“Njohja e shtetit të Palestinës nuk mund të bëhet derisa Hamasi është në Gaza, por se mund të ndodh derisa vazhdojnë negociatat mes liderëve izraelitë dhe palestinezë”, tha Cameron
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron deklaroi të enjten se vendi i tij mund të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës pas armëpushimit në Gaza pa pritur rezultatin e bisedimeve shumëvjeçare midis izraelitëve dhe palestinezëve për zgjidhjen me dy shtete, transmeton Anadolu.
Duke folur për agjencinë AP gjatë vizitës së tij në Liban, Cameron tha se njohja e shtetit të Palestinës nuk mund të ndodhë derisa Hamasi është në Gaza, por se mund të ndodhë derisa vazhdojnë negociatat izraelite me liderët palestinezë.
Njohja e shtetit të pavarur të Palestinës nga Britania, përfshirë Kombet e Bashkuara, “nuk mund të vijë në fillim të procesit, por nuk duhet të jetë në fund të procesit”, tha Cameron.
“Kjo mund të jetë diçka që ne jemi duke e shqyrtuar në këtë proces, në këtë përparim drejt një zgjidhjeje, të bëhet real. Ajo që duhet të bëjmë është t’i japim popullit palestinez një perspektivë drejt një të ardhmeje më të mirë, të ardhmes së shtetit të tyre. Kjo perspektivë është absolutisht jetike për paqen dhe sigurinë afatgjate në rajon”, tha Cameron.
Britania, SHBA-ja dhe vende të tjera perëndimore kanë mbështetur idenë e shtetit të pavarur palestinez përkrah Izraelit si zgjidhje për konfliktin, por kanë thënë se pavarësia e Palestinës duhet të vijë si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar. Që nga viti 2009, nuk ka patur negociata thelbësore.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka kundërshtuar publikisht krijimin e shtetit të pavarur palestinez pas luftës ndërsa javët e fundit madje është mburrur se ai kishte vepruar në parandalimin e shtetësisë palestineze.
Një lëvizje e disa prej aleatëve kryesorë të Izraelit për të njohur shtetin e Palestinës pa mbështetjen e Izraelit mund ta izolojë Izraelin dhe të bëjë presion që të ulet në tryezën e bisedimeve.
Cameron tha se hapi i parë duhet të jetë “pauza e luftimeve” në Gaza që përfundimisht do të shndërrohej në një “armëpushim të përhershëm dhe të qëndrueshëm”.