-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Sekreti

Më të lexuarat

Nga: dr. Selman Aude

Sekreti

Një herë, një djalë i ri më pyeti nëse e kisha lexuar librin “Sekreti” të australianes Ronda Bayern. Pyetja e tij më vuri në siklet dhe më detyroi ta blej dhe ta lexoj. Kur udhëtoja larg, e merrja me vete dhe lexoja gjatë udhëtimit.  Libri nxjerr në pah përpjekjet për të motivuar dhe stimuluar energjitë e brendshme të njeriut, për ti parë gjërat me optimizëm, për tu marrë me punë dhe për të besuar se ajo që e dëshiron njeriu mund të realizohet. Kjo, me kusht që njeriu ta besojë me mendje, ta shqiptojë me gojë dhe ti flakë tutje mendimet e zeza dhe pesimiste.
Njeriu duhet t’ia kushtojë mendjen dhe arsyetimin gjërave që dëshiron ti realizojë, jo atyre që frikësohet prej tyre dhe që dëshiron ti heqë qafe.
Diçka e tillë më kujtoi një thënie të imam Ibnul Kajjim, në librin e tij “Medarixh Salikin”,  ku thotë:”Nëse robi i mbështetet Zotit siç duhet për ta lëvizur një mal nga vendi i tij, do ia arrijë.”
Gjithashtu, më kujtoi dhe thënien e reformatorit amerikan, Marin Luther King, i cili shpesh herë thoshte:”Unë kam një ëndërr (I have a dream)”.
Ai nuk thoshte asnjëherë:”Unë kam një problem.”
Po, problemet kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë, por nëse e nisim jetën nga porta e problemeve, kemi zgjedhur sokakun më të ngushtë.
Idenë mbi të cilën bazohej libri, e pashë të nevojshme për ta rrënjësuar dhe brendësuar në ndërgjegjet tona, larg debateve shterpë rreth saj, të cilat ia shuajnë energjitë. Këtë e them pasi kjo ide, është një nga motivet dhe stimujt e vërtetë për punë, arritje dhe durim.
Me qindra tekste dhe fjalë të cekura në libër prej autores, shto komentet e shumta, të cilat silleshin rreth detajeve të idesë dhe ligjeve të saj, nuk dilnin jashtë kontekstit dhe përmbajtjes së dy tre haditheve profetikë. Njëri prej tyre, është një hadith kudsij, ku Profeti a.s transmeton një thënie hyjnore, sipas të cilës:”Unë jam tek opinioni që robi ka për Mua. (veproj sipas pritshmërive të tij). Prandaj, le të mendojë dhe të presë prej Meje ç’të dojë!” (Buhari dhe Muslim) Në një transmetim tjetër thuhet:”Nëse pret mirësi, ajo do i jepet, nëse pret ligësi, ajo do i jepet.”
Opinioni dhe pritshmëritë në këtë hadith, përfshijnë ato të dynjasë dhe ahiretit. Të kesh mendim të mirë, është pjesë e veprave të mira. Kur kërkojmë të rrënjësohet një ide, nuk ka përse ta shkoqisim deri në rrënjë duke supozuar dhe hedhur hipoteza, pasi ajo fillon e fishket dhe thahet. Nëse ideja konsolidohet, është i lehtë korrigjimi dhe saktësimi i saj më pas.
Hadithi i dytë, është ai ku Profeti a.s thotë:”Luteni Zotin duke qenë të sigurt se do u përgjigjet!” (Ahmed, Tirmidhij dhe Hakim)
Ky haidith na bën thirrje që lutjet që ia adresojmë Zotit, ti bëjmë duke qenë të sigurt se Ai do na përgjigjet dhe do na i pranojë. Lutjet nuk duhen shoqëruar me dyshim apo luhatje nëse do na pranohen apo jo.
Hazreti Umeri thoshte shpesh herë:”Unë nuk proekupohem nëse do të më pranohen lutjet, por proekupohem që të bëj lutje sa më shumë. Nëse je mbarësuar për tu lutur, dije se lutjet do të pranohen.”
Kjo thënie është pjesë e frymëzimeve të burrave madhështorë si Umer ibnul Hattabi, Zoti qoftë i kënaqur me të. Thelbi i kësaj thënie, është që lutjet tona mos të jenë thjesht disa fjalë që i adresohen qiellit. Ato duhet të jenë fjalë, por fjalë të fuqishme, fjalë që prekin zemrën dhe mendjen, fjalë të mbushura plot besim dhe siguri në përmbushjen e premtimit të Zotit, i cili thotë në Kuran:”Zoti juaj ka thënë:“Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (Gafir, 60)
A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij..” (Neml, 62)
“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” (Bekare, 186)
Një këndvështrim dhe mendim i errët, është i mjaftueshëm për burgosjen e njeriut në një bodrum të errët, plot lagështirë dhe ajër të rëndë, i cili të kujton varrin e përshkruar nga Bedër Sejjab me fjalët:
I humbur jam brenda një strehe guri
Pa derë, pa dritare, ku s’hyn as nuri
 
Një njeri i tillë sikur përshpejton vdekjen e tij para kohe. Viktimat e pesimizmit, izolimit dhe vetëmbylljes psikologjike, i dëgjon të shprehin nostalgjinë e largimit nga kjo botë rast e pa rast. Madje, ata i kritikojnë ata që orvaten ti privojnë nga një ngazëllim i tillë, pasi është gazi dhe kënaqësia e vetme që u ka mbetur nga kjo botë, nëse është e vërtetë që janë të gjallë.
Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Njerëzit më të mirë, janë ata që kanë jetë të gjatë dhe vepra të mira.” (Tirmidhij, Ahmed, Hakim)
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Askush të mos e urojë vdekjen dhe të mos lutet ti vijë para kohe. Nëse dikush prej jush vdes, i ndërpriten veprat e mira. Jeta e gjatë, besimtarit nuk i shton veçse mirësitë.” (Muslim)
Jeta është një mirësi e falur nga Zoti për krijesat e Tij të gjalla. Vetë Profeti a.s, sa herë që zgjohej nga gjumi, falenderonte Zotin dhe thoshte:”Lëvduar qoftë Zoti i cili na ktheu në jetë pas gjumit dhe tek Ai do të kthehemi përfundimisht.” (Buhari dhe Muslim)
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thoshte kur gdhihej:”Lëvduar qoftë Zoti i cili ma ktheu shpirtin, më ka dhënë shëndet në trup dhe më ka mundësuar ta përkujtoj.” (Nisaij, Ibnu Sunnij)
Të kesh lidhje me udhëzimin dhe traditën e profetëve të Zotit, nuk është zahire vetëm për botën tjetër, por është zahire dhe furnizim i dobishëm për një jetë të këndshme edhe në këtë botë.
 
Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit