2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Mëkatet a ndikojnë të humbet plotësisht imani/besimi?

Më të lexuarat

Epiteti i besimit nuk humbet me veprimin e ndonjë mëkati; qoftë i vogël apo i madh. [1]

Mirëpo, ato e zvogëlojnë besimin, edhe pse i mbetet baza. Vepruesi i mëkateve të mëdha është besimtar me besim të mangët; besimtar me besimin e tij dhe i shthurur (fasik) me mëkatin e tij të madh. I tilli, në këtë botë, nuk del nga feja (me këtë veprim) e as nuk përjetësohet në Zjarr në botën e amshueshme. Por, ai do të jetë nën dëshirën e Allahut: nëse do, e fal me mirësinë e mëshirën e Tij dhe e fut në Xhenet; nëse do, e ndëshkon në varësi të mëkatit të tij, porse përfundimi i tij është në Xhenet. Ose, e ndëshkon për shkak të disa mëkateve, rrjedhimisht del (prej Zjarrit) me ndërmjetësimin e ndërmjetësuesve, ose me mëshirën e më të Mëshirshmit (Allahut). Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër përveç Tij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ka bërë gjynah të tmerrshëm.” (En Nisa, 48)

Ndërkaq, i Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Xhenetlinjtë do të hyjnë në Xhenet dhe xhehenemlinjtë do të hyjnë në Zjarr. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: “Nxirreni atë që në zemrën e tij ka besim sa një kokërr sinapi!” Ata do të nxirren që andej, ndërkohë janë nxirë. Më pas hidhen në lumin e jetës.” [2]

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Nga Zjarri do të dalë ai që ka thënë “la ilahe il-lallah” duke pasur në zemër mirësi aq sa peshon një kokërr elbi. “Nga Zjarri do të dalë ai që ka thënë “la ilahe il-lAllah” duke pasur në zemër mirësi aq sa peshon një kokërr gruri. “Nga Zjarri do të dalë ai që ka thënë “la ilahe il-lallah” duke pasur në zemër mirësi aq sa peshon një grimcë.” [3] Në një motërzim qëndron: “… ka besim… ”, në vend: “… duke pasur mirësi.”

Në këtë kapitull kanë devijuar dy grupe:

Grupi i parë: Kërcënuesit (el vaidije), që thonë se kërcënimi do të përmbushet [4] dhe për mëkatarët e mëdhenj monoteistë e mohojnë shefatin (ndërmjetësimin). Këta ndahen në dy nëngrupe:

1) Havarixhët, që thonë së vepruesi i mëkatit të madh del nga besimi dhe kalon në mohim, rrjedhimisht i tilli në këtë botë është jobesimtar dhe në botën e amshueshme në Zjarrin e përhershëm.

2) Mutezilitë, që thonë se vepruesi i mëkatit të madh del nga besimi dhe kalon në mohim, rrjedhimisht i tilli në këtë botë është në një vend të ndërmjetëm: as besimtar, as jobesimtar, kurse në botën e amshueshme do të jetë përherë në Zjarr.

Kërcënuesve u kundërpërgjigjemi në disa aspekte. Ja disa prej tyre:

Së pari: Allahu i Lartësuar mëkatarit të madh ia ka pohuar besimin dhe ia ka ruajtur epitetin e vëllazërisë islame në këtë botë, siç ka ardhur në Fjalën e Tij: “O besimtarë! Është caktuar për ju kisasi (ligji i barazisë në ndëshkim) për vrasje: I liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën. Ndërkaq, atij që i falet diçka nga vëllai i vet (farefisi i të vrarit), duhet të sillet njerëzishëm dhe le të zbatojë dëmshpërblimin me të mirë.” (El Bekare, 178) Pra, vrasësin e ka quajtur vëlla të të vrarit.

Dhe siç ka ardhur në Fjalën e Tij: “Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata. Por, nëse njëra palë sulmon tjetrën, atëherë luftoni kundër sulmuesit, derisa të kthehet në urdhrat e Allahut. E, nëse kthehet, atëherë pajtojini ata midis tyre, me drejtësi dhe paanësi, sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi. Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.” (El Huxhurat, 910) Të dyja palët që bëjnë luftë midis tyre i ka adresuar në besim dhe ua ka pohuar vëllazërinë e besimit.

Sy dyti: Atij që dëshiron, Allahu ia fal (mëkatet) që janë më të vogla sesa idhujtaria (shirku). Gjithashtu, e nxjerr nga Zjarri atë që në zemrën e tij ka besim qoftë edhe më të vogël sesa kokrra e sinapit, gjë për të cilën kanë ardhur hadithet mutevatire (të formës masive) rreth ndërmjetësimit.

Grupi i dytë: Murxhitë, që deklarojnë se veprat janë të dala (të vonuara) nga nocioni i besimit. Tek ata vepra nuk bën pjesë në përkufizimin dhe realitetin e besimit. Përkitazi me përkufizimin e besimit, ata ndahen në disa kategori:

1) Xhehmitë: Besimi është vetëm miratim ose njohje me zemër dhe se mëkati nuk e dëmton besimin, sikurse prania e mohimit që nuk i bën dobi adhurimit.

2) Kerramitë: Besimi është vetëm shqiptim me gjuhë.

3) Murxhietul fukaha (murxhinjtë juristë): Besimi është vetëm miratim me zemër e shqiptim me gjuhë dhe veprat nuk hyjnë në përkufizimin dhe realitetin e besimit, por ato janë fryte të tij.

Murxhive u kundërpërgjigjemi në disa aspekte, si:

Së pari: Allahu veprat i ka quajtur besim. Ai, për ata (sahabë) që janë falur në drejtim të Bejtul Makdisit dhe kanë vdekur para se të ndërrohet drejtimi i kiblës, ka thënë: “Dijeni se Allahu nuk jua humb besimin tuaj!” (El Bekare, 143) Përkatësisht, namazin tuaj (që e keni falur në drejtim të Kudsit, Allahu e ka quajtur besim).

Së dyti: I Dërguari i Allahut, ﷺ, ia ka mohuar besimin e plotë atij që bën mëkate të mëdha praktike. Ai ka thënë: “Laviri nuk është besimtar gjatë kohës që kryen marrëdhënie jashtëmartesore, hajduti nuk është besimtar gjatë kohës që vjedh, ai që pi alkool nuk është besimtar gjatë kohës kur e konsumon atë dhe plaçkitësi që ua merr njerëzve një gjë me vlerë tek e cila kanë drejtuar shikimet njerëzit, gjatë plaçkitjes së saj, nuk është besimtar.” [5]

Zanafilla e këtij mendimi të prishur te të dyja palët, kërcënuesit dhe murxhitë, rrjedh nga bindja e tyre se besimi është njësi e pandashme: ose ekziston i tëri, ose nuk ekziston fare. Murxhitë e pohojnë besimin vetëm nëpërmjet miratimit me zemër, ose me gjuhë, apo me të dyja bashkërisht, edhe nëse në realitet nuk vepron asgjë. Domethënë, ata janë ithtarë të neglizhencës. Ndërkaq, kërcënuesit ia mohojnë besimin (mëkatarit) me mëkatin e madh më të ulët. Domethënë, ata janë ithtarë të teprimit. Fillimi i tyre ka qenë i njëjtë, porse rezultati është i përkundërt!

Prof. dr. Ahmed el Kadi, “Besimi i thjeshtësuar”, fq. 127-132

Përktheu: Burim Koçinaj

————————————————

[1] Për sa kohë që nuk i shpall hallall ato. Shënim i përkthyesit.

[2] Buhariu

[3] Buhariu

[4] Ata thonë se tekstet fetare ku përmendet kërcënimi për atë që bën këtë dhe atë mëkat, do të përmbushen. Ndërkaq, ehlu suneti dhe xhemati thotë se ata që i bëjnë mëkatet e tilla janë nën dëshirën e Allahut: nëse do, i fal; e, nëse do, i dënon. Shënim i përkthyesit.

[5] Buhariu dhe Muslimi

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit