Cila është “vija e kuqe” e Moskës nga shkelja e së cilës paralajmërohet hataja?
Një aleat i NATO-s i ka kërkuar Ukrainës që të kalojë një nga të ashtuquajturat “vija të kuqe” të presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa Kievi përballet me mungesën e armëve në fushën e betejës.
Putini ka paralajmëruar vazhdimisht vendet e NATO-s se rrezikojnë të zgjerojnë luftën nëse i japin Kievit armë të afta për të arritur objektivat brenda Rusisë. Pavarësisht kërcënimeve, armë të tilla iu dhanë Ukrainës, pa asnjë shenjë hakmarrjeje nga Putini.
Finlanda, e cila iu bashkua NATO-s vitin e kaluar, pavarësisht kundërshtimit të Putinit për zgjerimin e aleancës strategjike dhe duke përmendur shqetësimet për pushtimin e Ukrainës, miratoi një paketë të re ndihme ushtarake prej 205 milionë dollarësh për Ukrainën në fillim të këtij muaji, raportoi Newsweek.
Ministri finlandez i Mbrojtjes Antti Hakkanen tha se Ukraina mund të përdorë armët e ofruara nga Finlanda për të sulmuar objektivat brenda Rusisë, raporton The Kyiv Independent.
Hakkanen vuri në dukje se aleatët e tjerë të Ukrainës kanë ofruar “sisteme raketore me rreze të gjatë” dhe se ata kanë të drejtë të “specifikojnë se si duhet të përdoren”. Ai më pas i bëri thirrje Gjermanisë që të dërgojë raketat e saj me rreze të gjatë Taurus në Kiev “nëse duan të ndihmojnë Ukrainën të fitojë”. Anëtarja e parlamentit finlandez Jukka Kopra thuhet se shkoi një hap më tej, duke thënë se Ukraina “duhet” të përdorë armë të furnizuara nga Finlanda për të sulmuar “objektivat ushtarake në anën ruse”.
“Përndryshe, këto objekte ushtarake do të godasin palën ukrainase. Kjo është një luftë mbrojtëse absolutisht e ligjshme, që po zhvillon Ukraina. Karta e OKB-së lejon sulmin ndaj objektivave ushtarake përtej kufijve tokësorë,” tha Kopra.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg bëri komente të ngjashme, duke thënë se Ukraina ka të drejtën ligjore për të sulmuar “objektivat legjitime ushtarake” në Rusi me armë të furnizuara nga Perëndimi.
“Sipas ligjit ndërkombëtar, Ukraina ka të drejtën e vetëmbrojtjes. Dhe kjo përfshin gjithashtu sulme ndaj objektivave legjitime ushtarake, objektivave ushtarake ruse jashtë Ukrainës. Ky është ligji ndërkombëtar dhe sigurisht, Ukraina ka të drejtë të mbrohet,” tha Stoltenberg. /tesheshi.com/