Inkuizicionin të cilën e filluan mbreti Ferdinand dhe mbretëresha Izabela në vitin 1492 rezultoi me dëbimin e disa milionë muslimanë nga Spanja si dhe mbi treqind mijë hebrenjëve.
Një numër shumë i madh i hebrenjve ishin drejtuar në drejtim të Afrikës Veriore, disa të tjerë në drejtim të Italisë, por shpërnguljet masive ndodhën edhe në drejtim të Perandorisë muslimane Otomane. Kështu që me migrimin e hebrenjve në shtetin Osman do të themelohen bashkësi të mëdha hebreje në Stamboll, Selanik, Izmir dhe Edirne, mirëpo, gjithashtu edhe në Ballkan dhe në qytetet e Anadollit.
Sundimtarët Osman që nga viti 1326 ua kishin lejuar hebrenjve që të ndërtonin sinagoga dhe shkolla, liri të plotë udhëtimi, zgjedhje të profesionit dhe të vendbanimit. Në kohën kur hebrenjtë përjetonin persekutime të rënda anembanë Evropës, në Perandorinë Osmane merrnin pjesë në pozita të ndryshme të larta shtetërore, ndër të tjerat edhe si diplomatë dhe njerëz të biznesit. Duke iu falënderuar diturive të tyre në mjekësi, mjekët hebrenj kanë mundur të qëndrojnë afër sulltanëve dhe vezirëve, e me këtë ndonjëherë kishin ndikim në çështjet politike. Para se gjithash, në shek. XVI hebrenjtë u dërguan si këshilltarë me një grup delegatësh diplomatë osmanë në Evropë, ndërsa në disa raste ata e luanin edhe rolin e ambasadorëve.
Në të ashtuquajturën Letrën e Edirnes, të cilën e kishte shkruar një hebre i lindur në Gjermani në fillim të shek. XV – pra para inkuizicionit në Spanjë – ofron një pasqyrim entuziast të gjendjes në Turqi. Autori i kësaj letre ua përkujton vëllezërve të tij në fe, të cilët gjenden në Evropë që të shkojnë atje (në Turqi) dhe kështu të mbrohen nga persekutimet që zhvilloheshin kundër tyre (hebrenjve) në Gjermani, duke thënë: “Turqia është vend të cilit nuk i mungon asgjë dhe ku gjithçka do të bëhet mirë për ju, nëse e dëshironi këtë. Rruga drejt tokës së shenjtë është e hapur përmes Turqisë. Vallë, a nuk është më mirë për ju të jetoni nën sundimin musliman, se sa nën atë të krishterë? Këtu çdo njeri mund të jetojë në paqe, nën hijet e vreshtave dhe drunjve të fiqve”(1).
Përafërsisht njëqind vite më vonë, hebreu portugez Samuel Usque me një entuziazëm të njëjtë përshkruan gjendjen e hebrenjve duke thënë për Turqinë se “është një det shumë i gjerë të cilin Zoti e hapi me shkopin e Tij të mëshirshëm ashtu siç e hapi Detin e Kuq me rastin e daljes nga Egjipti. Dyert e lirisë këtu janë të hapura për ta respektuar judaizmin”.
Pas fitores ndaj persianëve dhe me çlirimin e Irakut, Sulltan Selimi I (1512-1520) vendosi që t’i nënshtrojë edhe provincat tjera të Lindjes së Afërt që ishin nën sundimin e dinastisë së memelukëve, me këtë edhe Palestinën. Sulltan Selimi e dërgoi ushtrinë e tij në Siri e cila me 24 gusht të vitit 1516 u konfrontua me ushtrinë memeluke në Marxh Debek. I biri i Sulltan Selimit I, Sulltan Sulejman Kanuni (1520-1566) arriti më vonë t’a ndajë Shamin në tre pashallëqe, edhe atë në pashallëkun e Damaskut, Alepit dhe Tripolit. Të gjitha këto tre pashallëqe ndërmjet vete ndaheshin në njësi administrative, sanxhaqe, ndër të cilat më të rëndësishëm ishin ai i Bejrutit dhe i Jerusalemit. Me këtë, Palestina dhe disa territore tjera arabe të Orientit ranë nën sundimin dhe administrimin Osman. Me bashkimin e pjesëve mesdhetare të vilajetit të Bejrutit me sanxhakun e Jerusalemit, Palestina arriti të behët një rajon i veçantë administrativ, gjë që më parë nuk ishte. Në rajonin e Judejes, Samarisë dhe Galilesë, gjegjësisht të Palestinës, shekuj me radhë jetuan muslimanë dhe të krishterë arabë të cilët kishin raporte të mira me ato pak hebrenj që jetonin aty. Në kuadër të Perandorisë Osmane ata i gëzonin të drejtat e barabarta, ndërsa në Jerusalem – si në një qytet më të madh të vendit – përveç arabëve, jetonin edhe francez, anglez, ermen, hebre etj. Çdo kush mund të lëvizte lirshëm në të gjitha kuartet e qytetit, ndërsa hyrja në tempujt e shenjtë ishte e lirë për të gjithë…(2)
Është e njohur se Perandoria Osmane administronte nën sistemin qeverisës që njihej “sistemi i miletit (kombit)”, ku tipari themelor i saj ishte që popujt e besimeve të ndryshme të jetojnë sipas besimeve të tyre, madje edhe sipas sistemeve të veta ligjore. Të krishterët dhe çifutët, të përshkruar si Ithtarë të Librit në Kur’an, gjetën tolerancë, siguri e liri në vendet ku administronte shteti osman. Arkivat osmane ofrojnë dokumente të shumta ku qartë vërehet se pakicat me sukses kanë mundur të ankohen para pushtetit për mbrojtje nga dhuna. Në një dekret të lëshuar nga Sulltan Mehmedi i Tretë i vitit 1602, ndër të tjerat thuhet se hebrenjtë dhe të krishterët janë dhimmij dhe “mbrojtja, ruajtja dhe garantimi i jetës dhe pasurisë së tyre është detyrë e vazhdueshme dhe kolektive e të gjithë muslimanëve, si dhe obligim i domosdoshëm i të gjithë sundimtarëve të nderuar islam”.
Historia e Evropës shënoi se sulmet më të shpeshta kundër hebrenjve, para se gjithash vinin nga të krishterët. Ata filluan t’i përdorin argumentet evropiane antisemite, të cilat më parë nuk ishin të njohura në botën muslimane. Në krye të tyre qëndronin kishat e ndryshme të cilat ishin të bashkuara me Romën, e veçanërisht maronitët në Liban, ndërsa kishat ortodokse një kohë të gjatë “nuk ishin të infektuara”, përderisa kisha ortodokse ruse në vitet e 1880-ta nuk e intensifikoi veprimtarinë e saj në botën arabe.
Shfaqja e parë e antisemitizmit krishterë ishte e ashtuquajtura Afera e Damaskut në vitin 1840, kur një monark nga Sardenja ishte humbur së bashku me një shërbëtor të tij. Një hebre i njohur, i cili me profesion kishte qenë berber, akuzohej se ai kishte kryer aktin mbytjes ndaj tyre, gjë që pas torturës së ashpër e pranoi. Kolegët e monarkut të humbur, të nxitur nga konsulli francez në Damask, kishin publikuar se atë e kishin mbytur hebrenjtë dhe se gjakun e tij e kanë përdorur për çështjet e tyre rituale. Udhëheqësit e hebrenjve u burgosën dhe u torturuan, madje njëri prej tyre edhe vdiq. Kjo ndodhi u përkrah në fushatën gazetareske në Francë e cila nuk ishte e orientuar vetëm kundër hebrenjve në Damask, por edhe kundër hebrenjve në përgjithësi. Akuza të këtilla për përdorimin e gjakut të njeriut – të ashtuquajtur blood libel – u paraqitën në intervale të ndryshme kohore, edhe atë në masë më të madhe gjatë shek. XIX në Turqi, Siri dhe në Libanin e sotëm.
Mirëpo, ky fenomen nuk ishte rast në Iran dhe Marok. Aty nuk pati të krishterë, ashtu që pohimet për viktimizimin e njerëzve nga hebrenjtë ishin të panjohura. Ato fushata çdo herë i inspironin të krishterët. Ata shpeshherë komunikonin me diplomatë grek dhe francez, ndërsa hebrenjtë, thjeshtë kanë mundur të llogaritnin në ndihmën e qeveritarëve osman, aq sa këta kanë qenë në mundësi për të ndihmuar. Mospajtimet ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve u ashpërsuan rreth vitit 1860, atëherë kur organizata hebreje franceze Alliance Israilite Universelle themeloi rreth gjashtëdhjetë shkolla hebreje anembanë territorit osman(3).
Po qe se bëjmë një vështrim të shkurtër historik ndaj hebrenjve të Irakut të shek. XIX, do të shohim se gjatë periudhës së Perandorisë Osmane Iraku ishte qendër e vërtetë e hebrenjve. Aty hebrenjtë jetonin në kushte shumë më të mira se në cilindo vend tjetër të diasporës. Rabini i Evropës Lindore David Beth Hillel i cili gjatë viteve 1824-1632 kishte udhëtuar nëpër Irak, Bagdadin e përshkroi si një qytet të madh ku hebrenjtë dhe të krishterët jetonin në kuartet më elegante aty përreth pallateve të sundimtarëve. Sipas Hillel-it, atëherë në Bagdad ekzistonin pesë sinagoga dhe 6.000 familje hebreje. Një numër i madh i tyre është përshkruar si tregtarë shumë të pasur. Sekretari i guvernatorit ishte hebre dhe ai qeveriste me hebrenjtë tjerë të cilët e quanin “mbret i Izraelit”. Ndër tjerave, Hillel-i e përshkroi edhe vizitën në varrin e Ezekijelit i cili gjendej afër Eufratit përreth të cilit ekzistonin disa shtëpi me qëllim që të qëndrojnë vizitorët e rastit. Ai vizitoi edhe disa fshatra në më shumë pjesë të Irakut ku jetonin shumë hebre të pasur. Në Mosul kishte takuar 600 familje hebreje dhe një sinagogë e cila e kishte mahnitur udhëpërshkruesin në fjalë. Në një fshat të bukur ku “rridhnin përroska nga qumështi dhe mjalti” ekzistonin rreth njëqind familje hebreje, të cilët të gjithë ishin fshatarë të pasur. Në pjesën më veriore të Irakut, gjegjësisht në qytetin Zakhu, u takua me 600 familje për të cilët pohonte se rrjedhin që nga robëria e parë. Guvernatori i qytetit ishte hebre. Rreth 30 vite më vonë, një rabin tjetër i quajtur Israel Benjamin, ofron një përshkrim të njëjtë të Bagdadit ku thotë: “Në asnjë vend tjetër në Lindje nuk i kam takuar vëllezërit e mi izraelit në rrethana aq fatlume dhe në pozitë sociale aq dinjitoze, sikurse në Bagdad”(4).
Në vitin 1868 hebrenjtë i kishin edhe gazetat e tyre. Sistemin e parë shkollor në Irak e themeluan hebrenjtë. Gjimnazi në Bagdad ekzistoi që nga viti 1860, ndërsa në vitin 1892 ishte themeluar institucioni i lartë arsimor për vajza, gjë që ishte i parë i këtij lloji në Irak. Në të kapërcyer në shek. 20, rreth 60% të studentëve në tërë Irakun vinin nga shkollat hebreje, edhe pse atëbotë numri i përgjithshëm i popullatës hebre në atë vend ishte vetëm 4%. Madje edhe në Egjipt kolonia hebreje me qendrat e saja në Kajro dhe Aleksandri gjatë shek. 19 kaloi nëpër të njëjtin zhvillim. Atje ekzistonin spitale mirë të përgatitura hebreje, institucione tjera të mirëqenies, shkolla dhe klube. Hebrenjtë e Egjiptit ishin të ndarë në tre shtresa. Ekzistoi shtresa më e lartë të cilën e përbënin më shumë familje të pasura me kontaktet ngushtë të ndërlidhura me shtresat e larta kopte dhe muslimane të Egjiptit. Më shumë liderë të atyre familjeve e mbanin titullin pasha. Nën ta qëndronte një numër i madh i njerëzve të biznesit, si dhe bankierë, më shumë të punësuar në aktivitetet e punës së eksportit dhe importit, dhe në tregti me pambuk. Që të dy këto grupe në numër më të madh janë pasardhës të ikanakëve hebrenj nga Spanja dhe Italia, ndërsa ata hebrenj jo aq të pasur, të cilët e përbënin kategorinë e tretë, vinin nga banorët vendas hebrenj dhe merreshin me zejtari.
Deri në fillim të shekullit njëzet (gjegjësisht deri në vitin 1917) Lindja e Afërt ishte e bashkuar në një pushtet, e ai ishte pushteti i Sulltanit Osman me seli në Stamboll, dhe i njëjti flamur që valonte në Stamboll, po ashtu valonte edhe në qytete tjera të largëta, siç ishin Meka, Bagdadi, Janina, Tirana, Selaniku, etj. Në brendinë e kësaj perandorie të gjerë jetonin pjesëtarë të etniteteve të ndryshme si druzë, shiitë, të krishterë, hebrenj, arabë, turq, shqiptarë, berberë, kurdë, grekë, vlleh dhe shumë etnitete të tjera. Perandoria Osmane nuk ishte shtet nacional, madje, ajo nuk ishte as perandori në kuptimin evropian (me tendenca kolonizuese). Në të vërtetë, Perandoria Osmane deri në një farë shkalle u përgjigjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ashtu siç sot administrojnë SHBA-të me shtetet që e përbejnë atë)(5).
Pax Ottomana që përfundoi me tërheqjen e Perandorisë Osmane nga Lindja e Afërt, ende nuk është zëvendësuar, por ato rajone pas largimit të administrimit osman kaluan nën administrimin e kolonialisteve Evropian, që më pas do të bëhen cak i politikave pushtuese dhe agresionit sionist(6).
1). KARLSSON, Ingmar, “Vjera teror i tolerancija”, Tuzla, 2005, f. f. 310.
2). SINADINOVSKI, Branislav, “Palestinsko nacionalno pitanje i bliskoistočna kriza”, Studentski Zbor, Skopje, 1988, f. 20.
3). KARLSSON, Ingmar, f. 310.
4). KARLSSON, Ingmar, f. 315.
5). VINTER, J. Tim, “Islam 2000: Feja për fundin e modernizmit”, Ljiljan, dhjetor, 98 – Janar 99.
6). VINTER, J. Tim,
BEHXHET JASHARI – Shkup
[email protected]