-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Cilat janë obligimet e prindit ndaj fëmiut të posalindur?

Më të lexuarat

Pyetje: Të nderuar, pranoni urimet më të mira për këtë web që po e mbani dhe çdo ditë kemi mundësi të jemi sa më shumë të informuar me këshilla islame. Allahu xh.sh. ju shpërbleftë me të mirat e Tij për punën që po e bëni dhe këshillat që po i jepni. Pyetja ime: Pres lindjen e vajzës tash, me ndihmën e Allahut shpresoj të shkoj mirë gjithçka. Ju lutem më njoftoni se si sipas Islamit i vihet emri fëmijës – procedurat. Në cilën ditë pas lindjes duhet vënë emrin fëmijës? A duhet të thirret ezani në veshin e fëmijës dhe të vehet emri? Kjo është çka kam lexuar në një libër, procedurat e emrit të fëmijës, s’di a është e saktë kjo? Jam në pritje të përgjigjes, motra juaj.

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nuk ka dyshim se fëmiu është dhuratë e madhe me të cilën Allahu (azzevexhel) e nderon njeriun, dhe për të cilën njeriu duhet të jetë falenderues ndaj Zotit të tij, si dhe të zbatojë atë me të cilën e ka urdhëruar Allahu dhe e ka porositur i Dërguari i Tij (salallahualejhivelseme).

Kështuqë, pas lindjes së fëmiut, Islami ka caktuar disa gjëra të cilat duhet të praktikohen dhe janë përgjegjësi e prindit ndaj fëmiut të posalindur. Prej tyre:

1-Thirrja e ezanit (me zë të ulët) në veshin e djathtë dhe ikametit në veshin e majtë të fëmiut:
Edhepse në lidhje me këtë çështje dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre:
-Disa prej dijetarëve janë të mendimit se është e pëlqyer thirrja e ezanit në veshin e djathtë dhe ikametit në veshin e majtë të fëmiut. Duke u bazuar në hadithe të dobëta për thirrjen e ezanit (që sipas disa dijetarëve arrijnë në shkallën e hadithit të mirë), dhe në hadithe shumë të dobëta të cilat flasin për thirrjen e ikametit në veshin e majtë.
-E disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se është mustehab – e pëlqyer që të thirret ezani në veshin e fëmiut të posalindur, dhe atë në momentin më të afërt që mundësohet thirrja e tij pas lindjes së fëmiut, dhe jo pas një jave apo në momentin që emërtohet fëmiu. Thirrja e ezanit me emërtimin e fëmiut nuk ka të bëjë fare.

Gjithashtu sipas këtij mendimi të dijetarëve, mjafton të thirret ezani në veshin e djathtë të fëmiut, ndërsa thirrja e ikametit nuk ka nevojë të praktikohet ngase hadithi për këtë është shumë i dobët.

Thotë Shejh Ibn Uthejmini: Sa i përket hadithit të ikametit në veshin e majtë, është hadith i dobët, ndërsa hadithi i ezanit në veshin e djathtë, nuk ka ndonjë të keqe në të, edhepse edhe për të kanë folur dijetarët, dhe kjo bëhet në momentin që lindë fëmiu..

Thotë Imam Ibn Kajjimi: Urtësia e thirrjes së ezanit është që gjëja e parë që e dëgjon njeriu të jetë emri i Allahut, dhe dëshmia e fjalës me të cilën hyn njeriu në Islam. (Tuhfetul vedud bi ahkamil meulud)
-Ndërsa disa të tjerë prej dijetarëve janë të mendimit se nuk është e pëlqyer fare thirrja e ezanit e as e ikametit për fëmiun e posalindur, ngase të gjitha transmetimet të cilat flasin për këtë çështje janë të dobëta. Ky është dhe mendimi i Imam Malikut (rahimehullah). Ndërsa hadithin e thirrjes së ezanit, shumica e dijetarëve e kanë llogaritur të dobët.

Kështuqë mendimi të cilin mendojmë se është më i saktë, është se nuk ka nevojë të thirret ezani e as ikameti në veshin e fëmiut, ngase për këtë nuk ka argumente të cilat vërtetojnë se një gjë e tillë është prej sunetit të Pejgamberit (salallahualejhiveselem).

Argumentet e atyre të cilët mendojnë se është sunet:
Transmetohet nga Ebu Rafiu i cili thotë: “E kam parë Pejgamberin (salallahualejhiveselem) duke e thirrur ezanin në veshin e Hasanit të birit të Aliut, në atë moment që Fatimeja e lindi atë”. (Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, ndërsa Imam Ibn Haxheri thotë se hadithi është i dobët – Telhisul Habir 4/149)
Transmetohet nga Ibn Abasi i cili thotë se: “Pejgamberi (salallahualejhiveselem) e thirri ezanin në veshin e Hasanit të birit të Aliut, në atë ditë që lindi ai. E thirri ezanin në veshin e djathtë të tij, dhe ikametin në veshin e majtë të tij”. (Transmeton Bejhekiu, ndërsa ky hadith është i shpifur. Në transmetimin e tij gjendet Hasen ibn Amër ibn Sejfi, për të cilin imam Buhariu thotë se është gënjeshtar – Tarihul Kebir 2/299)

Dhe transmetime tjera të ngjashme me këto, të cilat dijetarët i kanë klasifikuar në hadithe të dobëta apo të shpifura.

Thotë Muhadithi Sulejman bin Nasir Ulvan: Nuk ka ndonjë argument të vërtetë në lidhje me këtë çëshjte, andaj edhe thirrja e ezanit (në veshin e fëmiut) nuk është mustehab (e pëlqyer).

Kështuqë muslimani nuk ka nevojë të veprojë një gjë të tillë, ngase argumentet që flasin për këtë janë të dobëta. Edhepse ata të cilët përkrahin mendimin e dijetarëve të cilët thonë se është mustehab, mund të veprojnë me mendimin e tyre, për t’ia mundësuar fëmiut që të dëgjojë së pari herë emrin e Allahut. Edhepse kjo nuk i bën dobi atij, nëse ai nuk e pason fjalën e Allahut pasi të rritet. Sa prej njerëzve që iu është thirrur ezani, sot ia kanë kthyer shpinën Dinit të Allahut, dhe nuk iu ka bërë dobi dëgjimi i emrit të Allahut për herë të parë në jetën e tyre?! Dhe sa prej njerëzve që nuk iu është thirrur ezani fare, dhe kanë lindur në familje të jomuslimanëve, sot e kanë përqafuar Islamin dhe janë prej njerëzve më të devotshëm?! Gjithashtu, fëmiut të posalindur edhe nëse i këndohet në vesh ndonjë gjë, ai nuk është në gjendje të kuptojë dhe të mbajë në mend asgjë prej asaj që i është kënduar.

2-Lyerja e nofullës së fëmiut me lëng të hurmës, apo me ndonjë gjë të ëmbël:
Transmetohet nga Aisheja (radijallahuanha) e cila thotë se: “Pejgamberit (salallahualejhiveselem) i vinin (njerëzit) me fëmijët e tyre, dhe ai i bekonte ata dhe përtypte ndonjë hurmë, dhe pastaj me lëngun e saj ua përshkonte nofullën atyre”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Thotë Imam Neveviu: Janë pajtuar të gjithë dijetarët se është e pëlqyer lyerja e nofullës së fëmiut me lëngun e hurmës, e nëse nuk ka mundësi (të gjejë apo të përdorë atë), atëherë me ndonjë gjë të ngjashme me të prej ëmbëlsirave, e merr dhe e përtypë atë, e pastaj me të përshkon nofullën e fëmiut.. (Sherhu Nevevij ala Muslim 14/122)

Kështuqë është e pëlqyer që prindi të përtypë ndonjë hurmë, apo ndonjë gjë të ëmbël, dhe pastaj me të të përshkon nofullën e fëmiut të posalindur.
Edhepse një pakicë e dijetarëve janë të mendimit se kjo gjë ka qenë e veçantë vetëm për Pejgamberin (salallahualejhiveselem) dhe jo për të tjerët, por më e saktë është se kjo gjë është e pëlqyer për të gjithë, ngase kështu kanë vepruar edhe sahabet, edhe të tjerët pas tyre. (El-Bidajeh ven-Nihiajeh 9/303)

3-Rruajtja e flokëve të fëmiut (dhe dhënia e peshës së tyre lëmoshë):

Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Secili fëmijë (mashkull) është i lidhur me akikën (kurbanin) e tij që therret për të në ditën e shtatë, dhe emërtohet në të (në ditën e shtatë) dhe i rruhet koka e tij”. (Transmeton Tirmidhiu dhe Ebu Davudi, dhe Shejh Albani këtë hadith e cilëson si të vërtetë – Irvaul Galil 1165)

Gjithashtu dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre, në lidhje me rruajtjen e flokëve të fëmiut femër, ngase në hadith është përmendur vetëm fëmiu mashkull. Por, sipas medhhebit Malikij dhe Shafi’ij, është e pëlqyer rruajtja e flokëve të fëmijëve si për meshkujt ashtu edhe për femrat, duke mos bërë dallim ndërmjet tyre.
Ndërsa në lidhje me dhënien e peshës së tyre sadaka, dijetarët gjithashtu kanë ndryshuar mendimet e tyre, varësisht nga mendimi i tyre në lidhje me hadithin që flet për këtë çështje.
Transmetohet nga Muhamed ibn Alij ibn Husejni i cili thotë: “I peshoi Fatimeja bija e të Dërguarit të Allahut (salallahualejhiveselem) flokët e Hasanit dhe Husejnit, dhe pastaj dha sadaka sa pesha e tyre argjend”. (Ky hadith është i dobët, për shkak të shkëputjes që ekziston në zinxhirin e këtij transmetimi, ngase Muhamed ibn Alij ibn Husejni nuk ka dëgjuar prej Fatimes radijallahuanha). Gjithashtu dhe Shejh Mustafa El-Adevij e llogaritë këtë hadith prej haditheve të dobëta, si dhe hadithet tjera të cilat flasin në lidhje me këtë çështje.

Kështuqë dijetarët që e llogarisin këtë transmetim si të mirë, mendojnë se është e pëlqyer dhënia e peshës së flokëve sadaka, ndërsa dijetarët që e llogarisin hadithin të dobët, mendojnë se mjafton të rruhen flokët e fëmiut, dhe nuk ka nevojë për to të jepet sadaka.

4-Emërtimi i fëmiut me emër të mirë:
Emërtimi i fëmiut mund të bëhet në ditën e parë, apo në ditën e shtatë pas lindjes së tij, apo edhe brenda këtyre ditëve.
Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Më ka lindur sonte një djalë, të cilin e kam emërtuar me emrin e babait tim (babait të pejgamberëve) – Ibrahim”. (Transmeton Muslimi 3126)

Dhe thotë Aisheja (radijallahuanha): “Therri kurban Pejgamberi (salallahualejhiveselem) për Hasanin dhe Husejnin në ditën e shtatë, dhe i emërtoi ata (në atë ditë)”. (Transmeton Ibn Hibani dhe Hakimi, ndërsa Imam Ibn Haxheri thotë se hadithi është i vërtetë – Fet’hul Bari 9/589)

Është përgjegjësi e prindit që ta emërtojë fëmiun e tij me emër të bukur dhe me kuptim të mirë. Me ndonjë emër të pejgamberëve, si: Adem, Salih, Shuajb, Ibrahim, Ismail, Junus, Musa, Zekerija, Jahja, Isa, Muhamed, dhe me emra të tjerë të pejgamberëve. Apo me ndonjë emër të sahabeve, si: Ebu Bekër, Omer, Othman, Ali, Talha, Zubejr, Hamza, Hudhejfe, Seid, Sead, Hasan, Husejn, dhe me emra të tjerë të sahabeve. Apo me emra të cilët kanë kuptim të mirë, qofshin ata edhe në gjuhën shqipe. Duke mos harruar se emrat më të dashur tek Allahu, janë emri: Abdullah dhe AbduRrahman.

Dhe për femrat, si emri: Merjem, Hadixhe, Aishe, Hafsa, Safijeh, Fatimeh, Zejneb, Esma, Xhemile, Sumeja, etj. Apo qoftë edhe në gjuhën shqipe, vetëmse të jetë me kuptim të mirë. Emri i fëmiut nuk vëndohet duke i kënduar atij hoxha ezanin apo ikametin në vesh, apo duke i përmendur emrin e tij tri herë në vesh, apo me gjëra tjera me të cilat manipulohet populli i cili nuk ka njohuri për këtë. Por, emri i fëmiut mjafton të caktohet prej familjes, dhe ashtu siç vendosin ata që të quhet ai, ashtu edhe emërtohet dhe e thërrasin me atë emër, pa i kënduar ndonjë gjë në veshin e tij.

5-Akika – Therrja e kurbanit për fëmiun e posalindur:
Therrja e kurbanit (akika) për fëmiun e posalindur është sunet i fortë sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Dhe kjo bëhet në ditën e shtatë, duke u bazuar në hadithin e lartpërmendur, i cili thotë: “Secili fëmijë është i lidhur me akikën (kurbanin) e tij që therret për të në ditën e shtatë..”.
E nëse nuk ka mundësi që ta therrë në ditën e shtatë, atëherë e therrë kurdo që t’i mundësohet ajo. Për fëmiun mashkull therren dy dele, ndërsa për atë femër therret vetëm një dele. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Për fëmiun djalë dy dele, dhe për atë vajzë një dele”. (Transmeton Tirmidhiu dhe Nesaiu, dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë)
Me mishin e akikës (sipas mendimit më të saktë) mund të veprojë si të dojë ai që e ka therrur atë. Mund të ushqehet me të, t’ua shpërndajë familjes atë, apo t’ua shpërndajë të varfërve atë. 6-Synetimi: Synetimi është suneti i Ibrahimit (alejhiselam) dhe i pejgamberëve pas tij. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Është bërë synet Ibrahimi (alejhiselam) pas moshës tetëdhjetë vjeçare”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Dhe sipas mendimit më të saktë, synetimi është vaxhib – i obliguar për meshkujt. Ndërsa për kohën e synetimit, nuk ka ndonjë argument i cili e cakton atë. Edhepse më mirë është të bëhet synetimi i fëmiut, kur është ai më i vogël. E nëse vonohet synetimi nuk ka mëkat, përveç nëse arrin në moshën madhore (në bylyk), atëherë për këtë vonim ka mëkat para Allahut (azzevexhel).

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit