2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

SHBA kërkon nga Izraeli të hetojë videon që tregon dronin izraelit duke vrarë 4 civilë palestinezë

Më të lexuarat

SHBA-ja ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Izraeli të hetojë “akuzat e besueshme për shkelje të ligjit të luftës”, pasi u zbulua një video që tregon një dron izraelit duke shënjestruar katër palestinezë të paarmatosur në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

I pyetur për videon, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Anadolu tha se “përmbajtja e videos është shqetësuese”.

“Nuk kemi verifikuar pamjet, por i kemi kërkuar izraelitëve më shumë informacion dhe një hetim. Izraeli ka detyrim të hetojë pretendimet e besueshme për shkelje të ligjit të luftës dhe të sigurojë përgjegjësinë e duhur për të parandaluar përsëritjen e çdo shkelje”, tha zëdhënësi.

Pamjet e transmetuara nga Al Jazeera thuhet se u kapën në muajin shkurt nga një dron izraelit në Khan Younis dhe tregojnë ndjekjen e katër të rinjve palestinezë dhe shënjestrimin e tyre me disa raketa.

https://x.com/aa_albanian/status/1771147052010852725?s=20

Dy prej tyre u vranë me raketën e parë, pastaj i treti dhe i katërti u vranë me dy raketa të tjera.

 

Nga pamjet duket qartë se katër civilët nuk mbanin armë dhe nuk përbënin asnjë kërcënim. Pasi dy të rinj u vranë në goditjen e parë, djali i tretë u pa duke u larguar nga vendi i shënjestruar, por droni e ndoqi dhe më pas e bombardoi.

Dje, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se kanë nisur një hetim mbi pamjet e transmetuara nga Al Jazeera.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.

Që atëherë, mbi 32 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe afër 74.300 të tjerë janë plagosur.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të shumicës së popullsisë së Gazës, ndërkohë që pjesa më e madhe e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit