas vdekjes, – mohuesit me siguri do të thonë: Kjo nuk është asgjë tjetër përveçse magji e kulluar!” [Hud 11: 7]

“Ai e ka krijuar jetën dhe vdekjen për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë. Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i Madh.” [El-Mulk 67: 2]

Nga ky sprovim dalin në pah dhe manifestohen emrat dhe atributet e Allahut, siç janë emrat: Rrahman (i Gjithëmëshirshëm), el-Gafur (Falës i mëkateve), el-Hakim (i Urti), et-Teuab (Pranuesi i pendimit), Rrahim (Mëshirploti), dhe emra të tjerë të Allahut.

Një prej arsyeve më të mëdha për të cilën Allahu e krijoi njerëzimin, e që njëkohësisht është prej sprovave më të mëdha, është urdhëri për të pohuar Njëshmërinë e Tij (Teuhidin) dhe për t’a adhuruar Atë të Vetëm pa i shoqëruar askënd në adhurim. Allahu e ka deklaruar këtë arsye në krijimin e njerëzimit, duke thënë:

“Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Dharijat 51:56]

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në komentin e këtij ajeti thotë:

I kam krijuar në mënyrë që t’i urdhëroj për adhurimin ndaj Meje dhe jo se kam nevojë për ta. Ali bin Ebi Talha përcjell nga Ibn Abasi: “vetëm që të Më adhurojnë” d.m.th. që t’a pohojnë adhurimin ndaj Meje me dëshirë ose pa dëshirë. Kjo është përzgjedhja e Ibn Xheririt. Ndërsa Ibn Xhurejxhi ka thënë: D.m.th. vetëm që të më njohin Mua. Rabi ibën Enes tha: “vetëm që të Më adhurojnë” d.m.th. me qëllim të adhurimit. Tefsir Ibn Kethir, 4/239.

Shejh Abdu Rrahman es-Sadi (Allahu e mëshiroftë) thotë:

Allahu i Lartësuar e krijoi njerëzimin që vetëm Atë të adhurojnë, t’a njohin me emrat dhe cilësitë e Tij dhe për këtë i urdhëroi. Kush i nënshtrohet Allahut dhe e kryen atë me të cilën është urdhëruar, ai do të jetë i shpëtuar. Por kush largohet nga kjo, të tillët janë të humbur. Në mënyrë të pashmangshme Ai do t’i mbledhë ata të gjithë bashkë në botën tjetër, ku do t’i shpërblejë ose dënojë për ato që i urdhëroi dhe i ndaloi të bëjnë. Prandaj Allahu na tregon se si idhujtarët (politeistët) e mohuan shpërblimin dhe ndëshkimin, duke thënë:

“Por nëse do t’u thuash atyre: Ju me të vërtetë do të ringjalleni pas vdekjes, – ata që nuk besojnë me siguri do të thonë: Kjo nuk është gjë tjetër veçse një magji e dukshme.” [Hud 11: 7]

Pra nëse do t’u thonit këtyre njerëzve dhe do t’u flisnit për ringjalljen pas vdekjes ata nuk do t’ju besojnë. Përkundrazi, do t’i refuzonin fjalët tuaja me forcë dhe do të mohonin mesazhin që sollët, dhe do të thoshin: Kjo është magji, – por në fakt kjo është e vërteta e qartë. Tefsir es Sadi, fq. 333.

https://islamqa.info
Përshtati: Fatjon Isufi
https://udhaebesimtareve.com/

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit