5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Pagat në Kosovë, vetëm 25 euro rritje në sektorin privat gjatë vitit 2022

Më të lexuarat

Pavarësisht rritjeve të theksuara të çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, niveli i pagave ka vazhduar të mbetet i ulët edhe gjatë vitit 2022.

Aktualisht pagat në sektorin privat vazhdojnë të mbesin dukshëm më të ulëta se në atë publik.

Gjatë vitit të kaluar, paga neto [paga e tatimuar] në sektorin privat është rritur vetëm 25 euro, krahasuar me atë të punëtorëve që punojnë në publik, brenda një dekadë, ka pasur rritje prej rreth 50 për qind.

“Në vitin 2022, pagat mesatare bruto në Kosove ishin 521 euro, derisa në vitin 2021 ishin 484 euro. Pra, kishte një rritje prej 37 eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2022 ishte 446 euro, krahasuar me vitin 2021 që ishte 432 euro. Pra, një rritje prej 14 eurosh”, thuhet në raportin “Niveli i pagave në Kosovë, 2022“, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), shkruan Telegrafi.

“Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2022 ishte 473 euro, derisa në vitin 2021 ishte 419 euro. Pra, kishte një rritje prej 54 eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto ishte 401 euro, krahasuar me vitin 2021 e cila ishte 376 euro. Pra, një rritje prej 25 eurosh”, shton ASK-ja.

Brenda më pak se një dekade, paga bruto në sektorin publik është rritur për 197 euro.

“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2022 ishte 604 euro, duke u rritur për 197 euro ose 48.4 për qind. Ndërsa, paga mesatare neto nga 366 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 536 euro në vitin 2022. Një rrije prej 170 eurosh ose 46.4 për qind”, citon raporti.

“Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2012 ishte 561 euro, derisa në vitin 2022 ishte 789 euro. Një rritje prej 228 Eurosh ose 40.6 për qind. Ndërsa, paga mesatare neto nga 502 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 659 euro në vitin 2022. Një rrije prej 157 eurosh ose 31.3 për qind”, vijon ASK-ja.

Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.

“Paga mesatare bruto në vitin 2022, sipas aktiviteteve ekonomike, më a larta ishte te furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 968 euro dhe informim dhe komunikimi me 896 euro. Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 323 euro”, thuhet në raport.

Ndërsa, paga mesatare neto në vitin 2022, sipas aktiviteteve ekonomike janë te furnizimet me energji elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar me 804 euro, informim dhe komunikim me 745 euro dhe akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 277 euro. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit