9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Martesa islame dhe detyrat reciproke bashkëshortore (III)

Më të lexuarat

Përgatitja e të fejuarës dhe martesa-kurorëzimi

Përgatitja e vajzës për martesë është traditë e lashtë, të cilën e preferon edhe ligji i Sheriatit. Mënyra dhe lartësia e saj bëhet më tepër sipas traditës së vendit dhe gjendjes ekonomike të të fejuarve.

Në realitet, shpenzimet rreth përgatitjes së pajës së nusërisë, duhet t’i bartë burri në emër të mehrit, të cilin ia ka borxh gruas. Mehri është një lloj obligimi material i burrit ndaj bashkëshortes së ardhshme legjitime, i cili jepet në formë të ndryshme dhe në kohë të caktuar, si një kompensim për hyrjen e saj nën kurorë. Mehri është dy llojesh: “Mehri-muaxhxhel” dhurata martesore urgjente, e cila zakonisht jepet me rastin e përgatitjes për martesë, në formë të rrobave, këpucëve, stolive të ndryshme etj. “Mehri muexh-xhel” dhurata martesore jourgjente, e cila zakonisht i jepet gruas me rastin e shkurorëzimit ose vdekjes së burrit. Në realitet kjo mund të realizohet kurdoqoftë prej fillimit të martesës, nëse gruaja këtë e kërkon. Minimumi i mehrit është paraparë dhjetë derhem argjend, ndërsa maksimumi nuk është kufizuar, andaj si atëherë ashtu edhe sot, kjo është llogaritur në variante të ndryshme. Kryesisht, kjo varet nga pozita, mundësia ekonomike, vullneti i të fejuarve dhe tradita e mjedisit përkatës. Burri është i obliguar për ta përmbushur mehrin në atë lartësi që është bërë marrëveshja. Mehri ekskluzivisht është pasuri private e gruas me të cilën ajo mund të manipulojë lirisht sipas dëshirës së vet.

Babai i vajzës, sipas rregullave të Sheriatit, nuk është i obliguar të përgatit për martesë (ta çejzojë) vajzën nga pasuria e tij, por nëse ai këtë e bënë nga vullneti i tij, ai çejz i dhuruar bëhet pronë e saj. Në disa vende është bërë zakon që vajza të përgatitet nga pasuria e babës, duke humbur në të njëjtën kohë të drejtën e saj të trashëgimisë pas vdekjes së tij. Ky veprim sipas parimeve të Sheriatit është i padrejtë, megjithatë, disa më tepër i përmbahen asaj që është bërë zakon se sa asaj që është paraparë me Sheriat.

Prindërit e mirë dhe të kujdesshëm qysh herët interesohen për gjërat, të cilat do t’ia dhurojnë vajzës së tyre me rastin e martesës, por edhe më herët interesohen për arsimimin dhe edukimin fetaro-moral të saj, duke qenë të vetëdijshëm se kjo do të jetë dhurata më e çmueshme për te, dhe se ajo vetëm si e tillë, do të mund t’ i përgjigjet me sukses detyrave të saj në jetën bashkëshortore. Megjithatë, nëna e mençur, para martese si vajzën ashtu edhe djalin, i ulë para veti dhe i këshillon me fjalë të urta se si duhet të sillen mirë dhe njerëzishëm në jetën e tyre bashkëshortore, përkatësisht vajza ndaj burrit dhe farefisit të tij, ndërsa djali ndaj gruas dhe farefisit të saj.

Martesa, pa dyshim është një institucion fetar, të cilin sikurse edhe institucionet tjera fetare, myslimanët janë të obliguar t’i respektojnë, që t’i përmbahen plotësisht dhe ta aplikojnë në jetë. Pas anulimit me ligj të gjyqeve të Sheriatit më 1946 në vendin tonë kurorëzimi zyrtar civil është i obliguar të bëhet pran organit shtetëror të Këshillit komunal ndërsa ata që dëshirojnë, mund ta bëjnë edhe kurorëzimin fetar, pranë organit të Bashkësisë Islame. Pasi që akti i kurorëzimit ka karakter fetar, ai mund të bëhet në xhami, në lokalet e Këshillit përkatës të Bashkësisë Islame ose me kërkesën e palëve të interesuara edhe në shtëpi. Aktin e kurorëzimit mund ta bëjë referenti fetaro-arsimor ose imami i autorizuar nga organi kompetent i Bashkësisë Islame.

Kur dy të fejuarit paraqiten te imami i autorizuar dhe kërkojnë për të lidhur kurorë sipas rregullave të Sheriatit imami pasi që ta konstatojë se personat në fjalë i plotësojnë kushtet për martesë dhe sipas Sheriatit nuk kanë ndonjë nga pengesat e zëna ngojë, kërkon prej tyre të merren vesh për shumën e mehrit, dhe fillon procedurën e kurorëzimit. Imami së pari i drejtohet të fejuarës dhe i thotë: A e pranon me vullnet për bashkëshort X.Y. (duke ia theksuar emrin dhe mbiemrin e të fejuarit)? Pas përgjegjës pozitive, atëherë i drejtohet të fejuarit, duke e pyetur: E ti a e pranon me vullnet për bashkëshorte X.Y (duke ia theksuar emrin dhe mbiemrin e të fejuarës)? Pasi të merr përgjigje pozitive edhe prej tij, atëherë u drejtohet dëshmitarëve, duke u thënë: A i dëgjuat deklaratat e këtyre të dyve? Kur merr përgjigjen pozitive edhe prej dëshmitarëve, imami u drejtohet me një këshillim të shkurtër mbi të drejtat dhe detyrat e tyre në jetën bashkëshortore, sipas parimeve të Islamit, mandej e lexon një pjesë të shkurtër nga Kur’ani dhe ua bënë duan-lutjen e kurorëzimit. Mendoj se do të ishte e dobishme nëse ajo bëhet edhe në gjuhën amtare. Me lidhjen e kurorës për martesë çiftit bashkëshortorë u lejohen marrëdhëniet seksuale dhe fitojnë të drejtën e trashëgimit ndërmjet veti.

Të drejtat dhe detyrat e burrit në jetën bashkëshortore

Si burri ashtu edhe gruaja në jetën bashkëshortore i kanë disa të drejta, detyra e obligime. Nëse të dy bashkëshortët i zbatojnë detyrat bashkëshortore korrekt njëri ndaj tjetrit, atëherë ndërmjet tyre nuk do të ketë mosmarrëveshje, andaj jeta e tyre bashkëshortore do të kalojë në dashuri dhe në harmoni. Në qoftë se burri ose gruaja nuk i zbaton korrekt detyrat bashkëshortore, atëherë pa dyshim do të fillojë mosharmonia, urrejtja dhe grindjet, që të gjitha së bashku, shpeshherë përfundojnë me shkurorëzim.

Islami i ka ndarë rolet ndërmjet burrit dhe gruas. Burrin e ka emëruar për udhëheqës të familjes dhe e ka urdhëruar të kujdeset për të në çdo pikëpamje. Domethënë, burri sipas natyrës së tij, si psikikisht ashtu edhe fizikisht është më i fuqishëm se gruaja. Për këtë arsye, burrit edhe iu ka dhënë e drejta e mbikëqyrjes së zhvillimit të jetës bashkëshortore dhe si ndaj gruas ashtu edhe ndaj tërë familjes së tij të zbatojë një lloj pushteti disiplinor, por gjatë zbatimit të tij duhet të jetë i drejtë dhe zemërgjerë.

Pushteti, të cilin e ka burri ndaj gruas dhe ndaj mbarë familjes së tij, arsyetohet me nevojën e një eprorit në familje, siç është i nevojshëm një udhëheqës në më të voglën njësi punuese-sipërmarrje, sepse pa të nuk ka rend, punë as disiplinë pune. Për këtë Zoti i Madhërueshëm në Kur’ an thotë:

“Errixhalu kavvamun alen-nisai…”. “Burrat janë eprorë (kujdestarë) të grave, për atë se Zoti i ka dalluar disa mbi të tjerët dhe për atë se shpenzojnë nga pasuria e tyre (për mbajtjen e familjes)”, (Sure Nisa, 34).

Vajza derisa të martohet, kujdestar e ka babën, ndërsa pas martesës kujdestar e ka burrin. Për këtë arsye burri ka të drejtë të urdhërojë për disa gjëra gruan e vet, por në mënyrë të përshtatshme, e jo ne mënyrë të egër e me diktaturë. Nëse gruaja diçka gabon, burri është i obliguar në mënyrë njerëzore dhe të urtë ta qortoj dhe t’ia tërheqë vërejtjen për gabimin e saj, të cilin ajo nuk duhet më ta përsërisë me vetëdije as me qëllim. Burri ka të drejtë në mënyrë njerëzore dhe edukative t’ia tërheq vërejtjen gruas së tij sidomos: .

– Nëse nuk i kryen si duhet e me kohë punët shtëpiake, të cilat si nënë ose bashkëshorte është e obliguar t’i kryejë.

– Nëse pa arsye dhe pa leje të tij del në mëhallë, qytet etj.

– Nëse e bënë asgjë dhe nuk i kushton rëndësi higjienës personale.

– Nëse pa shkak dhe pa arsye të Sheriatit nuk pranon marrëdhënie intime.

– Nëse pas marrëdhënieve intime, nuk donë të pastrohet me kohë, por endet dhe i kryen punët e shtëpisë ashtu e papastër.

– Nëse pa arsye të Sheriatit nuk e falë namazin, ose e ka zakon t’i lë kohën e namazit (pa falë).

– Nëse e ofendon, e nënçmon, e thërret me emër të papërshtatshëm ose e fyen (burrin).

– Nëse ia ofendon prindërit ose farefisin.

– Nëse pa nevojë përzihet me burra tjerë dhe bisedon e bënë shaka me ta, e sidomos kur ekziston dyshimi i mundësisë së ndonjë ndodhie të pamirë.

– Nëse jep diçka prej shtëpie çka nuk është zakon për ta dhënë gruaja pa leje të burrit.

– Nëse e rrah fëmijën e vogël për arsye pse qanë.

– Nëse qëllimisht e thënë ose e dëmton inventarin e shtëpisë.

– Nëse lyhet me parfum që ka erë të rëndë, ose hanë qepë apo hudhra.

Burri ka të drejtë t’ia ndalojë gruas, daljen pa leje të tij jashtë shtëpisë, përveç te prindërit e saj, tek të cilët ajo ka të drejtët të shkojë njëherë në javë, ndërsa nëse janë pleq, të lodhur ose të sëmurë e nuk ka kush t’u shërbejë, atëherë mund t’i vizitojë për çdo ditë edhe pa leje të burrit.

Burri është i obliguar:

– Të sillet mirë dhe njerëzishëm ndaj bashkëshortes së tij, ngase kjo është një ndër kushtet qenësore për harmoni dhe lumturi në jetën bashkëshortore.

– Të kujdeset për mbajtjen e saj dhe atë sipas mundësive të tij ekonomike, qoftë edhe kur ajo është e pasur.

– T’ia japë përpara dhuratën urgjente (mehri muaxh-xhelin) dhe njëkohësisht edhe dhuratën e martesës jourgjente (mehri muexh-xhelin) nëse ashtu është traditë në atë vend, ose nëse janë marrë vesh me rastin e kurorëzimit.

– Të ketë marrëdhënie normale intime me të.

– Të kujdeset për banesë, edhe nëse ajo posedon banesë.

Islami na këshillon të sillemi mirë me bashkëshorte dhe të kujdesemi për mbajtjen e saj

Zoti i Madhërueshëm në Kur’an na urdhëron: “…ve ashiruhunne bil-maërufi…”. “Silluni (shkoni) mirë me to (gra)…”. Nga vetë Kur’ani mund të kuptohet se martesa nuk guxon të jetë asgjë tjetër, përveç se burim i dashurisë, sjelljeve të mira, i harmonisë dhe i ndihmës së ndërsjellë në kryerjen e obligimeve bashkëshortore. Me ajetin e përmendur kur’anor Zoti xh.sh. na urdhëron që me bashkëshorte të shkojmë mirë, edhe atëherë kur diçka te to nuk na pëlqen, duhet të bëjmë durim, e të mos kërkojmë shkurorëzim, sepse Zoti i Madhërueshëm mund të na japë në vend të saj një të mirë të papritur.

Plotësisht është e kuptueshme se në jetën e përbashkët bashkëshortore edhe përkundër dëshirës më të mirë ndodhë që nganjëherë të pasojë “shkëndija”, por nuk guxojmë të lejojmë që ajo të shkaktojë “zjarr”. Sa më tepër të ketë mirëkuptim të ndërsjellë dhe respekt obligativ ndërmjet bashkëshortëve, aq më pak ka mundësi të shkaktohen konfliktet ndërmjet veti që për jetën bashkëshortore janë plagë kanceroze. Sidomos në ditët e shtatzënisë, ndaj bashkëshorteve duhet të jemi të kujdesshëm në çdo gjë. Nuk guxojmë të kërkojmë prej tyre asnjë punë e cila do t’u shkaktonte ndonjë vështirësi të posaçme. Muhammedi a.s. thotë: “Gratë janë stoli të burrave të tyre”.

Nuk guxojmë të harrojmë se Muhammedi a.s. na tërheq vërejtjen dhe rreptësisht na ka ndaluar shkeljen e të drejtave të grave tona dhe të fëmijëve, të cilët kanë mbetur të pa prindër, duke thënë se ata janë të dobët dhe të pafuqishëm (për mbrojtjen e të drejtave të tyre). Edhe në momentet e fundit të jetës së tij, Muhammedi a.s. i ka këshilluar shokët e vet që të kenë kujdes për të drejtat e grave të tyre dhe në atë pikëpamje të kenë frikën e Zotit, duke thënë: “Frikohuni prej Zotit lidhur me gratë tuaja, ngase pa dyshim ju keni obligime ndaj tyre dhe ato kanë obligime ndaj jush (në pikëpamje të zbatimit të detyrave bashkëshortore).

Buhariu dhe Muslimi lidhur me këtë shënojnë një hadith në të cilin Muhammedi a.s. thotë: “Kush e beson Zotin dhe Ditën e Gjykimit mos ta shqetësojë fqinjin e tij. Unë, njëkohësisht po ju porositi që të silleni mirë ndaj grave tuaja, pranoni këshillën time lidhur me to”.

Me rastin e haxhit lamtumirës, në vit. 632, në Arefat-afër Mekës, Muhammedi a.s. para masës prej më se 120.000 haxhinjëve, e mbajti ligjëratën e tij të njohur, në të cilën përveç tjerash i tha edhe këto fjalë të rëndësishme lidhur me kujdesin ndaj grave: “O njerëz, druajuni Zotit tuaj, i cili ju krijoi prej një personi dhe nga ai e krijoi bashkëshorten e tij, e prej atyre dyve shpërndau (krijoi) shumë burra dhe gra … (Kur’an).

– Përmbushni besnikërisht obligimet e ndërsjella bashkëshortore.

– Martohuni me atë që doni dhe kur t’u bashkojnë vullneti i Zotit, atëherë jetoni në dashuri dhe në harmoni.

– Silluni ndaj grave me njerëzi dhe me mirësi të madhe.

– Gratë u janë dhënë në besë të Zotit (amanet), andaj respektoni amanetin e Zotit!

– Ruajuni prej shkeljes së kurorës dhe xhelozisë, sepse e para është mëkat i rëndë, ndërsa e dyta shkakton fatkeqësi dhe mosmarrëveshje në jetën bashkëshortore.

– Ata që shpifin për gratë e ndershme, janë të mallkuar në të dy botërat! Ndërsa ata, që e akuzojnë publikisht gruan e ndershme e që nuk mund t’i sjellin katër dëshmitarë të besueshëm, dënoni me 80 kamxhikë, sepse ata janë njerëz të këqij dhe të prishur.

– Mos kërkoni shkurorëzim pa shkaqe të arsyeshme, ngase prej të gjitha gjërave, që i ka lejuar Zoti, më së shumti e urren shkurorëzimin.

Kjo deklaratë e të dërguarit të Zotit, Muhammedit a.s. mbi mbrojtjen e të drejtave të gruas, e cila është kumtuar para 1400 vjetësh, do të jetë edhe më e rëndësishme, nëse i prezantojmë edhe disa mendime tjera për gratë, të cilat i ka botuar Kasim Haxhiqi në librin: “Pozita e gruas në Islam” më 1940 në Sarajevë, në të cilën, përveç tjerash, qëndrojnë edhe këto:

– Romakët gruan e kanë konsideruar si objekt pronësor, unaza të cilën-të parët ata filluan t’ia dhurojnë gruas, – ka qenë simbol i despotizmit të burrit.

– Për grekët e vjetër, gruaja ishte krijesë e nënshtruar, të cilën e kanë urrejtur fortë.

– As hindusët e vjetër nuk kishin mbetur prapa grekëve.

Filozofi i tyre fetar për gratë thotë kështu: “Gruaja është shkak i turpit, ajo është shkak i armiqësisë. Gruaja është shkak i jetës së kësaj bote, për këtë duhet larguar nga gruaja.

Kolegji i Universitetit në Bolonjë, me 1337, i përjashtoi studentet nga Universiteti, madje ua ndaloi edhe hyrjen në ndërtesën e Universitetit.

As legjislacioni, si i epokës së vjetër ashtu edhe ai i epokës mesjetare, aspak nuk kanë pasur konsideratë ndaj gruas. Ligjet, si në epokën e vjetër ashtu në atë mesjetare gruan nuk e kanë konsideruar vetëm më të ulët nga burri, por e kanë vënë shpesh në pozitën e skllavit ose të sendit të thjeshtë. Pozita e gruas nuk ka ndryshuar as në periudhën e humanizmit dhe renesancës … Deri vonë, pozita e gruas në Francën përparimtare, ka qenë e rregulluar sipas ligjit të Napoleonit nga viti 1804. Ligji i mëparshëm francez gruan e ka llogaritur në të drejtën e të paaftëve së bashku me fëmijët dhe të marrët. Deri më 1907, francezja nuk ka mundur të manipulojë lirish me të hollat, të cilat i ka fituar vetë … ”

Muhammedi a.s. i llogarit ndër myslimanët më të mire ata, të cilët sillen më së miri dhe më korrekt ndaj grave të tyre, por gjithqysh ata duhet t’i plotësojnë edhe detyrat tjera Islame. Ai thotë: “Inne min ekmelil-muëminine imanen ahsenuhum hulukan ve eltafehum biehlihi”. “Vërtet, më të përsosurit myslimanë në besim, janë ata që i kanë sjelljet më të bukura dhe ata që sillen më së buti ndaj familjes së tyre”.

Kujdesin tonë e meritojnë ato gra, të cilat sillen mirë në kuptim të vërtetë të bashkëshortes, duke u interesuar për detyrat dhe obligimet e veta bashkëshortore dhe të cilat në të gj itha situatat j anë të gatshme për ta ndarë me ne të mirën dhe të keqen. Me këtë rast – përveç prindërve – kë e kemi më të afërm dhe më me përparësi se ato? Do të ishim të panjerëzishëm nëse nuk ua kishim kthyer kujdesin e tyre me kujdes dhe dashurinë e vërtetë me dashuri të sinqertë.

Islami na këshillon, por në disa raste edhe na urdhëron që një pjesë të pasurisë të cilën e posedoj më-për ta ndarë për qëllime bamirëse dhe për nevojat e atyre që janë të nevojshëm për t’u ndihmuar materialisht. Për çdo dinarë që e shpenzojmë në emër të Allahut, do të jemi të shpërblyer shumë. Ndërkaq sipas deklaratës së Muhammedit a.s – myslimani do të jetë më së shumti i shpërblyer, për atë që harxhon për nevojat e vërteta të familjes së vet, gruas dhe fëmijëve. Këtë e shohim nga hadithi që vijon:

“Dinarun enfaktehu fi sebilil-lahi, ve dinarun enfaktehufi rekabetin, ve dinarun tesaddaktehu alel-mesakin ve dinarun enfaktehu ala ehlike, aëdhamu exhren el-ledhi enfaktehu ala ehlike”. “(Do të shpërblehesh) për dinarin që e ke shpenzuar në rrugën e Allahut, për dinarin që e ke shpenzuar për çlirimin e skllavit (të robëruarit), për dinarin që ua ke dhënë sadakë të varfërve dhe për dinarin që e ke shpenzuar për familjen tënde. Shpërblimin më të madh do ta ketë ai dinarë, që e ke shpenzuar për nevojat e familjes tënde”.

Edhe për kujdesin më të vogël ndaj gruas do të jemi të shpërblyer. Sad ibni Ebi Vekkas tregon se Muhammedi a.s. ka thënë: “Ve inneke len tunfika nefekaten tebtegi biha vexhhellahi il-la uxhirte alejha hatta ma texh-alu fi femmi imreetike”. “Për të gjithë atë, që e shpenzon me qëllim për ta arritur kënaqësinë e Allahut do të jesh i shpërblyer, madje edhe për atë që e ushqen gruan tënde”.

Se ka njerëz, të cilët përkundër të gjitha mundësive që i kanë, me shumëçka e mundojnë gruan dhe fëmijët e tyre. Sa ka vetëm fëmijë tanë që kanë mbetur pa arsimin shkollor, pa zanat dhe pa pajisje profesionale, vetëm për atë se baba – edhe pse ka pasur – iu kanë dhembshur në emër të asaj për të shpenzuar, e mos të flasim për ata të cilët fitimin e tyre e pinë dhe e shpenzojnë, ku nuk duhet, ndërsa familja e tyre shpesh e kanë mall bukën e thatë. Burrat dhe baballarët e tillë harrojnë që Muhammedi a.s. ka thënë: “Kefa bil-mer-i ithmën e judia men jekut”. “Njeriut i mjafton t’i shkruhet për mëkat nëse nuk kujdeset mjaft për atë që e ka për detyrë për ta mbajtur”. Muhammedi a.s. shumë herë u ka tërhequr vërejtjen shokëve për t’u kujdesur si duhet për nevojat e familjes së tyre.

Muadh ibni Xhebeli tregon se Muhammedi a.s. me një rast i ka thënë: “Nga fitimi yt shpenzo për familjen tënde … kur fëmijët tuaj gabojnë mos i le pa i ndëshkuar, frikësoji ata përkitazi me urdhrat e Zotit…” Siç po shohim, Muhammedi a.s. na ka porositur që sipas mundësive tona materiale t’i ofrojmë komoditet shtëpiak bashkëshortes tonë. Vërtet, gruaja e mençur nuk kërkon nga burri më tepër se që i kërkojnë nevojat reale, madje edhe në qoftë se është i pasur, sepse kërkesat e tepërta shumë herë burrin e zemëroj në. Sigurisht ka edhe gra të tilla të cilat kërkojnë nga burrat e tyre (për të blerë) më tepër së ç’janë ata në gjendje për t’i plotësuar. Në raste të tilla burrat e tyre ose hynë borxh ose merren me punë të palejueshme. Mendoj se nuk i përfshin të gjitha gratë, edhe pse në të ka plotë të vërteta, ajo fjala popullore: “Dëshirat e gruas, lartësia e qiellit dhe gjerësia e detit nuk kanë skaj”.

– vijon –

Hfz. Sinanudin Sokoloviq

Përktheu dhe përshtati nga “Glasanik” i vitit 1972/73 Sarajevë

Hajrullah Hoxha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit