Sot jemi duke e kremtuar, para së gjithash, atë që jemi muslimanë. Ne jemi duke e kremtuar bekimin më të madh të jetëve tona – Islamin tonë.
Islami është feja e cila na definon se kush jemi, e definon identitetin tonë. Islami është religjioni të cilin All-llahu e ka zgjedhur për ne, e ka përsosur për ne dhe na ka dhënë atë të cilën Allahu në Kur’an aq rrjedhëshëm e ka shprehur: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova dhuntinë Time ndaj jush, zgjodha për ju Islamin fe” (5:3).
Islami është nder.
Islami është privilegj.
Islami është dhuratë prej Allahut.
Islami nuk ka nevojë për ne, por ne kemi nevojë për Islamin.
E tëra që duhet ta bëjmë është që të jemi mirënjohës për një shpërblim madhështor të tillë dhe të themi: “Falënderojmë All-llahun që na udhëzoi për këtë, pse sikur të mos na drejtonte All-llahu, ne nuk do të dinim të udhëzohemi” (7:43).Por çka është ajo që ne besojmë se Islami është një dhuratë kaq jashtëzakonisht e madhe prej All-llahut? Pasi që nuk ka asgjë sikur Islami në botë: Islami është ai që i ka mësuar qeniet njerëzore se Perëndia, Zoti i tyre është Një dhe i Vetmi, se Ai nuk ka shoqërues, nuk ka grua dhe nuk ka djalë dhe se nuk mund të ketë kompromis në njëshmërinë e Zotit.
Islami është ai që i ka mësuar qeniet njerëzore se të gjithë ata janë të barabartë dhe se arabi nuk është superior ndaj joarabit, e as joarabi nuk është superior ndaj arabit dhe se më i mirë prej nesh është ai që është më i devotshëm.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin për vlerën e intelektit, rëndësinë e të menduarit, dhe rolin e mendjes në plotësimin e besimit.
Islami na mëson se besimi është fryt i të menduarit dhe se me anë të të menduarit të thellë dhe të vazhdueshëm mbi çudirat e krijuara, besimi mund të fitohet, mirëmbahet dhe ushqehet.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin se njerëzit e të gjitha racave, të gjitha ngjyrave dhe të gjitha përkatësive etnike janë plotësisht të aftë të sigurojnë besimin në Njërin dhe të Vetmin Zot.
Hindusët besojnë se hinduizmi është vetëm për ata të privilegjuarit që lindin në atë fe dhe për këtë shkak ata nuk i ftojnë “më pak të privilegjuarit” për ta përqafuar fenë e tyre.
Jehuditë besojnë se ata janë raca e zgjedhur. Madje edhe atëherë kur të tjerët e pranojnë judeizmin, ata mbeten gjithmonë më të ulët në rang prej atyre të cilët kanë lindur si jehudi.
Islami e hedhë poshtë tërë këtë dhe thërret të gjithë njerëzit prej të gjitha gjendjeve që t’i nënshtrohen Krijuesit të tyre. Pasi që ta bëjnë këtë, ata automatikisht bëhen anëtarë të shoqërisë islame me të drejta dhe me obligimet të njëjta sikur edhe çdo musliman tjetër.
Islami nuk është, dhe asnjëherë nuk mund të jetë, monopol i një race ose i një grupi të caktuar linguistik.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin se Zoti është absolutisht i Drejtë dhe i Mëshirshëm dhe se Ai asnjëherë nuk do të dënojë ndonjë person për mëkatet e tjetërkujt.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin si të vendos baraspeshë në nevojat e kësaj jete dhe jetës së ardhme.
Islami nuk e pranon idenë se heqja dorë nga kjo botë është mënyra më e mirë për të fituar shpëtimin në të ardhmen.
Islami mëson se mënyra më e mirë për përparim në jetën e ardhme është duke marrë pjesë në çështjet e kësaj bote, duke urdhëruar në të mirë dhe duke ndaluar nga e keqja, duke ndihmuar njëri-tjetrin në drejtësi dhe devotshmëri, duke luftuar kundër të gjitha formave të së keqes, padrejtësisë, tiranisë, jotolerancës…
Islami nuk nxit mohimin e botës, por ai mëson pjesëmarrje dhe përpjekje për ndërrimin e saj.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin se mirësia ndaj prindërve, ndaj familjes, ndaj fqinjëve dhe të gjithë njerëzve është pjesë esenciale e besimit dhe e drejtësisë.
Islami na mëson se një njeri nuk mund të afrohet ndaj Zotit nëse ai nuk vepron me shumë mirësi ndaj nënës së tij, babait, familjes, fqinjëve, etj.
Islami është ai që e ka mësuar njerëzimin se Zoti është shumë afër tyre dhe se Ai është me ata kudo që janë ata dhe se Ai i dëgjon lutjet e tyre dhe u përgjigjet atyre.
Islami mëson se Zoti është aq afër, saqë Atij nuk i duhen ndërmjetësues për të ndërmjetësuar mes Tij dhe shërbëtorëve të Tij.
Islami nuk e pranon konceptin e priftërisë dhe klerit që veprojnë si ndërmjetësues mes Zotit dhe njerëzve.
Islami mëson se njeriu nuk ka nevojë të rrëfehet për mëkatet e tija te ndonjë prift me qëllim që të kërkojë falje. Njeriu mund lirisht t’ia rrëfejë mëkatet e tija Zotit pa asnjë intervenim njerëzor, të kërkojë falje dhe Zoti do t’ia jep atë.
Islami na mëson se kudo që gjindet dikush, ai mundet t’i lutet Zotit, t’i rrëfehet Zotit, të kërkojë ndihmën e Zotit dhe faljen e Tij dhe Zoti me siguri do t’i përgjigjet. Kurrfarrë intervenimi prej njerëzve nuk nevojitet dhe asfarë vendi ose kohe e veçantë nuk është e domosdoshme. Zoti gjithmonë është shumë afër.
Nuk ka asgjë sikur Islami në botë. Nuk ka asnjë besim, asnjë religjion, asnjë ideologji dhe asnjë sistem i besimit i cili mund t’i konkurojë Islamit në qartësinë dhe në thjeshtësinë e tij, në nënshtrimin e tij ndaj Zotit, Njërit dhe të Vetmit, në raconalizmin dhe thellësinë intelektuale të tij, në egalitarizmin dhe barazinë e tij, në natyrën shpirtërore të tij, në kodin dhe në etikën e tij dhe në baraspeshën e pakrahasueshme të tij në mes nevojave të kësaj jete dhe të kërkesave të jetës së amshueshme.
Islami e ka ngritur shpirtin e njeriut, trupin dhe mendjen e tij në lartësi të cilat asnjëherë më parë nuk janë arritur prej ndonjë besimi apo tradite të mëparme.
Islami është religjioni i vetëm i cili me të vërtetë i ka aftësuar qeniet njerëzore që ta përmbushin njerëzoren (humanen).
Islami është një punim i përsosur artistik mbi të cilin syri i njeriut mund të shikojë dhe ta shqyrtojë me ditë, javë dhe vite me radhë e të mos mund t’i gjejë gabime, thjesht është pa defekte dhe pa kondtradikta. E vetmja gjë të cilën syri i njeriut mund ta bëjë është të vazhdojë të mahnitet me bukurinë e jashtëzakonshme dhe koherencën e këtij besimi.
Leopold Vais (Leopold Ëeiss), hebreu austriak i cili e përqafoi Islamin në vitin 1926 dhe u bë njëri prej intelektualëve më të mëdhenj muslimanë të shekullit njëzet, ka shprehur nivelin e njëjtë të mahnitjes ndaj bukurisë së thellë dhe koherencës së Islamit.
“Më kanë pyetur, herë pas here: “Pse e ke përqafuar Islamin? Çka ishte ajo që në veçanti të tërhoqi ndaj tij? Andaj më duhet të rrëfehem: “Nuk di asnjë përgjigje të mjaftueshme. Nuk ishte ndonjë mësim i veçantë i cili më tërhoqi, por e tërë struktura mahnitëse dhe koherente e mësimeve morale dhe programi praktik jetësor. Nuk mund të them, madje edhe tani, se cili aspekt i tij më pëlqen më tepër se ndonjë tjetër. Islamin e shoh si një punim të përsosur arqitektonik. Të gjitha pjesët e tij janë në mënyrë harmonike të shpikura që të përmbushin dhe mbështesin njëra-tjetrën: asgjë nuk është e tepruar dhe asgjë nuk mungon, thjesht funksionojnë me një rezultat të baraspeshës absolute dhe të një thurjeje të fuqishme. Me siguri kjo ndjenjë, se çdo gjë në mësimet dhe postulatet e islamit është në vendin e vet të duhur, ka krijuar impresionin më të fuqishëm në mua.”
Me pak fjalë, Islami është e vërteta e tërë dhe asgjë pos së vërtetës. Islami ishte ai që e shfarosi alkoolin, së bashku me të gjitha të këqijat e tij. Islami ishte ai që ndali të gjitha format e prostitucionit, bixhozit, dhe pijeve tjera dehëse nga shoqëria.
Pyetja e cila në mënyrë të parezistueshme i parashtrohet mendjes është kjo: A mund Islami të revolucionarizojë botën sot ashtu si ka bërë në fund të shekullit të shtatë”?
A është Islami relevant sot?
A mund Islami t’i ofrojë diçka botës së sotme? Po, madje shumë.
Për muslimanët që jetojnë në perëndim (po edhe ne në këto vise afër perëndimit ) do të ishte e kuptueshme që të fokusohemi në atë se çka mund t’i ofrojë Islami shoqërisë sonë.Çdo popull dhe çdo vend, i ka virtytet e veta dhe veset e këqija. Islami mund të përmirësojë dhe të lartësojë të gjitha virtytet derisa t’i eliminojë, ose, së paku t’i minimizojë (veset e këqija). Në një shoqëri ku alkooli është shkaku numër një i vdekjeve kriminale dhe lëndimeve, ku alkooli kushton miliona dollarë çdo vit në harxhime mjekësore dhe në dëme të pronës, ku konsumimi i alkoolit shkakton vdekjen e qindra dhe mijëra njerëzve çdo vit, ku alkooli është shkaku kryesor i dhunimeve dhe dhunës shtëpiake, a ka ndonjë besim më të aftë se Islami që t’i ndalojë të gjitha këto dëme të alkoolit?
Në një shoqëri ende e përvuajtur nga grindjet racore, urbane e rurale, familjare e shoqërore, Islami i obligon besimtarët të qëndrojnë së bashku në një rresht, krah për krahu dhe shputë për shpute, dhe të shtrijnë përtokë ballin e tyre ndaj Zotit ashtu që të mësojnë se të gjithë ata janë shërbëtorë të përulur të të Plotëfuqishmit All-llah.
Në një shoqëri ku dhuna ndaj grave është ngritur në përmasa alarmante, ku ecja e grave të vetmuara në errësirë nuk është e sigurtë, ku madje edhe institutet e edukimit sipëror duhet të sigurojnë “shërbim për përcjellje deri në shtëpi” për të mbrojtur gratë në rrethin universitar gjatë natës, Islami ka shumë më tepër të kontribuojë sesa vetëm të bëjë shërbime për përcjellje ose mësime të karatesë. Islami mbjellë modesti dhe sens të mirësjelljes në mendjet e besimtarëve. Ai e çrrënjos vullgaritetin dhe i eliminon të gjitha mundësitë që meshkujt t’i shohin gratë si objekte të seksit.
Në një shoqëri të dhunshme siç janë Shtetet e Bashkuara ku pothuajse 25.000 jeta zhduken vetëm nga armët e zjarrit, ku 5% të popullatës botërore konsumojnë 50% të narkotikëve ilegal botëror edhe krahas burgimit të rreth 700.000 shpërndarësve të drogës çdo vit, ku në disa sekonda vidhet nga një veturë ose ku në disa sekonda dhunohet nga një grua, Islami ka të ofrojë shumë më tepër sesa vetëm të vëndon ca policë në rrugë.
Islami mëson se parandalimi është më i mirë sesa shërimi dhe se krimineli më së miri mund të rehabilitohet duke u kujdesur për familjen, komunitetin, dhe fqinjët e tij.
Islami ngjall nder dhe respekt të madh ndaj rolit të nënës, ngase edhe ajo kujdeset mirë ndaj fëmijëve të saj, nga e cila përfiton tërë shoqëria.
Islami i përkujton prindërit për obligimet e tyre, i nxit fqinjët që të kujdesen për nevojat e njëri-tjetrit, që të përforcojë lidhjet e komunitetit, të udhëzojë duke urdhëruar në atë që është e mirë dhe duke ndaluar atë që është e gabuar në vend të apatisë dhe individualizmit.
Islami gjithmonë i eliminon problemet prej rrënjës së tyre. Në një shoqëri të goditur me individualizëm të zjarrtë, materializëm të tepruar, konsumerizëm të egër dhe me një senzualizëm të patrembur, Islami e ka fuqinë e nevojshme intelektuale dhe shpirtërore për të korrigjuar të gjitha teprimet në shoqëri, ngase Islami mëson përmbajtjen dhe baraspeshën në të gjitha çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Ka aq shumë në Islam që me të vërtetë mund ta shëndrrojë tërë botën në një vend më të sigurtë, më të mirë dhe më të denjë për të jetuar.
Islami është një forcë mbresëlënëse me një potencial të madh.
Shkruar nga Valbona Kelmendi