-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Europa do mjekë dhe ka shumë para- Si do ta ndalojë Kosova ikjen e mjekëve të vet?

Më të lexuarat

Ikja e mjekëve dhe mungesat evidente të tyre, nuk janë vetëm problem i Kosovës së varfër, por janë dhe po bëhen gjithnjë e më shumë problem edhe i Europës, madje edhe i shteteteve të kamura, të cilat kanë para, kanë kushte shumë më të mira se te ne dhe kanë mungesë të ndjeshme të personelit mjekësor, e sidomos të mjekëve. Llogaritet se kontinentit të vjetër i mungojnë diku rreth 2 milionë punëtorë shëndetësorë. Prandaj, këto shtete nuk rreshtin së kërkuari për çdo ditë mjekë, pavarësisht kostos dhe investimeve eventuale që duhet të bëhen për t’i siguruar ata.

Ikja e mjekëve, braktisja numerikisht e madhe e vendit të tyre dhe së fundi frika reale se Kosova do të mbetet pa mjekë me këtë fluks shpërnguljesh të tyre, është problem i madh shqetësues, madje tronditës dhe i frikshëm. Çështja bëhet edhe më sfiduese, kur dihet se lëvizjet migruese, sidomos të mjekëve dhe mungesat evidente të tyre, nuk janë vetëm problem i Kosovës së varfër, por janë dhe po bëhen gjithnjë e më shumë edhe problem i botës mbarë, madje edhe i shteteteve të kamura, të cilat kanë para, kanë kushte shumë më të mira se te ne dhe kanë mungesë të ndjeshme të personelit mjekësor, e sidomos të mjekëve. Prandaj, këto shtete nuk rreshtin së kërkuari për çdo ditë personel mjekësor dhe mjek, pavarësisht kostos dhe investimeve eventuale që duhet të bëhen për të siguruar ata.

Në njëfarë mënyre, migrimi i mjekëve është bërë problem global, ndërsa nga shpërngulja e tyre pësojnë më shumë sidomos vendet e varfëra dhe ato në zhvillim, pasi që nuk kanë fuqi financiare për të qenë konkurrente në pagesat e kërkuara për mjekët aq të nevojshëm dhe aq të kërkuar në glob. Nuk është, pra problem vetëm i Kosovës dhe vendeve të rajonit të Ballkanit mungesa e dalë sheshit e personelit mjekësor. Çështja është bërë tashmë shumë komplekse, dhe si e tillë shumë sfiduese edhe për shumë shtete të tjera të botës. Sepse, mjekë nuk ka, ndërkohë që ata kërkohen me ngulmë gjithandej nëpër botë, pa zgjedhur mënyrat dhe duke ofruar stimuj ndër më të ndryshmit për kontigjente të tëra mjekësh dhe motrash medicinale.

Shembull që flet saktësisht për kompleksitetin e mungesës së mjekëve, këtyre ditëve, që u shpërfaqë jo në pak raste në mediet e botës, është qyteza franceze Le Viganu, në Francën rurale, ku me vite dhe me ngulmë kërkohen pa sukses mjekë të domosdoshëm për qendrën mjekësore të këtij vendbanimi francez. Autoritetet e kësaj qyteze franceze kanë ofruar për mjektët e interesuar për të punuar aty edhe bonuse startuese prej 50 mijë eurosh dhe një vistër lehtësirash të tjera, dhe megjithatë akoma nuk është lajmëruar asnjë mjekë. Në këtë mënyrë qyteza franceze, fare lehtë mund të mbetet pa Qendrën medicinale e cila ishte për vite të tëra aktive, në mungesë të mjekëve të rinj, që do të zëvendsësonin mjekët që do të shkojnë në pension. Sipas medieve të botës, mjekët në këtë qytezë po plaken. Me qëllim dhe dëshirë për të joshur mjekë të rinj të praktikës së përgjithshme për të zëvendësuar tre mjekët e moshuar të cilët së shpejti do të pensionohen, në qytezën franceze është ndërtuar Qendra e re interdisciplinare e mjeksësisë, në mënyrë që praktika të bëhet joshëse dhe interesante për mjekët e rinj. Dhe, përgjatë 5 vjetëve të kërkimit të mjekëve zëvendësues, asnjë mjek i vetëm nuk është lajmëruar për punë.

“Nuk e kisha menduar se do të ndodhë ndonjëherë kaq zhvlerësim i mjekësisë rurale”, tha për gazetën Politiko Antoine Brun d’Arre, mjeku lokal 59 vjeçar i praktikës së përgjithshme dhe një nga themeluesit e Qendrës mjekesore te qytezës, të cilën e transmetoi edhe gazeta kroate Jutarnji List.

Megjithë përpjekjet e parreshtura që mos të ndodhë kjo, ka shumë gjasë që kjo qytezë në jug të Francës të bëhet edhe një e ashtuquajtur “shkretirë mjekësore”. Por, Le-Vigan, në të cilën jetojnë rreth 4.000 banorë, nuk është i vetmi vend i cili nuk po mund të sigurojë mjekë. Përafërsisht, sfida me të cilën po përballet qyteza franceze, sipas autoriteteve shëndetësore në nivelin global, është karakteristikë e gjithë Europës, ku mjektët ose janë të pakët, ose shumë larg, ose shumë të moshuar.

Sipas të dhënave që publikojnë mediet, praktikisht 7 milionë njerëz në Francë nuk kanë mjekë të praktikës së përgjithshme, përkatësisht rreth 30 për qind të popullatës të këtij vendi jetojnë në rajone me mungesë të përkujdesjes mjekësore. Sipas të dhënave, aktualisht në Francë më shumë mjekë shkojnë në pension se sa sish që hapin ndonjë ordinancë. Numri i mjekëve të praktikës së përgjithshme në periudhën 2012-2021 ka qenë 5,6 për qind, ndërsa sipas hulumtimeve dhjetëvjetëshi i ardhshëm do të jetë shumë sfidues. Franca për kokë banori ka pasur më 2021 më pak mjekë se sa më 2012, ose më saktësisht nga 325 mjekë në 100 mijë banorë ka rënë në 318 mjekëë. Kjo rënie është edhe më sfiduese, kur dihet se popullsia e Francës, sikundër edhe e mbarë Europës po plaket, ndërkohë që edhe për këtë shkak nevoja për më shumë mjekë po shtohet, ka transmetuar gazeta kroate.

Gjithnjë sipas të dhënave të transmetuara nga mediet e jashtme, mungesa e punëtorëve në shëndetësinë e Europës është shumë e madhe. Llogaritet se kontinentit të vjetër i mungojnë diku rreth 2 milionë punëtorë shëndetësorë. Në Greqi, shërbimet urgjente mjekësore për reagimet e vonuara në rastet urgjente “fajësojnë’ mungesën e punëtorëve. Anglisë i mungojnë aktualisht 10 mijë motra medicinale, ndërkohë që edhe Finlanda raporton për mungesë të ndjeshme të këtij profili të punëtorëve shëndetësorë. Klinikat për lindje në Portugali më nuk mund të qëndrojnë të hapura për shkak të mungesës së mjekëve.

“Mungesa e mjekëve, një problem i madh që ka pasoja tek të gjithë”, thotë një zyrtare e lartë e organizatës që përfaqëson mjekët në të gjithë Europën.

Sipas saj, tashmë po forcohet dhe zgjerohet perceptimi se medicina më nuk është karrierë tërheqëse, nuk është diçka që njerëzit duan të mbesin tërë jetën. Dhe ky fakt do të krijojë problemin serioz të mbijetesës së sistemeve shëndetësore. Situata është kritike sipas zyrtarëve të asociacioneve shëndetësore të Europës, madje ata tërheqin vërejtjen edhe për kolaps të padiskutueshëm të shumë sistemeve shëndetësore. Sipas zyrtarëve shëndetësor europian, tragjedia bëhet më e madhe, kur dihet se kriza ka pasur mundësi të evitohet.

“Kjo mungesë mjekësh është pritur, ndërkohë që gjendja është vështirësuar edhe nga pasojat e pandemisë”, theksojnë ata.

Europa shumë gjatë është mbështetur në punëtorë shëndetësorë nga vendet e varfëra, dhe tek ta e ka parashikuar zgjidhjen. Domosdonë për të shtuar numrin e të punësuarve në sektorin e shëndetësisë, shumë shtetete të Europës e kanë shmangur në plan të dytë nga krizat e tjera evidente, si çmimet e ngritura të energjisë, gazit dhe lufta në Ukrainë. Këto janë faktet e gjendjes aktuale në mjekësinë e shumë shteteteve europiane.

Ndërsa shembulli i qytezës franceze Le Vigan, tregon se sa vështirë është të sigurohen mjekët e nevojshëm megjithë benefitet e ofruara (në start 50 mijë euro bonuse, 8 vjet lehtësira të mëdha tatimore). Dhe, përkundër këtyre kushteve të ofruara dhe kërkesave të panumërta edhe nëpërmjet rrjeteve sociale për mjekë të rinj si dhe angazhimit të specialistëve ndërkombëtarë për punësim për t’iu ndihmuar në gjetjen e mjekëve në Rumani dhe në Afrikën Veriore, La Vigan ende nuk ka gjetur mjekët e kërkuar. Ndërsa, këto nevoja të Europës për mjekë dhe personel shëndetësorë, dhe moszgjedhja e rrugëve dhe mënyrave për të sigguruar personel mjekësor për nevojat e shteteteve të Europës, vetëm sa e rëndojnë më shumë gjendjen edhe në mjekësinë kosovare. Sepse, tashmë mjekët kosovarë e kanë fare të lehtë të angazhohen në profesionin e tyre kudo në Europë, me paga shumëfish më të larta se në kosovë dhe me disa përparësi e benefite të tjera, dhe prandaj është vështirë të evitohet ikja masive e tyre.

Thjeshtë, Kosova nuk mund t’a ndalojë hemoragjinë e ikjes së personelit mjekësor (të mjekëve, motrave medicinale), me këto paga që deri tash iu kanë ofruar mjekëve, por edhe me mundësitë e pakta financiare për t’ua shtuar më shumë këto paga. Është punuar keq, përtej keq, dhe janë bërë gabime të pariparueshme në vlerësimin e punës së mjekëve, rëndësisë që kanë ata për shtetin dhe për këtë janë paguar gjatë kohë, dhe vazhdojnë të paguhen fare pak në krahasim edhe me profesionet e tjera, edhe me gjykatësit që deri tani janë paguar tre herë e më shumë se mjekët tanë. Prandaj, ata si t’u ipet rasti ngarendin të ikin, të shkojnë në Europë, ku, së paku, paguhen shumëfish më shumë se në vendin e tyre. Dhe, shifrat e mjekëve të ikur dhe që të atyre që po presin rastin për të ikur një orë e më parë, po bëhen gjithnjë e më tronditëse.

Ç’është e vërteta nga Kosova nuk po ikin vetëm personeli mjekësor. Vendin po e braktisin edhe shumë punëtorë profilesh të ndryshme dhe emigrimi vazhdon të mbetet njëri nga faktorët që ndikon më së shumti në tkurrjen e popullsisë së Kosovës.

Sipas raportit të rregullt vjetor të ASK-së, i titulluar “Vlerësimi i Popullsisë”, gjatë vitit 2021, afro 43 mijë persona e kanë lëshuar Kosovën. Kjo i bie, një qytet i tërë mesatar ka braktisur Kosovën vjet.

“Emigrimi ndërkombëtar- numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, thuhet në raport.

“Shtimi natyror në Kosovë në vitin 2021 ishte 14,391 banorë ndërsa migrimi neto 38,606 banorë. Popullsia e Kosovës gjatë vitit 2021 u zvogëlua për 24,215 banorë”, saktëson ASK në raportin e publikuar në qershor të këtij viti.

Por, e keqja e madhe bëhet nga braktisja e vendit nga truri, nga kosovarët e shkolluar dhe me profesione tepër të nevojshme për Kosovën e varfër. Dhe, ka kohë, mbase edhe disa vjet që “truri” i Kosovës po e braktis vendlindjen. Po lënë vendin edhe mjekët, inxhinierët, teknikët, punëtorë të shumtë të ndërtimtarisë me kualifikime, muratorë e latues të aftësuar, instalues prej më të ndryshmëve, gastronomë me diploma dhe pa to, dhe të tjerë profilesh të ndryshme. Infermierët e shumtë nga Kosova që ka vite ikën në vendet e ndryshme perëndimore, në numër të madh janë rrëfim i veçantë dhe si i tillë duhet trajtuar. Ka vite që dy universitetet private në Kosovë kanë fakultete të infermierisë të licencuara dhe ato përgatisin infermierë për tregun perëndimor të punës. Numri enorm i tyre është lehtësisht i verifikueshëm, pasi që janë të regjistruara legalisht në këto fakultete dhe për këtë domosdo duhet të ketë statistika. Por, e ardhmja sa i përket braktisjes së vendit nga “truri”, pra nga kosovarët e shkolluar në vendin e tyre dhe për nevoja të këtij vendi, është edhe më e zymtë.

Në një prononcim për mediet kosovare, duke pasqyruar trendin e largimit të mjekëve nga sektori publik dhe pasojat për sistemin shëndetësor të Kosovës, Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve, vuri në dukje se brenda 5 vjetëve të ardhshme do të ndihet kriza e madhe e mjekëve. Sipas tij, vetëm në 4 vjetët e fundit Kosova ka humbur mbi 650 mjekë.

“Gjatë këtij viti janë 174, të cilët janë larguar. Është një numër më i madh se sa viti i kaluar, kur kishin ikur 150 për 12 muaj, kurse në këtë 9 mujor mbi 170 dhe fatkeqësisht i afrohet numrit 200 nëse ky trend vazhdon. Në momentin kur bëhet liberalizimi i vizave, ky numër do të jetë shumë më i madh, sepse kontakti do të jetë shumë më i lehtë i mjekëve të interesuar nga Kosova dhe punëmarrësve të cilët janë të shumtë, në Gjermani sidomos”, tha ai.

Ndërsa, Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së përmes një komunikate për media ka thënë se është duke e përcjellë me shqetësim të madh ikjen e profesionistëve shëndetësorë nga QKUK-ja, e në veçanti të infermierëve. Sipas sindikalistëve shëndetësorë, në përgatitje për largim gjatë vitit 2023 janë edhe rreth 1500 infermierë. Janë pikërisht infermierët e Mjekimit Intensiv, Teknikët e Anestezionit, instrumentarët, infermierët e Qendrës Emergjente, ndërsa në përgjithësi infermierët kualitativ dhe me eksperiencë, ata që po targetohen dhe rekrutohen nga punëdhënësit e huaj, ndërsa ikja e tyre do t’i vendoste para kolapsit total secilën nga këto klinika të lartpërmendura, pasi janë pikërisht këta profesionistë që i mbajnë këto klinika pavarësisht mungesës së mjekëve”, thuhet në njoftimin e sindikalistëve.

Duhet thënë se si punëtorët e profileve më pak të shkolluara, si ata që kanë shkollim të lartë, po e lënë Kosovën për një jetë më të mirë, më të dinjitetshme, për paga më të mira dhe për kushte pune më të favorshme.

“Problemi i ikjes, sipas analizave, janë kushtet e punës dhe pagat e ulëta”, theksojnë në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.

Tani, thuaja se është bërë shumë vonë që të krijohet ndonjë mundësi për të parandaluar ikjen e ‘trurit”, e sidomos të personelit mjekësor. Europa po joshë ata me të gjitha mënyrat. Sido që të jetë, Kosovës i nevojitet tepër shumë personeli mjekësor. Glauk Konjufca, në një nga mbledhjet e fundit të Kuvendit të Kosovës tëhoqi vëmendjen, ndër të parët zyrtarë, për t’u vendosur fokusi i mobilizimit institucional për të bërë një plan nacional dhe gjithëpërfshirës për t’u përballur me këtë “lëngatë”, që po e vuan Kosova. Por, edhe edhe disa asociacione që trajtojnë problemet e migrimet të kosovarëve që moti kanë alarmuar se Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plan ose një strategji për të zvogëluar emigrimin e atyre nga profesionet që kanë deficite të fuqisë punëtore dhe produktivitet të lartë. Strategjia duhet të sjellë stimuj të ndryshëm që do ta mbajnë personelin mjekësor në Kosovë. Diçka duhet të ndërmerret urgjentisht, së paku, për të zbutur këtë problem, aq më parë kur po shihet se me këtë vrull të ikjeve masive dhe paralajmërimeve të panumërta për ta lënë vendin një orë e më parë, ose në çdo rast kur t’u ipet edhe mundësia më e vogël, patjetër që rrezikohet Kosova të mbesë pa mjekë dhe pa motra medicinale, që vet i shkolloi dhe i përgatiti profesionalisht. /Buletini Ekonomik

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit