Njeriu është një qenie e përbërë prej shpirtit dhe trupit. Ashtu sikurse ka nevojë trupi për ushqime që hahen e pihen, edhe shpirti ka nevojë për ushqim të përshtatshëm. Ushqimi më i rëndësishëm për shpirtin tonë është besimi i shëndoshë.
Njeriu gjithmonë ndien nevojën për t’i besuar një qenieje të lartë më të fuqishme se vetvetja. Kjo shfaqet haptazi, dhe më së shumti, në çastet kur njeriu ndodhet në gjendje të vështirë e të pashpresë. Atëherë, ai ndien nevojën për t’u mbështetur tek ajo Qenie e Lartë. Ai, që njeriu ndien nevojë për ta besuar, që e adhuron dhe prej të cilit pret ndihmë, është Zoti. Njeriu është krijuar në atë mënyrë që të mund ta kuptojë se Zoti ekziston dhe është një. Në sajë të arsyes së dhënë në krijim, njeriu e ka pranuar ekzistencën e Zotit dhe e ka besuar Atë.
Besimi (imani) si fjalë, nënkupton bindje të fuqishme e të palëkundur në qenien dhe drejtësinë e diçkaje. Ndërsa, sipas terminologjisë islame, besimi është bindja në vërtetësinë dhe drejtësinë e Allahut dhe gjithçkaje të zbuluar profetit, Muhamedit (a.s.), nga ana e Allahut. Kjo është shkalla e parë e besimit. Besimi vërtetohet me zemër dhe shprehet me gojë. Pra, në besim, gjuha dhe zemra e njeriut duhen të jenë një.
Njeriu lidhet sinqerisht pas asaj që beson, prandaj zemra e pranon në brendësi besimin dhe e përforcon atë edhe me arsyen, sepse besimi nuk arrihet me detyrim apo frikë. Në Islam, besimi është vepra e mendimit, arsyes, ndjenjës dhe dashurisë, është punë e zemrës dhe e mendjes. Në Kur’an, Allahu (xh.sh.) thotë: “Nuk ka detyrim në fe…”[1]. Pra, besimi arrihet me arsye, dashuri, dëshirë e dituri.
Besimi në Islam shprehet shkurtimisht dhe në mënyrë të përmbledhur me dëshminë:
أَشْهَدُ أَنْ لاَ إِلٰهَ إِلاَّ اللّٰهُ وَأَشْهَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُهُ وَرَسُولُهُ
“Esh’hedu en la ilahe ilallah ue esh’hedu enne Muhameden abduhu ue resuluhu”. Kjo dëshmi quhet “Fjala e Dëshmisë”. Kuptimi i saj është: (Deklaroj se nuk ka zot tjetër, i cili meriton adhurim dhe nënshtrim veç Allahut dhe deklaroj se Muhamedi (a.s.) është rob dhe i dërguari i Tij).
Parimet (kushtet) e besimit në fenë islame janë gjashtë. Ata janë:
آمَنْتُ بِاللّٰهِ وَمَلاَئِكَتِهِ وَكُتُبِهِ وَرُسُلِهِ وَالْيَوْمِ اْلآخِرِ وَبِالْقَدَرِ خَيْرِهِ وَشَرِّهِ مِنَ اللّٰهِ تَعَالَى
“Amentu bil’lahi, ue melaiketihi, ue kutubihi, ue rusulihi, uel jeumil ahiri, ue bil kaderi hajrihi ue sherr’rrihi minallahi te’ala”.
(I besova Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, profetëve të Tij, Ditës së Fundit, në përcaktimin e Zotit që e mira dhe e keqja vjen prej Tij).
آمَنْتُ بِاللّٰهِ BESIMI NË ZOT
Besimi te Allahu është parimi i parë i besimit. Një njeri i arsyeshëm, duke vështruar gjithësinë dhe të gjitha qeniet e gjalla e jo të gjalla që ndodhen në të, e kupton se ekziston një Zot Fuqiplotë që i ka krijuar ato.
Njeriu mund ta kuptojë ekzistencën e Allahut, duke bërë një sërë shqyrtimesh në botën e tij të brendshme dhe në botën e jashtme, e cila e rrethon. Për shembull, duke vështruar rregullsinë në organet e veta, përsosmërinë e funksionimit të tyre, njeriu kupton se kjo përsosmëri, nuk mund të arrihet me fuqinë e qenieve të krijuara. Veçanërisht, duke vështruar rregullsinë në natyrë, njeriu kupton se, malet dhe detet, stinët, ditët dhe netët, dielli dhe hëna, nuk mund të lëvizin vetvetiu në mënyrë të harmonishme. Një njeri i arsyeshëm, e kupton se prania e ujit në përbërjen e gjallesave, se vënia në lëvizje e reve nga era dhe se e gjithë kjo rregullsi, p.sh., ringjallja e tokës së vdekur pas rënies së shiut, nuk mund të ekzistojnë, të kryhen vetvetiu dhe, si përfundim i kësaj, arrin në pranimin e ekzistencës dhe njësimit të Zotit.
Në Kuranin Fisnik, Allahu ekzistencën dhe njësimin e Tij ua parashtron kështu atyre që kanë arsye:
“Thuaj: Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”[2]
Meqë Zoti e di se robërit, krijesat e Tij, do të mendojnë se mund të ketë më shumë se një krijues, na e tërheq vëmendjen në këtë çështje dhe na sqaron kështu:
“Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte Zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin”[3]
Prandaj ne e besojmë ekzistencën e Allahut ashtu siç është bërë e ditur në Kuran, i zbatojmë urdhrat e Tij dhe i ruhemi gjërave të ndaluara prej Tij.
Atributet e Allahut
Për ta njohur më mirë Atë, Zoti ynë i Madh e qartëson Veten në Kuran rreth atributeve të Veta. Për t’i besuar Allahut ashtu siç duhet, duhet t’i njohim edhe atributet e Tij.
Meqenëse nuk mundemi ta njohim dhe ta mendojmë individualitetin e Allahut, e njohim Atë me anë të emrave dhe atributeve dhe ashtu e besojmë. Lidhur me këtë çështje, në Kuran thuhet:
“Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë.”[4]
Edhe Profeti ynë, Muhamedi (a.s.), ka folur për këtë. Ai ka thënë: “Mendoni për krijesat e Allahut, por mos mendoni për qenien e Allahut. Padyshim ju s’keni aspak fuqi për këtë!”[5]
Atributet e Allahut janë trajtuar në dy grupe:
- Atributet individuale (Dhatije)
- Atributet qenësore (Thubutije)
Atributet individuale
Këto janë atribute të posaçme vetëm për individualitetin e Zotit dhe nuk ndodhen te asnjë qenie e krijuar. Atributet individuale të Zotit janë gjashtë:
- Ekzistencë (vuxhud). Zoti ekziston. Ekzistenca e Tij është e një forme të posaçme vetëm për Të. Nuk mund të mendohet inekzistenca e Tij.
- I Pafillim (kidem). Zoti është i paraqenë, ekzistenca e Tij nuk ka fillim. Për ekzistencën e Zotit nuk mund të mendohet një fillim. Sado të kthehemi pas në kohë, nuk mund të mendohet një pikë kohore kur Zoti të mos ketë ekzistuar.
- I Pafund (beka). Zoti është gjithashtu, i përhershëm. Ekzistenca e Tij nuk ka fund. Edhe pasi gjithçka të zhduket, Zoti do të ekzistojë.
- Njësimi (vahdanijet). Zoti është një i vetëm. Nuk ka Krijues tjetër veç Zotit. Ai nuk ka të barabartë. Çdo gjë tjetër përveç Allahut janë krijesa të Tij.
- Pangjashmëri ndaj krijesave (muhalefetun li’l hauadith). Nuk i ngjason asnjë prej krijesave. Zoti është i ndryshëm prej qenieve të krijuara.
- Ekzistencë në vetvete (kijam bi nefsihi). Ekzistenca e Zotit është nga vetvetja dhe në vetvete. Nuk ka ndonjë qenie tjetër, ndonjë vullnet dhe fuqi që të jetë shkak i ekzistencës së Tij.
Atributet qenësore
Këto atribute shumë të kufizuara ndodhen edhe te njeriu, në mënyrë të ndërmjetshme, sepse janë të dhuruara nga Allahu. Kurse atributet e Zotit janë të pakufizuara dhe të drejtpërdrejta. Atributet qenësore të Allahut janë tetë:
- Jetë (hajat). Zoti është i gjallë. Zoti ka një jetë të posaçme vetëm për Të dhe është i pavdekshëm.
- Dituri (ilm). Zoti di gjithçka. Dituria e Zotit është e pakufishme dhe e pafundme. Zoti di të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Dituria e Tij përfshin gjithçka.
- Vullnet (irade). Zoti dëshiron dhe çdo gjë që dëshiron Ai, bëhet në çast. Ai thotë vetëm “Bëhu!” dhe bëhet. Gjithashtu, ajo që nuk dëshiron Ai, s’bëhet.
- Fuqi (kudret). Zoti ka fuqi për çdo gjë. Ai është i plotfuqishëm. Ai s’ka nevojë për mbështetjen e dikujt apo diçkaje tjetër. Zoti ka fuqi të pafundme.
- Dëgjim (sem’). Zoti dëgjon gjithçka të hapur e të fshehtë. Fuqia e Zotit për të dëgjuar është e pakufizuar. Ai dëgjon në çdo çast dhe në tërë gjithësinë se ç’thonë krijesat e Tij.
- Shikim (basar). Zoti sheh gjithçka. Shikimi i Zotit është i pakufizuar. Ai sheh atë që është larg, afër, i fshehur e i dukshëm.
- Fjalë (kelam). Zoti flet. Për të folur, Ai s’ka nevojë për fjalë dhe zë. E folura e Tij është e posaçme vetëm për Të.
- Krijimi (tekuin). Zoti krijon. Ai krijon nga asgjëja. Zoti ka krijuar gjithësinë dhe të gjitha qeniet që ndodhen në të. Për të krijuar, Atij s’i nevojitet asgjë.
Dashuria për Allahun
Dashuria për Allahun është rrjedhojë e domosdoshme e besimit tek Ai. Njeriu që e beson Allahun, duhet ta dojë Krijuesin e Lartë, i Cili i ka dhënë njeriut dhunti e mirësi të pafundme. Është e pamundur të numërohen dhuntitë që Allahu i Lartësuar na ka dhënë. Ai ka krijuar për ne botën ku jetojmë, qiellin, tokën. Na ka dhënë ajrin, që të mund të jetojmë, ujin, që të përfitojmë prej të mirave të tij etj. Në lidhje më këtë Allahu në Kuran thotë: “Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot.”[6]
Si përgjigje ndaj këtyre dhuntive, Allahu i Lartë kërkon prej nesh vetëm ta besojmë, ta adhurojmë e ta duam. Dashurinë për Allahun duhet ta manifestojmë duke e adhuruar Atë, duke çuar në vend urdhrat e Tij dhe duke u ruajtur prej gjërave që na ka ndaluar Ai. Në fund të fundit, qëllimi i krijimit të njeriut është njohja dhe adhurimi i Zotit. Këtë e bën të qartë edhe Kurani: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.”[7] Nëse veprojmë kështu edhe Allahu do të na dojë dhe do të na i shpërblejë punët tona kushtuar dashurisë për Të.
وَمَلاَئِكَتِهِ BESIMI NË ENGJËJT
E dyta prej parimeve të besimit, është besimi në engjëjt. Në Kuran Allahu i Lartësuar urdhëron e thotë: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij, e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij…”[8]
Engjëjt janë krijesa të Zotit, që nuk mund të perceptohen e të njihen me anë të shqisave. Për rrjedhojë, njohuri të drejta mbi engjëjt mund të marrim vetëm prej Kuranit dhe haditheve, porosive profetike.
Në një hadith Profeti (a.s.) thotë: “Engjëjt janë krijuar prej drite, xhinët prej zjarri, kurse Ademi prej dheu…”[9]
Engjëjt kanë një sërë veçorish të posaçme që i dallojnë prej qenieve të tjera:
- Engjëjt janë qenie të krijuara prej drite. Tek engjëjt nuk ka veçori njerëzore, të tilla si ngrënia e pirja, gjinia, fjetja, lodhja, rinia dhe pleqëria.
- Engjëjt nuk e kundërshtojnë Allahun, nuk ngrenë krye kundër Tij. Ata nuk shmangen prej urdhrit të Tij dhe kryejnë detyrën që u jepet.
- Engjëjt janë qenie tejet të shpejta e të fuqishme. Mund të shkojnë shumë shpejt në çdo vend dhe të bëjnë atë që kërkon Zoti.
- Me urdhrin dhe lejen e Allahut, engjëjt mund të marrin trajta të ndryshme.
- Engjëjt nuk e dinë të ardhmen.
Engjëjt që përmenden në Kur’an dhe veçoritë e tyre
Zoti i Lartësuar ka shumë engjëj. Numrin e tyre e di vetëm Allahu. Në Kur’an nuk përmenden emrat e të gjithë engjëjve, por emrat dhe detyrat e disave prej tyre.
- Engjëjt e mëdhenj
- Xhebraili (a.s.). Njihet edhe si “Engjëlli i shpalljes”. Është engjëlli që u transmeton profetëve urdhrat dhe ndalimet e marra prej Allahut.
- Mikaili. Është engjëlli që organizon dukuritë që ndodhin në natyrë: rënien e shiut, fryrjen e erës, ndërrimin e stinëve dhe furnizimin e njerëzve.
- Israfili. Është engjëlli, i cili do t’i fryjë dy herë bririt të quajtur “sur”, duke lajmëruar ditën e kiametit dhe ringjalljen e njerëzve.
- Azraili. Quhet “Engjëlli i vdekjes”. Është engjëlli që merr shpirtrat e njerëzve që u ka ardhur vdekja.
- Engjëjt e tjerë që përmenden në Kur’an
- Engjëjt shkrues (kiramen katibin). Janë dy engjëj, që ndodhen gjithmonë në të djathtën dhe në të majtën e njeriut. Engjëlli në të djathtë shkruan punët e mira dhe ai në të majtë, të këqijat. Këta engjëj, regjistrojnë të gjitha punët e bëra nga njerëzit gjatë gjithë jetës në këtë botë.
- Engjëjt Munker dhe Nekir. Këta marrin në pyetje çdo njeri pasi futet në varr, për besimin dhe punët e bëra në këtë botë.
Krijesa të tjera jolëndore
Krijesa të tjera jolëndore kemi xhindet dhe shejtanët, të cilët nuk mund të perceptohen me anë të shqisave të njeriut dhe për të cilat flitet si në Kur’an ashtu edhe në hadith.
Xhindi
Xhindet janë krijesa përtej materiales, të krijuara nga zjarri pa tym. Ata mund të marrin forma të ndryshme dhe të kryejnë veprime që për njerëzit konsiderohen si të jashtëzakonshme. Ashtu si njerëzit edhe ata hanë, pinë, shumohen dhe vdesin. Ka prej tyre që janë besimtarë dhe jobesimtarë. Për sa i përket përgjegjësisë, xhindet i ngjasojnë njerëzve. Ata janë krijesa me vullnet të plotë, krijuar për të adhuruar Zotin. Xhindet nuk e dinë të fshehtën, gajbin.
Shejtani
Shejtanët janë krijesa të krijuara nga zjarri, të cilët vazhdimisht përpiqen me anë të dyshimeve dhe cytjeve t’i shmangin njerëzit nga rruga e drejtë. Megjithëse krijimi i shejtanit ishte jashtë vullnetit të tij, kundërvënia dhe mohimi ishte realizuar me vullnetin e tij të plotë. Krijuesi i Lartësuar e ka bërë shejtanin një mjet në botën e shkaqeve, për lartësimin dhe avancimin shpirtëror të njeriut, që ta kthejë atë në një njeri të matur e të pjekur.
Ata njerëz, që një pjesë të aftësive të tyre në këtë botë provimi, i kanë konsumuar në luftën me shejtanin, do të kenë një shpërblim të merituar në xhenet, ndërsa ata të cilët aftësitë e dhuruara nga Allahu, i kanë konsumuar për të përmbushur dëshirat e shejtanit, do të kenë një dënim të merituar në xhehenem.
وَكُتُبِهِ BESIMI NË LIBRAT E SHENJTË
Parimi i tretë i besimit, është besimi te librat e Zotit. Gjatë gjithë historisë së njerëzimit, Allahu i Lartësuar ka dërguar shumë libra të veçantë, disa të mëdhenj e disa të vegjël të përbërë nga disa fletë. Këta quhen “librat e shenjtë” dhe myslimanët duhet t’u besojnë këtyre librave në formën e tyre origjinale. Themi kështu pasi librat e tjerë përveç Kur’anit janë deformuar dhe ndryshuar më pas. Kohë pas kohe, për shkaqe të ndryshme, librat e shenjtë në duar të njerëzve, ose janë harruar ose u janë nënshtruar ndryshimeve. Ja pra, në situata të tilla, Allahu i Lartësuar ka dërguar një libër tjetër të ri, duke vazhduar kështu t’u mësojë njerëzve kujt t’i besojnë dhe si të sillen.
Allahu, i Cili e ka krijuar njeriun në formën më të bukur, kërkon që ai të jetë i lumtur. Që të arrijë lumturinë, njeriut i duhet të plotësojë disa detyra, të cilat na i mësojnë librat e shenjtë. Prej tyre ne mësojmë të besojmë Allahun e Madhëruar, të besojmë në engjëjt, librat, profetët, të dërguarit e Tij, ditën e ringjalljes dhe kaderin, të mësojmë adhurimet dhe rregullat morale. Librat e shenjtë përmbajnë urdhrat dhe ndalimet e Zotit, prej nga ku njerëzit i mësojnë dhe i zbatojnë.
Katër librat e mëdhenj
Allahu i Lartësuar, disa prej profetëve u ka dërguar libra dhe disave prej tyre, fletushka. Ndërkaq, katër profetëve të veçantë u ka dërguar katër libra të mëdhenj.
Librat për të cilët po flasim janë si më poshtë:
- Zeburi. I është dërguar Hz. Daudit (a.s.).
- Teurati. I është dërguar Hz. Musait (a.s.).
- Ungjilli. I është dërguar Hz. Isait (a.s.).
- Kurani. Është i fundit i librave të shenjtë. I është dërguar profetit tonë të dashur, Hz. Muhamedit (a.s.).
Myslimanët i pranojnë të gjithë librat e shenjtë. Ata e dinë se ata janë zbritur nga ana e Allahut. Ndërkaq, besojnë se prej tyre vetëm Kur’ani ka ardhur gjer në ditët tona pa pësuar asnjë ndryshim. Me këtë besim, myslimanët përpiqen të zbatojnë urdhrat e Allahut, që i përmban Kur’ani.
Fletët që u janë dërguar profetëve:
- Hz. Ademit (a.s.) 10 fletë.
- Hz. Shitit (a.s.) 50 fletë.
- Hz. Idrisit (a.s.) 30 fletë.
- Hz. Ibrahimit (a.s.) 10 fletë.
Libri ynë, Kurani
Kurani Famëlartë është libri ynë i shenjtë, i zbritur pjesë-pjesë Profetit tonë Muhamed (a.s.), nëpërmjet engjëllit Xhebrail, përgjatë një periudhe 23 vjeçare. Të gjitha ajetet, që përmban Kurani, i përkasin Allahut, janë fjalët e Tij. Kurani nuk përmban asnjë fjalë të Profetit apo të dikujt tjetër.
Kur’ani është i ndarë në sure, të cilat përbëhen nga ajete të shumta.
Sure: Është emërtimi i secilës pjesë (kaptinë) të Kuranit. Për nga tematika dhe kuptimi, sureja përbëhet prej ajetesh, që janë vazhdim i njëri-tjetrit. Në Kuran ka gjithsej 114 sure, të shkurtra dhe të gjata.
Ajet: Çdo fjali e sures quhet ajet. Disa ajete janë të gjatë e disa të shkurtër.
Profeti ynë, ajetet e Kuranit që ia sillte Xhebraili (a.s.), i mësonte vetë përmendësh dhe ua bënte të ditura pa humbur kohë, myslimanëve, shumica e të cilëve gjithashtu, i mësonin përmendësh. Ajetet që i vinin, Profeti ua jepte menjëherë për t’i shkruar myslimanëve që kishin shkrim të bukur, të cilët u quajtën “Katibët e shpalljes”. Kështu, ajetet e Kuranit u ruajtën në po atë formë që i erdhën Profetit. Në këtë mënyrë Kurani ka ardhur gjer në ditët tona pa pësuar asnjë ndryshim. Në Kuran, Allahu i Lartësuar urdhëron: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë!”[10]
14 shekujt që pasuan e vërtetuan premtimin e Zotit. Po kështu, Kurani do të arrijë gjer në kiamet pa iu ndryshuar as edhe një shkronjë e vetme. Kurani përbëhet prej afërsisht 604[11] faqesh.
Këndimi i Kuranit është sevap, ka shpërblime, prandaj myslimanët e këndojnë Kuranin dhe e dëgjojnë me respekt kur e këndojnë të tjerët. Disa myslimanë bashkëkohës të Profetit, e patën mësuar Kuranin përmendësh. Gjatë historisë, një numër i madh njerëzish e kanë mësuar Kuranin përmendësh, traditë kjo që vazhdon edhe sot në ditët tona. Atyre që e mësojnë Kuranin plotësisht përmendësh, u jepet epiteti “hafiz”.
Shumëfishimi i Kuranit
Me kalimin e kohës, Islami u përhap në të gjitha anët e botës. Numri i myslimanëve u shtua. Çdo njeri kërkonte ta lexonte e ta mësonte Kuranin përmendësh. Kjo gjendje kërkonte që, pa i lënë rast asnjë gabimi, Kurani të shumëfishohej. Nëse Kurani do të ishte shembulli ose modeli ku do të drejtohej populli për të gjetur të vërtetën, atëherë nuk duhet të bëheshin gabime. Duke menduar kështu, Hz. Osmani, kalifi i myslimanëve, e shumëfishoi Kuranin, të mbledhur më parë në formën e një libri të vetëm, pastaj dërgoi nga një kopje në qytetet kryesore. Më vonë, myslimanët e shumëfishuan atë kopje sipas nevojave dhe kështu Kurani erdhi gjer më sot pa pësuar asnjë ndryshim.
Vendi i Kuranit mes librave të tjerë
Kurani i është zbritur Profetit tonë pjesë-pjesë për rreth 23 vite me radhë. Pas Kuranit, që është i fundit i librave të shenjtë, nuk ka për të ardhur libër tjetër, sepse Kurani u flet të gjitha kohërave.
Kurani nuk i është dërguar një kombi të vetëm, një race, apo një shoqërie të caktuar. Ai i është dërguar gjithë njerëzimit, prandaj edhe është universal.
Profeti Muhamed (a.s.) ka qenë i pari që e ka mësuar përmendësh Kuranin, i cili pastaj, u ka kërkuar edhe të tjerëve ta mësojnë. Sot në botë ka me miliona myslimanë që e dinë Kuranin përmendësh.
Thënë më qartë, Kurani na e ndriçon edhe këtë jetë, edhe jetën tjetër. Ai i flet çdo lloj mendimi dhe ndjenjeje. Ai është një libër që ka veçorinë t’u japë përgjigje nevojave të çdo periudhe. Të gjithë njerëzit janë të ngarkuar me përgjegjësinë për ta lexuar, mësuar dhe praktikuar Kur’anin në jetën e tyre të përditshme, sepse ai është i vetmi libër hyjnor i pranueshëm tek Allahu.
وَرُسُلِهِ BESIMI NË PROFETËT
Një prej gjashtë parimeve tona të besimit është edhe besimi në profetët. “Profet” do të thotë i dërguar, përfaqësues, lajmëtar i Zotit. Profetët janë persona që urdhrat dhe ndalimet e marra prej Zotit drejtpërdrejt ose nëpërmjet engjëllit Xhebrail, ua kanë përcjellë njerëzve.
Allahu i do krijesat e Tij. Ai nuk do që ata të shkojnë në rrugë të gabuar, prandaj njeriun e parë, Ademin, e ka ngarkuar edhe me detyrën e profetit. Edhe profeti Adem (a.s.), duke ua kumtuar njerëzve urdhrat e Allahut të Lartë, i ka udhëzuar ata për në rrugën e drejtë.
Secili prej profetëve dallon prej njerëzve të tjerë, pasi është bartës i cilësive dhe tipareve të veçanta. Askush nuk mund të bëhet profet me dëshirën e vet. Allahu ngarkon me detyrën e profetit kë të dojë, ndërsa ne besojmë në të gjithë profetët e dërguar prej Tij.
Përse Allahu ka dërguar profetë?
Zoti ynë i Lartësuar kërkon dhe dëshiron gjithmonë më të mirën për njerëzit. Kohë pas kohe Ai ka dërguar profetë me synimin që njerëzimi të mos bjerë në rrugë të këqija, që ta ndihmojë të ecë gjithmonë në rrugë të drejtë.
Le të mendojmë për një çast, nëse kemi mbetur në një natë të errët, krejt të vetëm e pa orientim, a mund ta gjejmë vetë rrugën e të kthehemi në shtëpi?! Ose, le të mendojmë ditët tona të para në shkollë, a do të mund të mësonim vallë, shkrim e këndim pa ndihmën e mësuesit e të prindërve?! Ecja nëpër pyll në një natë të errët, mësimi i shkrimit dhe i këndimit pa mësues, s’janë aspak gjëra të lehta.
Pa profetët, është shumë e vështirë t’i mësojmë në mënyrë të mjaftueshme rregullat fetare. Edhe sikur ta mësojmë ekzistencën e Zotit duke medituar, nuk mund ta mësojmë dhe dimë se si duhet ta adhurojmë Atë. Prandaj Allahu i Lartësuar u ka dërguar njerëzve profetë, që t’ua mësojë fenë atyre.
Profeti i parë është Hz. Ademi, ndërsa i fundit, profeti ynë i dashur, profeti Muhamed (a.s.). Me kalimin e kohës, njerëzit janë larguar nga rruga e drejtë, e kanë harruar Zotin dhe kanë nisur të adhurojnë idhujt. Atëherë, Zoti u ka dërguar njerëzve shumë profetë për t’u kujtuar dhe mësuar rrugën e drejtë. Në Kuran përmenden vetëm emrat e njëzet e pesë profetëve. Emrat e tyre janë:
ADEM, IDRIS, NUH, HUD, SALIH, IBRAHIM, LUT, ISMAIL, IS’HAK, JAKUB, JUSUF, SHUAJB, EJUB, DHULKIFL, MUSA, HARUN, DAUD, SULEJMAN, ILJAS, ELJESA, JUNUS, ZEKERIJA, JAHJA, ISA, MUHAMED, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ta.
Profetët nuk shmangen nga e drejta dhe kurrë nuk ka ndodhur që të gënjejnë. Janë njerëz shumë të zgjuar dhe urdhrat e marra nga Zoti ua kumtojnë njerëzve pa të meta. Kur përmendet emri i një profeti, duhet shoqëruar me shprehje lutëse për mëshirë dhe paqe, si “alejhi sselam” (a.s.), “paqja qoftë mbi të!” ose “salallahu alejhi veselem” (s.a.v.s.), “mëshira dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!”.
Ç’na mësojnë profetët dhe ç’njerëz janë ata?
Profetët na mësojnë se si duhet t’i bindemi Zotit dhe si ta adhurojmë Atë, pra, shprehur ndryshe, të kryejmë detyrën e robit ndaj Krijuesit të tij. Me moralin e tyre të bukur, profetët bëhen shembull për ne. Ata na mësojnë të vërtetën, të drejtën, ndershmërinë, mirëkuptimin, faljen, mëshirën, dhembshurinë, na mësojnë se si të jemi punëtorë e të papërtuar. Ata na kujtojnë se, pas kësaj bote është një botë dhe një jetë tjetër, duke na njoftuar se, ata që zbatojnë urdhrat dhe u largohen ndalimeve të Zotit, do të jenë të lumtur në këtë botë dhe në jetën tjetër do të hyjnë në xhenet, në parajsë. Ndërsa kundërshtuesit e urdhrave të Zotit do të ndëshkohen.
Për të dëshmuar se ata janë me të vërtetë të dërguarit e Zotit, Allahu i ka pajisur profetët me mrekulli. Të gjithë profetët kanë treguar mrekulli. Ato realizoheshin me ndihmën dhe lejen e Allahut.
Profetët janë njerëz si ne. Hanë e pinë, shëtisin, martohen e formojmë familje. Edhe ata sëmuren si gjithë njerëzit e tjerë dhe në fund, ndërrojnë jetë. Ndërkohë, ata kanë cilësi dhe tipare të veçanta shumë të vlefshme e të rëndësishme, që i dallojnë prej njerëzve të tjerë.
Këto cilësi dhe tipare janë:
- Sidk (Drejtësia e besnikëria): Profetët janë njerëz të drejtë, të ndershëm e besnikë. Ata kurrë nuk gënjejnë, qoftë edhe për shaka. Madje edhe shakatë e tyre ishin për të dhënë mësim.
- Emanet (Besueshmëria): Profetët janë njerëz të besueshëm dhe njihen të tillë nga të gjithë. Profetët janë njerëz që e respektojnë dhe nuk e tradhtojnë amanetin e dhënë.
- Teblig (Kumtesa): Detyra themelore e profetëve është kumtimi i Fjalës së Zotit, prandaj ata nuk janë tërhequr kurrë nga kjo detyrë, pavarësisht pengesave, vuajtjeve e shqetësimeve që u kanë rënë mbi krye. Ata ua kanë përcjellë dhe kumtuar njerëzve urdhrat e Zotit pa asnjë të metë, pa shtuar ose lënë gjë mangët.
- Fetanet (largpamësia): Të gjithë profetët janë dalluar për zgjuarsi të veçantë dhe mendjemprehtësi. Ata arrijnë në shkallën më të lartë të mençurisë dhe zgjuarsisë.
- Ismet (Pafajësia): Profetët janë të mbrojtur prej çdo lloj mëkati, i vogël apo i madh qoftë, hapur apo fshehur. Ata janë të pafajshëm. Këtë ata e arrijnë me ndihmën e Zotit që i ruan të dërguarit e Tij.
Disa veçori të tjera të Profetit Muhamed (a.s.)
- Hz. Muhamedi (a.s.) është robi më i dashur i Allahut dhe më i virtytshmi në mesin e krijesave.
- Është i dërguar për të gjithë njerëzit. Profetët para tij janë dërguar për popuj të caktuar.
- Është profeti i fundit. Pas tij nuk do të ketë më profetë.
- Është dërguar si mëshirë për botët.
- Feja islame që ka kumtuar do të vazhdojë deri në ditën e kiametit.
Profeti ynë, Muhamedi (a.s.)
“Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë…”[12]
Para se Profetit tonë t’i vinte detyra profetike, njerëzit ishin larguar nga rruga e së vërtetës. Disa adhuronin dhe u faleshin idhujve, disa të tjerë zjarrit dhe yjeve. Edhe librat e shenjtë, dërguar profetëve të mëparshëm, nuk qenë ruajtur në formën origjinale. Morali i përgjithshëm ishte prishur. Dhuna dhe padrejtësia ishin tepë të përhapur, i forti shtypte të dobëtin dhe i pasuri të varfrin. Ishte shtuar shumë dëshira për pijet alkolike dhe bixhozin. Vjedhja dhe grabitja ishin kthyer në ves. Ja pra, në një kohë të tillë iu dërgua njerëzve si profet, Muhamedi (a.s.).
Hz. Muhamedi (a.s.) lindi në Mekë, më 20. Prill 571. Babai i tij ishte Abdullahu, ndërsa nënën ia quanin Amine. I ati kishte vdekur para se ai të lindte. Pas lindjes, për të u kujdes mëndesha me emrin Halime. Kjo ishte një grua shumë e varfër. Pranë saj Muhamedi kaloi ditë shumë të lumtura dhe pas katër vjetëve, u kthye tek e ëma. Më vonë, bashkë me nënën, shkuan në Medine për të vizituar të afërmit dhe varrin e të atit. Gjatë rrugës së kthimit, nëna iu sëmur dhe vdiq. Muhamedi nuk ishte më tepër se gjashtë vjeç. Ai tashmë kishte mbetur edhe pa nënë. Pas vdekjes së nënës, Muhamedin e mori në kujdestari gjyshi, Abdulmutalibi. Dhe me vdekjen e tij pas dy vjetësh, do të kujdesej për të xhaxhai i vet, Ebu Talibi. Ai dhe e shoqja e donin shumë Muhamedin dhe nuk e ndanin prej fëmijëve të tyre.
Fëmijëria e Profetit kaloi pranë xhaxhait. Ai e ndihmonte xhaxhain dhe shpesh bënte edhe punën e çobanit. Muhamedi ndryshonte shumë prej fëmijëve të tjerë. Nuk ndahej nga e drejta dhe nuk u falej idhujve. U shkonte në ndihmë të gjithëve. Ai kishte fituar besimin e popullit, prandaj mekasit i patën ngjitur epitetin “Muhamedi i Besuari, i Besueshmi” (Muhamed Emin).
Në rini, bashkë me xhaxhain, Muhamedi (a.s.) merrej me tregti. Në moshën njëzet e pesë vjeçare u martua me zonjën Hatixhe. Kur hyri në të dyzetat, Muhamedi (a.s.) nisi të shkonte shpesh në shpellën Hira. Atje e kalonte kohën duke medituar për Allahun. Një natë ramazani, teksa ndodhej në shpellë, i erdhi engjëlli i shpalljes, Xhebraili (a.s.), dhe e njoftoi se Allahu e kishte ngarkuar me detyrën profetike. Këtë, ai ia tregoi kur u kthye në shtëpi, Hz. Hatixhesë dhe ajo i besoi në çast profetësisë së tij. Pas saj, u bënë myslimanë Hz. Aliu, Hz. Zejdi dhe Hz. Ebu Bekri. Këta janë myslimanët e parë.
Më pas, Profeti i ftoi mekasit të bëheshin myslimanë. Disa prej tyre iu përgjigjën ftesës, por shumica nuk i besoi. Për më tepër, idhujtarët filluan t’i mundonin myslimanët. Kur torturat, vuajtjet dhe shqetësimet u bënë të padurueshme, Profeti bashkë me ata që i kishin besuar, emigruan për në Medinë, në vitin 622.
Profeti qëndroi në Medine 10 vjet. Gjatë kësaj periudhe, Islami u përhap gjithandej. Mes mekasve dhe myslimanëve u zhvilluan luftërat e Bedrit, Uhudit, Hendekut. Në vitin 630 Profeti hyri në Mekë pa luftë dhe e pastroi Qaben nga idhujt. Pastaj u kthye sërish në Medinë. Në vitin 632 kreu detyrën e haxhit. Ai ndërroi jetë në Medine, në vitin 632, në moshën 63-vjeçare.
وَالْيَوْمِ اْلآخِرِ BESIMI NË DITËN E FUNDIT
Një tjetër prej parimeve tona të besimit është edhe besimi në ditën e ringjalljes. Me ditën e kiametit, shembjes së plotë të kësaj bote, nis ringjallja dhe pastaj jeta e pasme që quhet Ahiret. Shpërthimin e kiametit e lajmëron engjëlli Israfil duke i rënë bririt të quajtur “sur”. Me rënien e bririt merr fund jeta e kësaj bote.
Kur të shpërthejë kiameti, të gjithë njerëzit do të vdesin. Rregulli i botës e i gjithësisë që shohim sot, do të ndërrojë. Pas njëfarë kohe, gjatësinë e së cilës e di vetëm Allahu, Israfili do t’i bjerë bririt për të dytën herë. Atëherë, të gjithë njerëzit që kanë jetuar në tokë, që nga njeriu i parë e gjer në ditën e kiametit, do të ringjallen.
Njerëzit e ringjallur do të mblidhen në vendin e quajtur “mahsher – vend grumbullimi”, ku do t’i japin llogari Zotit për jetën e tyre në këtë botë. Aty, çdo njeriu do t’i jepet në dorë një libër, ku të gjithë do të shohin të regjistruara të mirat dhe të këqijat të bëra prej tyre në këtë jetë, në detajet më të imëta. Aty do të vihet në vend drejtësia e Allahut dhe me urdhrin e Tij të mirët do të hyjnë në xhenet, kurse të këqijtë, në xhehenem. Zoti thotë në Kuran:
“Ata thonë: Vallë, kur të bëhemi eshtra dhe pluhur, a do të ringjallemi në krijesa të reja? Thuaj: Bëhuni gur ose hekur, ose çfarëdo krijese tjetër që është më e madhe sipas jush. Ata do të thonë: Kush do të na kthejë ne (në jetë)? Thuaj: Ai që ju ka krijuar herën e parë. Ata do t’i tundin kokat nga ti e do të pyesin: Kur do të bëhet ajo? Ti thuaju: Mund të vijë shpejt! Ditën, kur Ai do t’ju thërrasë e ju do t’i përgjigjeni Atij duke e falënderuar dhe do të mendoni se në këtë jetë, nuk keni qëndruar veçse pak kohë.”[13]
Varri
Periudha prej momentit që vdes njeriu dhe deri në momentin kur do të ringjallet në ditën e kiametit, quhet jeta e varrit. Kur njeriu vdes, trupi i tij dekompozohet, ndërsa shpirti i tij që ndahet nga trupi, nuk vdes. Kur vendoset në varr, te njeriu vijnë dy engjëj, që quhen Nekir dhe Munker. Ata do ta marrin në pyetje njeriun. Atyre që u japin përgjigjen e duhur pyetjeve që i bëjnë engjëjt, varri u shndërrohet në vend prehjeje, ndërsa atyre që u japin përgjigje të gabuar apo nuk dinë t’u japin përgjigje, varri u shndërrohet në vend dënimi.
Profeti ynë, Muhamedi (a.s.) e ka sqaruar në këtë mënyrë gjendjen e varrit: “Varri është ose një kopsht nga xheneti ose një gropë nga xhehenemi.”[14]
Xheneti dhe Xhehenemi
Xheneti
Xhenet quhet vendi, ku njerëzit që e kanë merituar shpërblimin nga Zoti, do të qëndrojnë përgjithmonë pas ringjalljes.
Në xhenet nuk ka vdekje. Jeta s’ka mbarim. Atje ndodhen të gjitha të mirat. Atje s’ka mërzitje e hidhërim, urrejtje e neveri, por vetëm gëzim e lumturi. Të mirat e xhenetit, të ngrënat e të pirat, janë të mrekullueshme, përtej asaj që mund ta imagjinojë mendja njerëzore. Ato nuk u ngjasin të mirave të kësaj bote. Banorët e xhenetit do të jetojnë nëpër vende, poshtë të cilëve rrjedhin lumenj dhe do të hanë prej çdo lloj frute. Zoti në Kuran thotë: “Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, gëzoji me kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që atyre t’u jepet si ushqim ndonjë frut i kopshteve, ata do të thonë: “Këtë e kemi ngrënë edhe përpara”. Por atyre do t’u jepen vetëm fruta të ngjashme me ato të tokës…”[15]
Ata që do të fitojnë të drejtën për të hyrë në xhenet, do të kenë mundësi ta shohin Zotin. Lidhur me këtë Profeti ynë ka thënë: “Pa dyshim, ju do ta shihni me sy Zotin tuaj ashtu siç shihni këtë hënë që ndriçon! Për këtë nuk do t’ju bëhet padrejtësi, nuk do të grindeni me kënd!”[16] Shikimi i Allahut, për fituesit e xhenetit, do të jetë dhurata më e madhe, shpërblimi më i madh.
Xhehenemi
Xhehenemi do të jetë vendi i mohuesve të Allahut dhe i keqbërësve. Zoti në Kuran thotë: “Kurse ata që i mohojnë dhe i përgënjeshtrojnë shpalljet tona, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të mbesin gjithmonë.”[17] Aty s’ka bukuri si në xhenet. Në vend të ujit të ftohtë ka ujëra që vlojnë. Në xhehenem nuk ka freski. Edhe hijet do të jenë të nxehta e turbulluese. Njerëzit e atjeshëm do të dëshirojnë më shumë të vdesin ose të kthehen sërish në këtë botë. Por atje as vdekje nuk do të ketë, as leje për t’u kthyer e për të bërë punë të mira në këtë botë. Të merituarit e xhehenemit do të heqin vuajtje e mundime, do vuajnë dënimin si pasojë e të këqijave të kryera në këtë botë. Ata që kanë edhe një thërrmijë të vetme besimi në zemër, pas mbarimit të dënimit në xhehenem, do të hyjnë në xhenet.
Askush prej nesh nuk dëshiron që të hyjë në xhehenem. Për këtë kërkohet që njeriu të besojë Zotin dhe të bëjë punë të mira e të dobishme. Vetëm kështu fitohet kënaqësia e Allahut. Mund të kemi bërë gabime, mund të kemi bërë mëkate… Në këto kushte, duhet të kthehemi tek Allahu me pendesë, sepse Ai e pranon pendimin. Ai është Gjithmëshirshëm dhe Mëshirëplotë.
وَبِالْقَدَرِ خَيْرِهِ وَشَرِّهِ مِنَ اللّٰهِ تَعَالَى BESIMI NË KADER
Parimi i gjashtë dhe i fundit i besimit, është të besosh te caktimi i Allahut, se e mira dhe e keqja bëhen të mundura me anë të krijimit nga Allahu.
Kader, është njohja dhe caktimi nga ana e Allahut, që më parë, i çdo gjëje që ndodh në botë, duke përfshirë të mirat apo të këqijat, kohën, vendin, format dhe veçoritë e tyre. Kada, është momenti kur i vjen koha e realizimit të gjërave të përcaktuara nga Allahu qysh më parë.
Allahu i Lartësuar di ato që kanë ndodhur në të shkuarën, që po ndodhin sot dhe që do të ndodhin në të ardhmen. Dituria e Tij ka përfshirë gjithçka. Asgjë s’mund të ndodhë jashtë dijes së Tij. Allahu i Lartësuar di për një njeri se nga ç’prindër dhe në ç’vend të botës do të lindë, si do të jetojë dhe kur do të vdesë. Këto çështje të posaçme të paracaktuara me anë të dijes së pafundme të Allahut të Lartësuar përbëjnë kaderin e çdo krijese. Në këtë kuptim, të gjithë njerëzit dhe çdo gjë në gjithësi ka kaderin e vet. Allahu i Lartësuar urdhëron e thotë: “Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.”[18]
Për shembull, le të mendojmë për një mollë. Një ditë, kjo farë bie në tokë. Atje mbin, nxjerr filiz, rritet dhe bëhet një pemë e madhe. Pastaj fillon të japë fruta. Me diturinë e Tij të pafundme, Allahu i Lartësuar i di të gjitha këto. Me këtë dituri, Ai e cakton që më parë se ç’dru do të dalë nga ajo farë dhe ku. Ja pra, ky caktim që më parë ose paracaktim, është kaderi i asaj peme molle. Në këtë kuptim, të gjitha pemët, bimët, kafshët, njerëzit, etj., që ndodhen në gjithësi, kanë secili kaderin e vet.
Shkëputur nga libri “ILMIHAL për fillestarë”
Botim i KMSH-së
[1] Bekare, 2:256.
[2] Ihlas, 112:1-4.
[3] Enbija, 21:22.
[4] En’am, 6:103.
[5] Axhluni, Keshful-hafa, vol. I, f. 371.
[6] Ibrahim, 14:34.
[7] Dharijat, 51:56.
[8] Bekare, 2:285.
[9] Muslim, Zuhd, 10.
[10] Hixhr, 15:9.
[11] Duke marrë parasysh botimin tradicional të bërë nga Mbretëria e Arabisë Sauditë, bazuar në rivajetin Hafs.
[12] Al’ Imran, 3:164.
[13] Isra, 17:49-52.
[14] Tirmidhi, Kijamet, 26; Keshfu’l-Hafa, vol 2, f. 90; Ahmet b. Hanbel, Akide, f. 64-76.
[15] Bekare, 2:25.
[16] Buhari, Mevakit, 16.
[17] Bekare, 2:39.
[18] Kamer, 54:49.